Kur përmendet animacioni a filmi vizatimor, e para lidhje rëndom bëhet me një vepër zbavitëse, por “Dear Mahsa” është e kundërta. Animacioni është art serioz, të tilla i ka edhe temat. Filmi me regji të Martin Pflanzer e çon publikun në Iran, e përball atë me diktaturën, thërret për të drejtat e njeriut. I realizuar në bardhezi, është shfaqur të premten në ditën e pestë të “Anibarit”, kur Chris Robinson, drejtor i Festivalit të Animacionit në Otavë të Kanadasë, ka folur për ngjyrat
Në ditën e 16-të të shtatorit të vitit të kaluar, Irani do të tronditej. Mahsa Amini, 22-vjeçare, do të vdiste në një spital të Teheranit. Ishte keqtrajtuar aq shumë nga e ashtuquajtura polici e moralit saqë organizimi i saj do të pushonte së funksionuari. Brutaliteti i autoriteteve policore i kushtoi me jetë. Dhe, për Republikën Islamike të Iranit, ajo kishte bërë “shkelje të rëndë ligjore duke u ekspozuar në publik pa hixhab”. Prej atëherë, qindra protesta shpërthyen gjithandej. Vendi, i cili më 1979 u dha fund të drejtave dhe lirive të njeriut duke u shndërruar në diktaturë që udhëhiqet nga ajetullahu, ka marrë vëmendjen e botës për këtë rast.
Përtej asaj që është transmetuar në media, një copë rrëfimi, por më artistik për të renë Mahsa Amini ka ardhur edhe në Kosovë. Te kategoria e filmave që flasin për të drejtat e njeriut, në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit në Pejë, të premten është dhënë filmi “Dear Mahsa. E natyrshme se ky animacion me ilustrime të punuara me dorë është veç bardhezi.
Bardhezi për vendin që i humbi ngjyrat
Irani i ka humbur ngjyrat e tjera më 1979 dhe tash përpëlitet t’i kthejë. Duke e ilustruar me imazhe poezinë e shkrimtares iraniane që jeton në Gjermani, Ayeda Alavie, regjisori Martin Pflanzer i ka dhënë botës së animacionit një rrëfim prej pak më shumë se pesë minutash për viktimën e policisë së moralit. Rasti i 22-vjeçares është “fija” ku zë fill filmi që zbërthen se si në Iran të drejtat e grave nuk ekzistojnë. Ose edhe mund të ekzistojnë, por vetëm në kujtimet e atyre që kanë jetuar edhe para periudhës së vitit 1979. Para më shumë se katër dekadash rrugët e Teheranit si fotografi ngjanin me ato të cilitdo qytet të Evropës. Por situata e tanishme zbërthehet goxha në film. Ilustrimet shkojnë deri te prerja e flokëve që bëjnë gratë në shenjë proteste e solidarizimi. E vendi ku filmi është dhënë nuk është se nuk ka lidhje me rrëfimin që është shpalosur.
Kinemaja mban emrin e artistit e veprimtarit të njohur, Jusuf Gërvalla. Megjithëse në tjetër kontekst, shkaku i mungesës së lirisë ai ishte arratisur në Gjermani. Por regjimi jugosllav do ta vriste atje në janarin e vitit 1982. Kosova e asaj kohe, sidomos ajo e viteve ’90, ishte po ashtu bardhezi shkaku i represionit serb, që kulmoi me luftën e vitit 1998-1999. Prej atëherë këtij vendi iu kthyen edhe ngjyrat.
E pikërisht për ngjyrat e përtej tyre ka folur artisti Chris Robinson, drejtor i Festivalit të Animacionit në Otavë të Kanadasë.

Shtyrja e kufijve të filmit të animuar
Nën titullin “Ne jemi të gjithë kolazhe – Duke shqyer historinë e animacionit të kolazhit”, ai e ka futur audiencën nëpër historinë e kolazheve. Në ditët e sotme kolazhet janë përditshmëri që mund të realizohen nga secili që ka qasje në pajisje kompjuterike. Te kolazhet bëjnë pjesë krejt dizajnet, përfshirë ato që shpërndajnë edhe lajme të rreme e propagandë. Robinson ka treguar se në letërsi, teknikat e kolazhit ose të prerjes u popullarizuan nga William Burroughs dhe Brion Gysin, por u rrënjosën në dadaizmin e viteve ’20 të shekullit të kaluar.
“Arti dhe filmi i kolazhit datojnë në fillim të shekullit XX”, ka thënë ai, duke treguar se kolazhet më të hershme i kanë rrënjët në Japoninë e shekullit XII. Por epoka e konsumit është era që shpërndau kolazhet, duke bërë që edhe çështjet politike e sociale të jenë pjesë e dizajneve të ndryshme.
“Teknika e kolazhit ka shtyrë gjithashtu kufijtë e animacionit, duke përfshirë forma të tjera artistike duke eksploruar çështje të ndryshme sociale, kulturore dhe politike”, ka thënë autori i 13 veprave, ku bëjnë pjesë edhe “Estonian Animation: Between Genius and Utter Illiteracy”, “The Animation Pimp, Unsung Heroes of Animation”, “Japanese Animation: Time out of Mind, Mad Eyed Misfits” dhe “Earmarked for Collision: A Highly Biased Tour of Collage Animation”.
E te prezantimet dhe ligjëratat e sivjetshme më i rëndësishmi pritet të jetë ai i Eric, “Butters” Stough, drejtor i animacionit të një prej serialeve të animuara më të njohura në botë, “South Park”. Ligjërata e tij do të mbahet (sot) e shtunë dhe Stough veçse ka arritur në Pejë.
“’Anibar’ e pret si ngjarje të veçantë ligjëratën e tij, që do të mbahet të shtunën. ’South Park’ ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët dhe është përfshirë në listat e botimeve të ndryshme të shfaqjeve më të mëdha televizive. Ka fituar çmime të shumta, duke përfshirë pesë sosh ‘Primetime Emmy’ dhe një çmim ‘Peabody’. Në vitin 1999 u realizua edhe filmi ‘South Park: Bigger, Longer & Uncut’, i cili pati shumë sukses, duke fituar një nominim për çmimin ‘Oscar’. Në vitin 2013, TV Guide e renditi ‘South Park’ si serialin e dhjetë më të mirë televiziv të të gjitha kohërave”, është paraqitja që i ka bërë festivali këtij mysafiri. Ai do të flasë në një “prezantim fantastik rreth fakteve më interesante dhe punës së tij në ‘South Park’”. Prezantimi është i hapur dhe organizatorët e kanë ftuar publikun për të mësuar gjithçka rreth “South Park” dhe për ta takuar njërin prej animatorëve më të suksesshëm në botë. Të shtunën, po ashtu do të vazhdojë shfaqja e animacioneve në nëntë kategoritë e Festivalit në edicionin e 14-të, shtatë prej të cilave garuese. Filmat që prekin të drejtat e njeriut gjithnjë marrin më shumë vëmendje. “Anibar” e ka këtë synim. Lufton për të drejtat e njeriut. Sidomos me temën ““Love|Dashni”, ku në fokus është komuniteti LGBTIQ+.