Gjeografia e kinemasë që mat shqetësimet e njeriut të sotëm, e shtrin përmasën në një botë të prekshme të njeriut, që është ndjesi dhe kërkim; nga Gjermania, Suedia, Turqia, Franca, Kosova, Maqedonia, Italia…projektimet në edicionit e katërt të festivalit ndërkombëtar “Dea Open Air”, krijuan korridoret e rrymave që lëvizin sot jashtë kornizës virtuale…shkruan MAPO.
Një njeri i zakonshëm që kërkon “pasurinë” nëpër malet më të larta, që jeton me natyrën, që çon jetën e përditshme, në një kasolle prej druri e ka të pamundur të mos rrëfejë një histori. Ky është Mehmeti, në një fshat malor në rajonin e Detit të Zi që siguron jetën me mbarështimin e kafshëve, ndërsa kërkon “damarët” e floririt, i shton dhe aventurat e ndeshjes me demat, ku kthehet si humbës në shtëpi. Regjisori turk Mustafa Kara na vë përballë një fotografie të jashtëzakonshme tablonë naive të një jetë të dhimbshme, prekëse, në ankthe për mbijetesën dhe njeriun përballë natyrës. I projektuar në programin e filmave me metrazh të gjatë, “I ftohti i Kalandarit” mori trofe si filmi më i mirë në Dea Open Air, duke u pasuar edhe me trofen e fotografisë më të mirë, që mbylli edhe mbrëmjen e maratonës gjashtë ditorë të edicioni të katërt të festivalit ndërkombëtar që u mbajt në Sarandë, në kinemanë e hapur, në “Liman”.
Ndërsa mbrëmja tradicionale gala e ndarjes së çmimeve u zhvillua për herë të parë në kompleksin turistik Bougainville, i cili është edhe njëri prej mbështetësve kryesorë të Dea Open Air 2017.
Të pranishëm në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve ishin: Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro kinemasë, aktorë e regjisorë, personalitete të kulturës dhe biznesit, artistë të zhanreve të tjera të artit, përfaqësues të medias, studentë, miq dhe dashamirës.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro përgëzoi organizatorët për cilësinë e aktivitetit, nënvizoi rëndësinë e festivaleve të filmit për shtrirjen e pranisë së kinemasë edhe atje, ku ajo mungon dhe inkurajoi për të ardhmen, duke argumentuar, se Saranda me historinë, kulisën dhe profilin e saj është vendi i duhur për organizimin e një eventi të tillë.
Pas përshëndetjeve të fillimit, tri juritë e festivalit bënë publike vendimet e tyre. Në Seksionin e filmit të shkurtër konkurronin 35 filma, ndarë në dy nënkategori: në konkurrimin ndërkombëtar dhe konkurrimin studentor. Gjeografia e shtrirë e filmave të përzgjedhur kombinohej mirë me qëmtimet dhe vëzhgimet sociale të autorëve të tyre, të cilët i kanë preokupuar sivjet tema universale, të rëndësishme për të gjitha shoqëritë, po aq sa edhe temat specifike, që reflektojnë veçoritë e një apo disave syresh. Kështu dukuria e emigrimit, luftës dhe përplasjes së kulturave u vu në fokus në filmat e autorëve, të ardhur nga : Italia, Korea, Spanja Kosova dhe Kroacia – në konkurrimin ndërkombëtar – dhe të autorëve nga Turqia dhe Kosova, në konkurrimin studentor. Marrëdhëniet familjare e dashurore, marrëdhëniet në çift, humbja e të afërmeve, pozita e gruas dhe raportet e familjes me sfera të tjera të marrëdhënieve shoqërore u vu në fokus nga autorë, të ardhur nga Greqia, Irani, Holanda në konkurrimin ndërkombëtar dhe autorët nga Spanja, Brazili,Rusia, Bullgaria, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria në konkurrimin studentor. Jashtë vëmendjes nuk mbeti as marrëdhënia e ndërlikuar e njeriut me teknologjinë në konkurrimin ndërkombëtar me kontributet nga Italia dhe Gjermania, lufta për mbijetesë në përshtatje apo në kundërshtim me normat morale, me kontributet nga Kosova dhe Maroku apo marrëdhënia e komplikuar e individit me veten dhe komunitetin, në kontributet nga Kosova, Danimarka, Turqia, Republika Çeke, Rusia, Serbia dhe Gjermania.
“Tendenca rritëse e numrit të aplikantëve të Dea Open Air u konfirmua edhe këtë vit. Aplikuesit iu drejtuan festivalit në platformat Film Freeëay dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë – nga vendet evropiane dhe më gjerë, duke i dhënë pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Pas seleksionimit paraprak, të mbyllur në fund të muajit mars, në konkurrimin e filmit me metrazh të gjatë për çmimet DEA u përfshinë 6 filma të ardhur nga: Gjermania, Franca, Suedia, Turqia, Maqedonia dhe Shqipëria. Në fokus të tyre ishte familja – edhe si bashkim forcash për mbijetesë, edhe si marrëdhënie që individin mund ta qetësojë po aq sa ta stresojë, edhe si dramë mungese, edhe si komunitet në lëvizje”, tha drejtorja artistike e Festivalit, Mirela Oktrova. Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Veton Surroi (shkrimtar dhe publicist – Kosovë), Dr. Cathy de Haan ( studjuese e filmit dhe komunikimit – Gjermani), Mevlan Shanaj (regjisor – Shqipëri), Diana Dobreva (aktore dhe regjisore – Bullgari), Agron Vula (regjisor dhe producent – Kosovë) , ndau këto çmime: Kupa Dea për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë u shkoi skenaristëve: Vardan Tozija për skenarin e filmit “Amok” (Maqedoni 2016); Kupa DEA për kamerën më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë iu akordua operatorëve Cevahir Sahin dhe Kursat Uresin për fotografinë e filmit “I ftohti i Kalandarit” (Turqi 2016);
Kupa DEA për aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë iu dha aktorit francez, Michel Blanc për filmin “Kujtime” (Francë 2014); Kupa Dea për regjinë më të mirë në filmin me metrazh të gjatë iu akordua regjisores gjermane Julia Kaiser për regjinë e filmit “Hanna-t” (Gjermani 2016); Kupa Dea për filmin më të mirë me metrazh të gjatë shkoi për filmin “I ftohti i Kalandarit“(Turqi 2016), të regjisorit Mustafa Kara. Dea Open Air International Film.
Organizatorët e festivalit duke e konsideruar afrimin e audiencave me filmin, si sfidë të Edicionit të Katërt të Dea Open Air, krahas promovimit të aktivitetit dhe produktit filmik në qytet dhe në media, Dea në bashkëpunim me Neptun Saranda organizoi dhe një lotari – me moton “Shiko një film – fito një televizor”, e cila mblidhte dhe vlerësimin e publikut për filmat, duke shërbyer si bazë për çmimin e publikut që shkoi për filmin “Jo Tani” (Federata Ruse 2016) të regjisorit Mikhail Dovzhenko. Meqë në gjininë e filmit të shkurtër konkurruan sivjet edhe 20 studentë, organizatorët e Festivalit kanë ngritur edhe një juri të përbërë nga studentë të Universitetit Mesdhetar i vlerësoi ato për të ndarë çmimin “Dea” për filmin më të mirë studentor.
“Këtë vit iniciativa e Universitetit Mesdhetar shkon përtej interesimit të studentëve të tij – për ta ndjekur, diskutuar dhe vlerësuar filmin. Sivjet Universiteti Mesdhetar ka shprehur gatishmërinë të mbështesë jo vetëm studentët e vet në rrugën e vështirë drejt filmit, po edhe studentët e filmit, në rrugën e vështirë të krijimit të tij, duke e shoqëruar Çmimin e Jurisë së Studentëve edhe me një mbështetje financiare prej 1000,-Eurosh”, tha Oktrova në fjalën e saj në ceremoninë gala të festivalit, ku çmimi i jurisë së studentëve iu akordua filmit “Kornizë “(Kosovë 2016) të regjisores kosovare Donjeta Hyseni. Ndërsa ka qenë një mbrëmje plot çmime, festivali në shenjë nderimi në “Dea homazh”, kujtoi veprën dhe ndau me publikun sekuenca përshpirtje për aktorin e kinematografisë shqiptare, Bujar Lako. “Dea” e mirënjohjes në fushën e kinemasë kujtoi edhe një emër tjetër, ku drejtori i festivalit, Edmond Topi vlerësoi pas vdekjes regjisorin Viktor Gjika, në nderim të një trashëgimie të pasur, prej 15 filmash artistikë me metrazh të gjatë dhe 25 dokumentarësh, që ka lënë pas.
Për të marrë pjesë në seksionet e Dea Open Air International Film Festival 2017 aplikuan rreth 2000 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër nga mbi 80 vende të botës. “Edicionin e katërt të DEA International Film Festival e mbështeti Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të cilat së bashku me Bashkinë e Sarandës krijuan atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i dhanë aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që aktivitetet e këtij lloji ofrojnë”, mbylli fjalën e saj Oktrova në këtë edicion të katërt të “Deas”, që zbuloi gjurmë nga jeta e njerëzve të harruar, dhe revolta të brendshme njerëzore ashtu si është “gjuha” e kinemasë, plot dhimbje dhe shpresë.
“Dea” për filmin e shkurtër
Juria e filmit të shkurtër, që ndoqi këtë konkurim, e përbërë nga: Natasha Lako (poete dhe skenariste); Ema Andrea (aktore) dhe Sokol Krasniqi (grafist) ndau këto çmime: Kupa DEA për Idenë më të Mirë (Çmimi i RTV 21) shkoi për filmin Polis Nea – Itali 2016, me regjisor Pierluigi Ferradini; Kupa DEA për Montazhin më të mirë iu dha Pascal Garrigue, për montazhin e filmit “Pema e qershisë”, Francë 2017; Kupa DEA për Regjinë më të mirë shkoi për Mathijs Geijskes, për filmin “Ngecur”, Holandë 2016; Kupa DEA për filmin e shkurtër më të mirë iu akordua filmit “Gjysëm njeriu”, me regji të Kristina Kumriç, Kroaci 2016
“Dea” e medias
Festival ndan tradicionalisht edhe çmimin e Medias, i cili i vlerëson filmat e të konkurrimeve nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik në formën e sensibilizimit të opinionit publik për çështje të rëndësishme të komunitetit. Juria e medias, përbërë sivjet nga: Astrit Idrizi (regjisor dhe producent), Violeta Murati dhe Shpresa Dine (gazetare), akordoi dy çmime: Çmimi special i Medias në Konkurrimin e Filmit të Shkurtër shkoi për filmin Duartrokitësi – Evelina Barsegian – Federata Ruse 2017; Çmimi special i Medias në konkurrimin e filmit me metrazh të gjatë shkoi për filmin “Endacakët” (Tjuvheder) – Suedi.