“U linda në një qytet të quajtur Pejë, pranë lumit, në Serbi (tash Kosovë)”, do të shkruante David Albahari pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Tekstin e tij “Godzilla në Kosovë” e kishte nisur, duke treguar se para pak kohësh kishte vdekur një mik i tij që e cilësonte poet të jashtëzakonshëm. Tregonte se kujtimi e ndjesia për të iu kthye kur dëgjoi se Kosova kishte shpallur Pavarësinë.
“U befasova kur ndjeva diçka të tillë. Gjithmonë kam menduar se edhe pse është vendlindja ime, Kosova nuk do të thotë asgjë për mua”, do të shkruante ai më tej në tekstin ku si shkrimtar i njohur tregonte se Serbia e kishte humbur Kosovën dhe duhej pranuar këtë fakt.
Por prej së dielës, bota e letrave ka humbur një prej shkrimtarëve të njohur jo veç në këto anë. I lindur në Kosovë, me prejardhje hebreje, i njohur si shkrimtar serb, David Albahari vdiq në moshën 75-vjeçare. Jeta e tij personale, por edhe krijimtaria janë njëfarë përshkruesi i zhvillimeve që kanë karakterizuar ish-Jugosllavinë. Përderisa familja e tij ka njoftuar se ai ka vdekur në Beograd, shkrimtarë e studiues kanë thënë se letërsia ka humbur një penë që pos që i dha shumë këtij arti qe edhe kundërshtar i politikave gjenocidale.
Pak pasi kishte kaluar të 20-tat, Albahari do të tregonte se është shkrimtar që nuk u takon provincave, megjithëse, pak muaj pas lindjes, familja e tij ishte zhvendosur në një provincë në Serbi. Përmbledhja me tregime “Koha e familjes”, u botua në vitin 1973 nga “Matica Srpska” në Novi Sad. Pesë vjet me vonë po ky institut botoi edhe romanin e parë të Albaharit “Gjyqtari Dimitrijeviq”. “Cing”, “Fytyra e vdekjes”, “Udhëtari i botës” e “Diaspora dhe të tjera” janë disa prej veprave të këtij shkrimtari.
Për përmbledhjen me tregime “Përshkrimi i vdekjes” mori çmimin “Andriq”. Romani “Mamac” mori çmimin e “Ninos” për romanin më të mirë në vitin 1996, si dhe Çmimin e Bibliotekës Kombëtare të Serbisë.
Në periudhën midis viteve 1973 dhe 1994, ai punoi në redaksitë e disa revistave dhe shtëpive botuese të Beogradit dhe Novi Sadit. Njihej edhe si përkthyes i zoti i shkrimtarëve amerikanë, britanikë, australianë dhe kanadezë, duke përfshirë Saul Bellow, Vladimir Nabokov, Margaret Atwood, Isaac Bashevis Singer dhe Thomas Pynchon. Ai gjithashtu përktheu tekstet dramatike të Sam Shepard, Caryl Churchill dhe Jason Sherman. Qe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, e po ashtu i PEN-Qendrës në Serbi.
Veprat e Albaharit bartnin me vete edhe mjegullat e Ballkanit, sidomos të ish-Jugosllavisë. Në vitet ’90 nuk e duronte qasjen e Sllobodan Millosheviqit. Kështu më 1994 do të linte Serbinë. Prej atëherë deri më 2012 do të jetonte në Calgary të Kanadasë, për tu kthyer prapë në Beograd.
Më 1990 asokohe “Rilindja” do të botonte përmbledhjen e Albaharit me tregime “Fytyra e vdekjes” të përkthyer nga akademik Eqrem Basha. E më pas më 2005 romani “Cing” do të botohej në shqip nga shtëpia botuese “Korbi” me përkthim të Virgjil Muçit. Pikërisht për këtë roman, pas vdekjes së Albaharit ka folur studiuesi e shkrimtari, Adil Olluri.
Olluri ka thënë se Ballkani do të jetë më i varfër shpirtërisht dhe kulturalisht pa David Albaharin. Ka treguar se para disa javësh ka lexuar romanin “Cing” “të shkrimtarit të rëndësishëm serb me prejardhje hebreje, David Albahari, i cili ka lindur në Kosovë, Pejë, për të cilën flet në këtë roman dhe rrëfimet e tij të tjera”. Këtë roman Olluri ia ka sugjeruar çdo lexuesi.
“‘Cing’ është përbotshëm një nga romanet më të bukura të letërsisë me temë familjare, ku në qendër të rrëfimit është raporti i të birit me babanë e tij. Ky raport kundrohet në dy rrafshe, së pari me babanë e gjallë, së dyti me babanë e vdekur. Është një rrëfim për praninë dhe mungesën, të trajtuar në mënyrë meditative përmes prozës artistike. Një roman për praninë e përjetshme dhe mungesën lënduese që shndërrohet në një prani të përhershme përmes kujtimeve, mendimeve dhe rrëfimeve retrospektive të situatave të raportit të birit me të atin”, ka shkruar Olluri në Facebok.
Filozofi e shkrimtari boshnjak, Pregrad Finci, ka thënë se Albaharin e kishte takuar vonë dhe gjithnjë pyet veten përse ai takim nuk ka ndodhur më herët.
“Ajo që më pëlqente më shumë tek ai ishte zgjuarsia e tij, sensi i tij i shkëlqyer i humorit, që ishte qëndrimi i tij ndaj botës dhe jetës. Prandaj ai dinte të shkruante tekste shumë të errëta, mund të tregonte se çfarë ishte errësira e një epoke, çfarë ishte shkatërrimi, çfarë ishte Holokausti dhe falë vullnetit të tij të mirë mundi të jetonte me një sëmundje të rëndë për vite me radhë”, ka shkruar Finci pas vdekjes së Albaharit. Ka thënë se kur t’i qetësohen ndjenjat, do të mund të shkruajë tekstin që meriton jeta dhe vepra e David Albaharit.
“Vetëm atëherë do të mund t'i them lamtumirë siç duhet. Dhe kurrë nuk do të mund t'i them lamtumirë”, ka shkruar ai.
E shkrimtari boshnjak ka thënë se me vdekjen e Albaharit, “një pjesë e madhe prej nesh është larguar me të”.
“Kjo nuk është një ekzagjerim, as veçanërisht sentimental. Kështu është”, ka shkruar Jergoviq në Facebook.
Veprat e Albaharit janë të përkthyera në më shumë se 20 gjuhë. Në tekstin e tij pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës fliste për mundësinë e “kthimit të Godzillas – përbindësh i trilluar në botën e kinematogrfisë – në Pejë”. Do të citonte poezinë e mikut që nuk ia përmend emrin.
“Kur të mbarojë festa e humbjes së parë dhe të vetme serbe / do të lindë një vëlla më i mirë (ballkanik)”, citonte nga poezia e titulluar “Horoskopi”. Dhe në këtë rast e “përkthente” atë.
“E dija se çfarë donte të thoshte: përderisa lavdërohet disfata historike serbe, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Nuk është çudi që nacionalistët e kritikuan poezinë e tij kur u botua në Beograd në vitet 1970. Dhe sot ai ndoshta do të shihej si një tradhtar i kombit të tij...”, shkruante Albahari. Aty tregonte edhe për vitin 1989 kur në Cambridge të Britanisë së Madhe në një rreth intelektualësh ishte parashikuar fundi i ish-Jugosllavisë.
Albahari vazhdimisht ka qenë kundër përçarjeve midis popujve. Derisa kishte marrë pjesë në një konferencë të titulluar “Kufijtë dhe trashëgimia administrative” në Lubjanë më 2016 ai kishte dhënë një intervistë për shkrimtaren, eseisten e antropologen maqedonase, Natasha Sardzoska.
Albahari kishte thënë se kufiri është diçka që nuk mund të ekzistojë domosdoshmërisht fizikisht, por gjithsesi mund të ekzistojë te çdo individ si një marrëdhënie personale me botën përreth. “Personalisht kam pasur gjithmonë frikë nga kufijtë. Edhe pse sot kufijtë nuk ekzistojnë në Bashkimin Evropian, unë ende i ndiej ata, sepse e di se ka pasur kufij të vërtetë vite më parë. Nga ana tjetër, kur udhëtoj në vendet e ish-Jugosllavisë nuk ndjej kufij, sepse të paktën në jetën time nuk ka pasur kurrë kufij atje”, kishte thënë ai më 2016. Kufijtë i shihte si një pasqyrim të një realiteti historik.
“Për mua, çdo takim me persona me uniformë është një përvojë e tmerrshme, sepse nuk ndihem rehat kur jam me persona me uniformë, sepse ato pasqyrojnë simbole të pushtetit dhe për shkak se ata kanë fuqinë vendimmarrëse për të vendosur për ju, ata mund të ndikojnë në jetën tuaj”, kishte thënë ai. Janë pikërisht uniformat, ato që kanë shkaktuar luftërat e viteve ’90 në ish-Jugosllavi, duke çuar në vrasjen e mijëra vetave. E Albahari nuk e duronte këtë. Druante në kthimin e dhunës. E sidomos në kthimin e dhunës në Kosovë, siç e tregonte në tekstin e tij “Godzilla në Kosovë”.