Podiumi i “Chopin Piano Fest” u është dedikuar krejtësisht të rinjve në ngjarjen e nëntë me radhë në kuadër të edicionit të sivjetmë. Kanë qenë pikërisht ata, nga tetë shkolla të muzikës në vend, që e kanë shpërfaqur talentin në “Eduweek”. Njashtu edhe kanë dhënë shenja të së ardhmes së muzikës klasike në Kosovë.
Maratona pianistike ka shpalosur programin e larmishëm, me të cilin e ka mbajtur publikun të lidhur me krejt zhvillimet e situatat që janë ngritur me anë të instrumentit. Veprat e përzgjedhura nga nxënësit e pianos kanë qenë njëfarë dëshmie për shijet e përafërta të tyre.
Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka nisur loja që në mesditë me studentët e shkollës “Lorenc Antoni” në Prizren. Është dëshmuar për shpërfaqje të talentëve qysh në fillim kur Aurel Delhysa dhe Riola Susuri kanë interpretuar “Chopsticks” për katër duar. Ky i pari ka luajtur po ashtu “Maple Leaf Rag” të amerikanit Scott Joplin, ndërsa Riola Susuri ka luajtur “Etude op.72 no.9” të gjermanit Moritz Moszkowski. Më tej, Antea Gashi ka luajtur Valsin e polakut Frederic Chopin, sikurse edhe Hira Mashkulli. Antea Gashi ka luajtur edhe “Bukuroshja e fjetur” të rusit Tchaikovsky bashkë me Aurora Ahmetaj. Veprën “Dance of the Sugar Plum Fairy” të po këtij kompozitori e ka luajtur Isra Ramdom bashkë me Riola Susurim e Eda Vlla֛ço ka luajtur “Etude op.25 no.12” të Chopin.
Në këtë pjesë është paraqitur edhe shkolla e muzikës “Halit Kasapolli” nga Peja që ka nisur me “Momente gëzimi” të Simon Gjonit e interpretuar prej Erti Shala. Elita Shala është paraqitur me “Etude op.39 no.2” të amerikanit Edward MacDowell. Midis tjerësh kanë interpretuar edhe Xhesika Pepaj e Eliza Kurtaj.
Pjesa tjetër ka qenë e rezervuar për shkollën “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Hera Mehmeti me “Le petit negre” të francezit Claude Debussy ka sjellë harmoni e dinamikë të kombinuar. Era Mehmeti më pas ka interpretuar pjesën e famshme “Alla Turka” të austriakut Wolfgang Amadeus Mozart. Tingujt e lehtë e të shpeshtë që papritmas buçasin e kanë ndërtuar interpretimin e pianistes së re. Ka qenë interpretim intensiv derisa ka mbajtur ritmin me një dorë e me tjetrën ka luajtur lojën temperamente.
Art Jashari ka sjellë “Vals në a-mol” të austriakut Franz Schubert, ndërsa Unika dhe Jetika Pllana kanë luajtur “Greensleeve” të amerikanit Mark Rober. Profesoresha Endi Abrashi nga kjo shkollë është shprehur e kënaqur me rezultatet e nxënësve në skenë. “Jam shumë e kënaqur me interpretimet e nxënësve. Prej tyre të gjithë kanë qenë pjesëmarrës më parë në këtë Festival. Shpresojmë që t’i shohim edhe në festivale jashtë vendit”, ka thënë ajo.
Nxënësit e shkollës “Faik Sylka” nga Rahoveci kanë shpalosur po ashtu shkathtësitë në interpretimin në piano. Eliza Duli ka interpretuar pjesën “Fur Elise” të gjermanit Ludwig van Beethoven. Shumica e pjesëmarrësve në këtë koncert kanë interpretuar edhe në edicionet e kaluara, sikurse edhe Eliza Duli. Për të, vepra që ka interpretuar është më e dashura. “Vepra që kam luajtur më pëlqen shumë pasi është edhe dedikim për Elizën. Veprën e luaj shpesh dhe më pëlqen më së shumti. Kam ushtruar çdo ditë për këtë koncert. Gjithmonë kam dashur që kur të rritem të bëhen këngëtare dhe pianiste shumë e suksesshme. Pianoja është shumë e dashur për mua”, ka thënë 10-vjeçarja. Melos Bytyqi ka interpretuar “Alla turka” të Mozartit.
Nga shkolla “Prenk Jakova” në Gjakovë e para ka ngjitur në skenë Tea Rudi që ka luajtur veprën “Menuet” të austriakut Joseph Haydn. Ka qenë dinamike e përzier me tinguj të butë që dominohen prej atyre më të rëndë. Sa shkrihen në një, shpërbëhen prapë në krijimin e një teme krejt tjetër në fund. Ka luajtur edhe veprën “Shqetësimi” të Friedrih Burgmyler.
Me interpretim goxha intensiv është paraqitur Lian Juniku të ‘Etude op.72 no.6” të Moskowskit pas të cilit kanë performuar disa kolegë të tij.
Sonata e Beethoven e interpretuar prej Genta Zorra ka qenë interpretim dramatik me tendencë për t’u zbutur, por se është rishfaqur në intervale të herë pas hershme. Sara Shehu ka interpretuar “Grand Valtz” të Chopin që është karakterizuar me tinguj të tonit të lartë që vijnë papritur. Ndërsa Buna Morina ka luajtur veprën tjetër të këtij kompozitori – “Impromty fantastike”. Ka qenë pjesë e ndjeshme në fillim që më tej është zhvilluar pa paralajmërim dhe është zhytur në ritëm dinamik.
Interpretimi i Ana Hazirit nga shkolla e muzikës në Gjilan të pjesës “Etude no.105” të Burgmuller ka qenë interpretim vazhdimisht i njëjtë. “Etude” të Sibelius e ka sjellë Fis Latifi nga kjo shkollë me dinamizëm maksimal që ashtu vazhdon deri në fund.
Nga shkolla “Çesk Zadeja” në Ferizaj kanë interpretuar Dorela Lami me “Sonatina” të Mozart, Suela Latifi me “Sonatina të kompozitorit Clementi, Elsa Luzha me rimën e së famshmes “Carmen” të francezit Georges Bizet.
Krejt mbrëmja dhe maratona pianistike është përmbyllur me nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Noa Cana ka vënë theksin te ndjeshmëria e veprës “Këngë pa fjalë op.19 no.2” të Mendelsson, sikurse edhe Luisa Hoxha me “Baladë” të Simon Gjonit. Nis me interpretimin e shpejtë që sa shkon e ulet. Tomor Shala ka luajtur “Solfeggio” të Bachut. Vepra ka nisur me pjesën dinamike në njërën anë derisa zhvillohet ngjarja tjetër më e qetë. Nita Kaçi ka luajtur “Trantela op.77 no.6” të Mozskowsky ndërsa Amela Elezi ka luajtur “Malaguena” të kubanit Ernesto Lecuona. Ka qenë seri e pjesëve që përsëriten vazhdimisht për të nisur një tjetër që veçse ishte ndërprerë më parë, por se toni rritet vazhdimisht.
Pjesa që ka luajtur Yll Haliti ka qenë goxha e veçantë. “Prelude gis-mol op.32” e rusit Sergei Rachmaninoff ka filluar me tingujt që burojnë nga një pikë e ulët deri tek ajo e lartë. Përsëriten herë pas here derisa vijon interpretimi me nota të shpeshta. Midis të tjerësh, Marigona Hamiti ka luajtur “Sonata patetike” të Beethovenit në kohën e dytë. Interpretimi i saj fillon lehtë dhe sa shkon e gjallërohet duke u përshpejtuar tej mase. Ndonëse ndërpritet, situatën e tillë e vazhdojnë tingujt tensionues. Lentiana Lutaj ka luajtur “Prelude cis-mol” të rusit Rachmaninoff. Ka qenë interpretim temperament ndërsa ai i Jona Pireva në veprën po të Rachmaninoff – “Prelude g-mol op.23, no.5” ka qenë lojë goxha dinamike me ritme që përsëriten dhe vijnë si seri prej fillimit, por që hapin tema të reja.
Në fund krejt ka interpretuar pianistja e re Klaudia Gjini nga Durrësi. Para të pranishmëve ka luajtur mjeshtërisht “Sonata op.2 no.3” të Beethoven dhe “Caprice Espanol të Moszkoëski. Ajo është fituese e çmimin të “Chopin Fest” në Shqipëri ndërsa në Kosovë ka marrë pjesë në garat “Ars Kosova” dhe “Pianisti i Ri”.
Ka thënë se e ka shijuar mjaft shumë interpretimin e saj në skenën e “Chopin Piano Fest” pasi edhe veprat janë të dashura për të.
“Repertorin e kam zgjedhur rastësisht, por janë dy kompozitorë që i adhuroj shumë. E kam zgjedhur sonatën e Beethovenit, sepse më pëlqejnë dinamikat e ngjyrave sesi ndryshojnë dhe ndërtimi i veprave. Ndërsa Moszkowski është një kompozitor tjetër, që më pëlqejnë pjesët e tij, ritmi dhe çdo gjë rreth tij’, është shprehur pianistja 16-vjeçare.
Drejtoresha artistike e Festivalit, profesoresha Lejla Pula, ka vlerësuar se hapësira që u është dhënë nxënësve të muzikës është motivim për ta për të vazhduar drejt profesionit dhe ka vlerësuar se në vend ka talentë që do të jenë e ardhmja e muzikës klasike në vend. “Mendoj se ka dhe duhet të kemi besim në këtë. Sivjet kam vërejtur ardhje të madhe të prindërve dhe përkrahje të tyre. Ka shumë talente, na duhet patjetër t’u tregojmë rrugën drejt së ardhmes, sepse ata duhet të dinë se këtu në Kosovë respektohet profesioni i tyre dhe se ka perspektivë. Muzika klasike është diçka që lidhet me emocionet, me një entuziazëm shumë të madh dhe dashurinë ndaj saj”, ka thënë Pula.
Drejtoresha organizative e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha ka thënë se qëllimi i këtij organizimi ka qenë që përmes paraqitjeve të nxënësve nga shkolla të ndryshme, mund të hetohet gjendja pedagogjike pianistike. “Me idenë se si mësimdhënës ka gjithmonë hapësirë për përmirësim e zhvillim, për ta shikuar një perspektivë tjetër. Ka shumë gjëra që janë me rëndësi t’i diskutojmë si profesorë për shkak se fëmijëve nganjëherë u jepen vepra më të vështira sesa që munden ata t’i kapërthejnë në kuptimin artistik, t’i përjetojnë së pari. Mandej edhe në aspektin teknik”, ka vlerësuar profesoresha Luzha.
Koncerti ka qenë veç njëri organizim prej “Eduweek” të Festivalit. Në kuadër të javës edukative do të organizohet edhe gara, sikurse edhe “Skena Juvenis” me studentë të Universitetit të Prishtinës.
“Eduweek” synon të ngrejë dhe mbështesë muzikantët e rinj klasikë, nga ata që ndjekin shkollat fillore të muzikës deri te studentët e nivelit universitar, duke ofruar një platformë për të shfaqur talentin e tyre. Objektivi kryesor i programit është të inkurajojë dhe motivojë muzikantët e rinj që të ndjekin zhvillimin e tyre profesional në fushën e muzikës klasike. Një nga aspektet më frymëzuese të programit është mundësia që u ofron muzikantëve të rinj për të ndarë të njëjtën skenë me artistë të njohur botërorë, gjë që mund të shërbejë si burim frymëzimi dhe motivimi për ta.