Kulturë

Burbuqe Berisha – regjisorja për të cilën arti ishte luftë për ndryshim

Emri i saj është i pakapërcyeshëm kur flitet për jetën kulturore në vend. Pos krijimtarisë artistike, Burbuqe Berisha ishte edhe një urë lidhëse midis artistëve e gjeneratave që merren me film e teatër. Por u bë edhe urë lidhëse midis regjisë dhe grave. Për të regjia nuk ishte vetëm “përkufizim i së bukurës, pasqyrim i imagjinatës e i realitetit jetësor”. “Një luftë ndryshe për të bartur mesazhin për ndryshime, një harmonizim konceptesh”, do të thoshte ajo

Në film bashkonte copëza dramash jetësore. Në teatër po ashtu nxirrte në skenë rrëfime individuale e kolektive që përballnin fate të ndryshme njerëzore. Përtej kësaj, ka udhëhequr e bashkëdrejtuar institucione kulturore të nivelit nacional. Për shumë vjet ishte mësimdhënëse në nivel universitar. E vdekja e regjisores së teatrit dhe filmit, Burbuqe Berisha, ka lënë disa boshllëqe. Ajo vdiq të mërkurën në moshën 51-vjeçare. Pos krijimtarisë artistike, ishte edhe një urë lidhëse midis artistëve e gjeneratave që merren me film e teatër. Por u bë edhe urë lidhëse midis regjisë dhe grave. Kolegët e kujtojnë si regjisoren e parë. Para saj, në këto anë, regjia ishte punë e burrave.

Bartëse e jetës kulturore

Lajmi për vdekjen e Berishës në mesditën e së mërkurës ka tronditur botën kulturore të vendit. Vdiq në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ku kishte shkuar për takime pune në kuadër të koncertit inaugurues të Operës së Kosovës. Në këtë projekt ishte regjisore. Kolegët e dinin se për shumë vjet vuante nga një sëmundje jo e lehtë. Por Berisha nuk e kishte të lehtë as jetën e mëhershme.

Regjisorja Berisha u lind në Shkup, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prishtinë. Si fëmijë do të përjetonte burgosjen e të atit për arsye politike, do të jetonte larg tij për shumë vjet. Në moshë të re kishte humbur nënën. Studimet për regji filmi dhe teatri i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ajo ka qenë drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës për një mandat katërvjeçar dhe anëtare e Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Po ashtu ishte anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës e të ansamblit “Shota”. Në karrierën e saj ishte po ashtu menaxhere në Kino ABC dhe ka qenë pro-dekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB. Atje ishte edhe bashkëthemeluese e Degës së dramës.

Në krijimtarinë artistike, ndër të tjera, bëjnë pjesë produksionet televizive: “Lexi në qytet”, “Ashensori”, “Suxhuk Open”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000”, “Diçka po zihet”, “Gratë” dhe “Çelësi”.

Nga filmat e saj dokumentarë shquhen: “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, “Të rritur në rrugë”, “Kinematë” e të tjerë. Ka bërë disa shfaqje teatrore, prej të cilave veçohen: “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, “Darka private” “Bryma e vdekjes” e “Bretkosat”. Regjisorja e ndjerë ka qenë fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar dhe në vitin 2019 ishte fituese e çmimit kombëtar për kinematografi, për filmin ”Një tregim Prishtine”.

Shembull i përkushtimit

Në vitet ’90, pasi kishte përfunduar shkollën e mesme, Berisha do të niste studimet në Fakultetin e Filologjisë. Ishte përcaktuar për orientalistikë. Por vazhdimisht ngacmohej nga teatri e filmi. Asokohe në Kosovë nuk prodhohej shumë. Shqiptarët jetonin në një lloj shteti paralel, pasi dhuna serbe kishte kapluar institucionet. Burbuqe Berisha, që në komunitetin artistik njihej si Buqja, do të ndërronte mendje sa u përket studimeve. Regjisori i teatrit e profesori universitar, Agim Selimi, të mërkurën ka kujtuar se për herë të parë Berishën do ta takonte në vitin 1997 pas një premiere teatri.

“Më tregoi që është studente e Fakultetit të Filologjisë dhe tha se kishte një pasion shumë të madh për teatrin. Në njëfarë mënyrE e inkurajova që ta studionte regjinë”, ka kujtuar ai. Më pas, pas çlirimit të Kosovës, më 1999, Selimi do ta takonte prapë Berishën. Por tashmë si studente të regjisë së filmit dhe teatrit, pasi asokohe ky drejtim ekzistonte në Fakultetin e Arteve. Dy vjet studiohej regjia e filmit dhe dy të tjerë ajo e teatrit.

“Si studente dhe regjisore ka qenë njeri që ka punuar dhe kurrë nuk është ekspozuar. Gjithnjë ka qenë në angazhime, qoftë në regji apo në udhëheqje të institucioneve. Ishte shembull i përkushtimit”, ka thënë Selimi. Përkushtimin e saj e ka ilustruar edhe me një shembull: Përderisa ishin bashkë në jurinë e një festivali të komedisë në Mitrovicë, ajo shikonte shfaqjet e në pjesën tjetër të kohës shkonte në dializë. “Kishte raste kur me telefon na i ka dhënë mendimet e saj nga spitali”, ka kujtuar Selimi.

Frymëzuesja e grave

Pos angazhimit të pandërprerë, Burbuqe Berisha, me apo pa dijeni, ia kishte mësyrë një profesioni, që deri në kohën e saj zor ta ketë ushtruar kush. Të paktën sipas kolegëve të saj.

Regjisorja Zana Hoxha ka kujtuar se para dy dekadash do të njihej me Berishën në Fakultetin e Arteve. Hoxha si e re dhe ambicioze për t’i hyrë botës së artit e Berisha si asistente e profesorit të regjisë së filmit, Isa Qosja.

“Ishte hera e parë që pashë një regjisore e cila merrej me secilin aspekt të organizimit e mësimit. Para se të vinte Buqja në atë pozitë, regjia është konsideruar si punë e burrave”, ka kujtuar Hoxha. Ka thënë disa herë se Berisha i ka dashur shumë filmin dhe teatrin. Përtej kësaj, ajo do të bëhej inkurajuese e grave që të merren me regji.

“Gjithmonë ka thënë se duhet të ketë më shumë regjisore. E ka shtruar rrugën për shumë regjisore që janë aktive në teatër e film. Ishte promotore e madhe e grave”, ka thënë Hoxha. E ka vlerësuar lart faktin se Berisha ishte një durimtare e madhe. Ka thënë se ajo ka besuar që durimi i zgjidh gjërat.

Takimi që nuk ndodhi kurrë

Me durim Berishën po e prisnin të mërkurën në një prej kafehaneve të Prishtinës edhe koleget e mikeshat, aktorja Arbnesha Graboci-Nixha e piktorja Zake Prelvukaj. Berisha u kishte thënë se do ta përfundonte takimin në Ministrinë e Kulturës dhe do të piqeshin për kafe.

“Por nuk erdhi kurrë...”, ka thënë piktorja Prelvukaj. Ajo ka thënë ta kujtojë Berishën si kolege, artiste, shoqe të shtëpisë e si qytetare. “Buqen e kujtoj pak më ndryshe se të tjerët. Kemi humbur shumë”, ka thënë Prelvukaj. E ka përmendur disa herë faktin se me krejt problemet shëndetësore, Berisha nuk i është ndarë punës deri në momentet e fundit.

“Dhe vdiq në shtëpinë e vet. Në shtëpinë e kulturës”, ka thënë Prelvukaj. E ka përshkruar si një artiste që nuk u takonte vetëm përmasave kombëtare, por edhe atyre ndërkombëtare. Sipas saj, Berisha ka bashkëpunuar me artistë profesionistë e të mirëfilltë.

“Ka qenë një grua që e ka pasur jetën shumë të vështirë. Babën e ka pasur në burg me vite dhe fëmijët janë rritur vetëm. E ka mbajtur gjallë teatrin ‘Faruk Begolli’. Të gjithë jemi munduar që ta shpëtojmë Buqen, por nuk ia dolëm”, ka thënë ajo.

Si lajm që e ka shokuar krejt komunitetin artistik, vdekjen e Berishës e ka konsideruar aktorja Arbnesha Grabovci-Nixha. Ka thënë të jetë hidhëruar me vdekjen e saj, pasi bashkë kishin plane për shumë shfaqje e filma.

“Nuk e kishte kohën të ikte, por të krijonte edhe më shumë. Ka qenë urë lidhëse e krejt komunitetit. Nëse ishte një pasardhëse e Faruk Begollit, që ka lidhur ndër vete komunitetin artistik, ajo ishte Burbuqe Berisha”, ka thënë ajo. Sipas Grabovci-Nixhës, nuk ka ndonjë pjesë të karrierës së saj ku nuk bën pjesë edhe Berisha.

“Është e papërsëritshme. Humbja e saj do të lërë boshllëk të madh. Kemi ndarë të mirën e të keqen bashkë. Nuk e di si do ta nisi ditën profesionale e private pa të. Më ka goditur shumë”, ka thënë Grabovci-Nixha.

Humbje për artin dhe shoqërinë

Vdekjen e Burbuqe Berishës e kanë konsideruar si një humbje të madhe për artin dhe kulturën edhe udhëheqës e ish-udhëheqës institucionesh.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar në Facebook se vdekja e hershme e Buqes, sikur njihet ndër qarqet artistike, është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës.

“Ajo përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi”, ka shkruar Osmani. Sipas saj, puna e Berishës si regjisore në Teatrin Kombëtar, në teatrin "Faruk Begolli", por edhe në teatro të tjera, mbetet vulë e fuqishme në zhvillimin e teatrit, por edhe të jetës kulturore përgjithësisht.

“Krahas punës në teatër, Buqja ka dhënë kontribut të theksuar në edukimin e brezave të rinj, duke qenë pedagoge e respektuar. Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike”, ka përfunduar Osmani.

Ministria e Kulturës po ashtu nëpërmjet Facebookut, pos lajmit për vdekjen e saj, ka përmendur se Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar. Ka përmendur faktin se Berisha në vitin 2019 mori Çmimin kombëtar për kinematografi. Janë përmendur vendet e punës ku ka dhënë kontribut e po ashtu edhe angazhimin e saj të fundit si pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shkruar në Facebook se vdekja e Berishës ishte një lajm i trishtë.

“Burbuqe Berisha iku para kohe. La pas një krijimtari të pasur filmike e teatrore. Ishte personalitet i veçantë i kulturës. Frymën e fundit e dha në Ministrinë e Kulturës. Kishte ardhur për punët përgatitore të koncertit të Operës, po e bënte regjinë e koncertit”, ka shkruar ai derisa u ka shprehur ngushëllime familjes, komunitetit artistik dhe të gjithë shoqërisë”, ka shkruar ai.

Ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, tash kryetar i PDK-së, ka shkruar në Facebook se Berisha u dha shumë teatrit e kinematografisë kosovare, si regjisore e si profesoreshë. Ka shkruar se ajo ishte një profesioniste shembull dhe një punëtore e madhe.

“Por, mbi të gjitha, ajo ishte një mike e sinqertë dhe e dashur me të gjithë. Kisha fatin e madh të bashkëpunoja gjatë me të, në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i zhvilluar teatrin e kinematografinë dhe për ta dërguar artin tonë në skenat e mëdha botërore. Shumë suksese të Kosovës e mbajnë edhe emrin e punën e saj”, ka shkruar Krasniqi. Ka shtuar se Buqja la pas një trashëgimi të madhe artistike në teatër e film.

Ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, njëherësh edhe mike e Berishës, në Facebook ka shkruar se regjisorja që u dha jetë kulturës e artit kosovar, iku heshturazi nga kjo botë. Ka thënë se si ministre e Kulturës nderohej me punën e Buqes.

“Kolegët, miqtë e gjithë shoqëria mburreshin me sjelljen e motivin që kishte për skenën e artin në përgjithësi. Në momentet më të vështira të shpirtit të saj, ajo ndërroi jetë në vendin që e deshi aq shumë, në Ministrinë e Kulturës”, ka shkruar Dumoshi. Ka përmendur se përtej kornizave të punës, Buqen e kishte mike të madhe që i jepte një tjetër jehonë shoqërisë.

Kur bëhet fjalë për shoqërinë, Burbuqe Berisha regjinë e shihte si përkufizim të së bukurës. Por edhe si një tjetër mjet.

“Një luftë ndryshe për të bartur mesazhin për ndryshime”, do të shkruante ajo në rubrikën “Shtatë shkronjat” te “E diela me Koha Ditore” në nëntor të vitit 2015. “Regjia si përkufizim i së bukurës, pasqyrim i imagjinatës e i realitetit jetësor…Një luftë ndryshe për të bartur mesazhin për ndryshime, një harmonizim konceptesh. Më vjen keq kur regjia keqpërdoret. E shembuj ka me bollëk”.