Në posterin e operës “Bovary” me libret të Michael De Cock, muzikë të Harold Noben, bazuar në romanin “Madame Bovary” të Gustave Flauberit, te kasta e solistëve, emri Ana Naqe është në krye të listës. Ajo është sopranoja e njohur shqiptare për të cilën roli në skenën prestigjioze të Teatrit Mbretëror “La Monnaie” në Bruksel, nuk është vetëm i radhës. “Ishte një ëndërr për mua që u bë realitet dhe një operë e tillë, një monolog i gjatë e i stërgjatë prej dy orësh e njëzet minutash që unë e këndoj vetëm”, ka thënë Naqe. Kritika për rolin e saj kanë vërshuar mediat, e Naqe sonte (e mërkurë) do të aterrojë në skenën e edicionit të 15-të të “Chopin Piano Festit” në Prishtinë
Roli në një shfaqje operistike, për një artiste mund të jetë i radhës, por për sopranon shqiptare Ana Naqe, ai që pati në operën “Bovary” në Bruksel, ka një tjetër peshë jo vetëm për faktin e privilegjit dhe besimit si bartëse e shfaqjes. Është një ëndërr e bërë realitet dha ka arsye për këtë.
E lindur në Fier, kaherë shquhet për zë të fuqishëm dhe prezencë skenike pasionante e të zjarrtë. Ndonëse me të shkuar në Belgjikë si 13-vjeçare, ajo vendosi t’i fillojë studimet njëkohësisht për violinë dhe kanto, violina kaloi në plan të dytë kur gjithë kohën dhe energjinë ia kushtoi këndimit. Pjesa tjetër është histori e rrugëtim në botën e artit. “Bovary” është një kthesë në karrierën e saj.
Si Emma Bovary, në skenë ajo është një grua e thjeshtë që është e etur për bukuri e pasion dhe për të jetuar një jetë të klasës të lartë borgjeze. Në Bruksel, me muzikë të kompozitorit belg, Harold Noben, organizuar nga Brussels Monnaie, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Katalonisë, në javën e tretë të prillit është dhënë shfaqja operistike “Bovary”, e cila i ka qëndruar pjesërisht besnike romanit të Flaubertit, duke qenë se pjesa e fundit e operës është krijim i libretistit që ka bërë tekstin, Michael De Cock.
Libretisti Cock e ka përmbledhur librin e Flaubertit në trembëdhjetë skena dhe ka shtuar një histori në pjesën e fundit të operës, ku ka shkruar për personazhin e të bijës së Emma Bovaryt, që quhet Berthe. Meqë në romanin origjinal nuk është përmendur dhe as shpjeguar pothuajse aspak ajo, në operë është bërë një epilog dhe një arie e plotë që e luan Bertha, pasi Emma Bovary vdes.
Sipas kritikës, Bertha, e luajtur me një mjeshtëri përmes ngjyrave të zërit nga mezosopranoja Blandine Coulon, është një nimfë që e vrojton mizërinë në të cilën ka rënë nëna e saj dhe mundohet me mish e me shpirt ta ngrejë zërin ndaj padrejtësive.
Një thurje melodish për mbi dy orë, Ana Naqe e përshkruan pjesën e saj si një ëndërr të bërë realitet dhe pjesën e Berthas si të shkurtër, por të fuqishme, me zë feminist dhe me ngjyrë të pastër qortuese.
“Ishte një ëndërr për mua që u bë realitet dhe një operë e tillë, një monolog i gjatë e i stërgjatë prej dy orësh e njëzet minutash që unë e këndoj vetëm, dhe në fund fare është Bertha që këndon një arie të vogël në këtë pjesë, duke ‘vajtuar’ se ‘ju e vratë mamanë time, me gjithë paragjykimet tuaja, e me gjithë antifeminizmin tuaj’”, ka thënë Naqe në një përgjigje për KOHËN.
Kompozitori belg Noben, që është drejtuesi kryesor, e ka marrë përsipër këtë operë të Teatrit Mbretëror “La Monnaie” me traditë prej vitit 1700 – që këtë vit e ka fituar edhe çmimin për shtëpinë më të mirë operistike në të gjithë botën – një nga teatrot më të rëndësishëm në Evropë, para se ta kompozonte operën ka marrë një komision, një shumë pagese që të kërkojë një krijim dhe kështu ka nisur misioni për ta gjetur Ana Naqen. Pas dy takimesh për të parë se çfarë karakteristikash ka anëtarja kryesore e projektit që po synohej të realizohej, sa lart mund të këndojë e çfarë ngjyrash të zërit ka, ai ka shkuar për ta përcjellë e dëgjuar edhe në pjesë të ndryshme që ajo kishte kënduar, për shembull, rolin e Madama Butterfly, që e pati kënduar në Operën e Antwerpit dhe të Gentit, si dhe në rolin e Lady Makbethit në Gjermani, dhe në bazë të këtyre që kishte dëgjuar, kishte menduar ta përshtatë zërin e saj. Sepse, sipas sopranos shqiptare, është e rëndësishme që një aktore të jetë jo vetëm e bukur dhe të ketë melodi, por edhe të jetë e këndueshme, të jetë e përshtatshme për atë zë që do ta këndojë.
“Ky ishte një bashkëpunim fantastik. Opera është një zhanër shumë i vështirë, kështu që ai bëri një punë fantastike dhe pasi e krijoi këtë operë për zërin tim dhe duke bërë prova prej gjashtë javësh me dirigjentin, me të gjithë ekipin, folëm se si mund t’i trajtojmë ngjyrat edhe më bukur, si ta bëjmë këtë gjë sa më bukur, sa me më larmi dhe ‘me ngjyra ylberi’”, ka thënë ajo.
Për artisten është privilegj i madh pjesëmarrja në këtë operë, duke treguar se qysh moti ka dëgjuar për personazhin dhe se sa mirë e njeh edhe autorin e romanit.
“Për mua ishte një ëndërr, sepse ‘Bovaryn’ unë e kam lexuar kur isha e vogël, babi ma ka dhënë këtë libër që në fëmijëri... si shumë njerëz të tjerë në Shqipëri që e kanë lexuar, e njohim shumë mirë, është një nga personazhet më të rëndësishme të literaturës franceze, siç është Shakespearei në Angli”, ka thënë sopranoja.

Sa e vështirë, aq e ëmbël ishte për të kjo pjesë, të cilën ajo konsideron se “pak a shumë ia ka arritur” dhe se “ishte një gëzim shumë i madh që ia ka arritur”.
“Ishte jo e lehtë, por ishte një sfidë shumë e bukur, jo vetëm për teknikën, jo vetëm për temën e rëndë që si Emma që ka nevojë për një thellim, një dramë, një shpresë femërore, një forcë që nuk vdes kurrë prej saj, por të gjitha anët e tjera, fragjiliteti, dashuria, pasioni, çdo gjë e bukur që na lidh me dashurinë... këto karakteristika ishin shumë të rëndësishme”, ka shtuar ajo më tej.
Kanë qenë kritikët më të mëdhenj të operës, si për shembull ai i gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, që ka shkruar për shfaqjen dhe për paraqitjen e Anës, e cila e “mbante mbi supe” mbrëmjen.
“Sopranoja belgo-shqiptare Ana Naqe sjell një spektër elementesh dramatike dhe lirike në rolin e Emmas. S’kishte tjetër dalje, sepse, përveç disa ndërhyrjeve të imëta nga Oleg Volkov, në rolin e Charles dhe Blandine Coulon si Bertha, ajo është dashur ta mbajë mbi supe mbrëmjen pothuajse krejt e vetme”, shkruan në uebfaqen e gazetës prestigjioze.
Për të kanë shkruar edhe të tjerë kritikë operash që kanë zgjedhur fjalët më të bukura dhe Naqe tregon se është shumë e lumtur që u ka pëlqyer.
“Sepse është një vepër e re dhe ne kemi nevojë për vepra të reja dhe për role kryesore të femrave, sidomos për feministe, që t’i japim shembull të mirë në kohët e sotme, sepse kjo temë është gjithsesi shumë aktuale kudo, në të gjitha kulturat, kudo midis nesh, midis nënave dhe familjeve tona dhe na prek”, ka thënë ajo.
Kjo paraqitje përfaqësuese, në njëfarë mënyre, edhe e Shqipërisë dhe e shqiptarëve është shumë e rëndësishme për sopranon, teksa tregon se gjithmonë ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë stoike ndaj stigmatizimit të shqiptarëve.
“Për mua është shumë e rëndësishme, ka qenë gjithmonë, kam ikur në moshë të vogël në emigrim dhe gjëja e parë që kam dashur – sepse shumë njerëz, jo vetëm që nuk e kanë njohur Shqipërinë, por edhe e kanë gjykuar si një vend i pazhvilluar, ose me njerëz të egër dhe jokorrektë – ka qenë një mision që ta tregoj gjithmonë kulturën time nga vij, sepse jam shumë krenare që jam shqiptare, dhe t’u tregoj njerëzve më tutje, çfarë është Shqipëria, kush jemi ne, çfarë kulture kemi dhe se ne jemi komplet ndryshe nga të gjitha gjërat që dëgjojnë njerëzit në media dhe do ta vazhdoj përsëri këtë luftë, gjersa të jem gjallë”, është zotuar Naqe.
Por sopranoja e shquar, fill pas suksesit të radhës në skenën belge, aterron në Kosovë. Është e ftuar edhe te “Chopin Piano Fest” në Prishtinë, skenën e të cilit do ta ngjisë sonte (e mërkurë). Ka thënë se është tepër e lumtur për këtë, sepse ka shumë kohë që nuk ka kënduar e performuar në Prishtinë.
“Jam shumë e lumtur që herën e parë në këtë festival, bashkë me atdhetarin tim, Zamir Kabo kemi një program shumë të bukur, piano e këngë, dhe mezi pres që të performoj”, është shprehur me emocione ajo.
Tjetra paraqitje e saj do të jetë në Tiranë, në Ditën e Fëmijëve, që të performojë për fëmijët me autizëm dhe sindromin Down, “për një kauzë të mirë për këta fëmijë që kanë nevojë për ndihmë”, një recital me Zamir Kabon në Teatrin e Operës dhe i Baletit në Tiranë dhe në vjeshtë do të paraqitet në Shkodër me Elda Laron si dirigjente dhe me Orkestrën e Shkodrës e me anëtarë të Orkestrës së Operës dhe Baletit të Tiranës.