Kulturë

Botimet KOHA me 32 tituj të rinj e deri në 80 për qind zbritje gjatë Panairit

Krejt botimet midis dy panaireve të librit në Prishtinë do të jenë në shtandin e KOHËS në ngjarjen më të madhe të librit në kryeqytet. Përderisa Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë kthehet pas dy vjetësh, prej 7 deri më 12 qershor, KOHA vjen me 32 tituj të rinj që janë botuar midis dy ekspozitave të librit. Përtej kësaj, shtandi i KOHËS do të ofrojë 140 tituj dhe ata vijnë deri me 80 për qind zbritje. Listës së titujve të rinj i prin “Humbja” e Mark Pashkut, laureat i shpërblimit për romanin më të mirë shqiptar “Rexhai Surroi” për vitin 2021

Pavarësisht gjendjes së krijuar me pandeminë, Botimet KOHA gjatë viteve 2020 dhe 2021 ka vazhduar të botojë vepra letrare të cilat te lexuesit kanë sjellë prozë, publicistikë, studime historike e përmbajtje të tjera. Krejt botimet midis dy panaireve të librit në Prishtinë do të jenë në shtandin e KOHËS në ngjarjen më të madhe të librit në kryeqytet. Përderisa Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë kthehet pas dy vjetëve, prej 7 deri më 12 qershor, KOHA vjen me 32 tituj të rinj që janë botuar midis dy ekspozitave të librit. Përtej kësaj, shtandi i KOHËS do të ofrojë 140 tituj dhe ata vijnë deri me 80 për qind zbritje.

Listës së titujve të rinj i prin “Humbja” e Mark Pashkut, laureat i shpërblimit për romanin më të mirë shqiptar “Rexhai Surroi” për vitin 2021.

Sipas jurisë, që në një konkurrencë të ngushtë është përcaktuar për “Humbjen”, romani ka nëntekst të thellë dhe të kamufluar me mjeshtëri.

“Një gërshetim realiteti e fantazie që krijon një rrëfim origjinal, dinamik dhe të këndshëm deri në fund. I shkruar me një stil të veçantë, pa pretendime për rrugëtime të paeksploruara a eksperimentime postmoderne, romani është një freski në gamën e prozës së sotme shqipe”, kishte arsyetuar juria Shpërblimin. Bëhet fjalë për një vepër që flet për një brez të mbetur mes së kaluarës së vështirë dhe paqartësisë e pasigurisë së të ardhmes. Vepra e botuar nga KOHA muajin e kaluar është promovuar edhe në Tuz e Ulqin. Personazhet e saj i takojnë Malësisë dhe rrëfimet vijnë prej andej.

Shtandi i KOHËS sjell edhe një tjetër rrëfim unik në vetën e parë. Në vorbullën e përditshmërisë dhe të varshmërisë nga droga, Eroll Shporta vendosi të dalë prej saj, duke lënë prapa atë që për një përdorues nuk është veç fjalë, por edhe mënyre jetese: “Veç edhe sot”. Kështu titullohet edhe libri me rrëfimin e tij, rrëfimin e një njeriu që ia doli të fitojë betejën me drogën, e tash nëpërmjet historisë së tij synon t’ua hapë sytë të tjerëve. Vepra e Shportës vjen me zbritje speciale në kuadër të Panairit, sikurse edhe krejt botimet e tjera.

Prej kësaj historie, veprat e Botimeve KOHA kthehen në rrëfime më të vjetra. E gjendur papritur në një situatë konfuze intime, Sofia ndjek gjurmët e një baroni austro-hungarez të fillimshekullit XX që i zbulon skutat më të errëta të Ballkanit. Ishte epoka e kërshërisë ekstreme, fytyra e aventurës së Belle Epoque që lulëzonte në Evropë. Diplomaci, spiunazh, zbulime shkencore, rebelim e dashuri mbushin jetën e baronit Franz Nopcsa në Shqipëri. I njohur si babai i dinozaurëve të Transilvanisë, një gjeni i jashtëzakonshëm si Nopcsa dashurohet në një popull që rrezikonte zhdukjen nën rrënojat e Perandorisë Osmane. Krejt ky rrëfim përmblidhet në veprën “Stina e pestë” të Majlinda Bregasit.

E “Dallga e dytë” e autores Mimoza Veliu, e promovuar po ashtu këtë vit, flet për një sipërmarrëse të suksesshme, por shpirtërisht të shkatërruar. Julia kthehet pas shumë vjetësh në ishujt Maldive për t’u përballur me të kaluarën e saj. Një udhëtim i paraparë të zgjaste shkurt, komplikohet me shfaqjen e virusit korona që ia përmbys planet krejtësisht. Megjithatë, izolimi del të shndërrohet në pikë kthese për të, kur papritur dhe në formë krejtësisht të paparaparë Julias i hapet perspektiva e re, një dimension plotësisht i ri në jetë. Krejt këto vepra bashkë me “Rahela” të Agim Sopit, “Kronika kosovare” të Stephane Vanderveken, “I mbeturi në Beograd” të Ibrahim Kadriut, “Rrëfime për Kosovën 2” të Fatmir Lamës, “Nënë më fol për ëndërrimtarët” të Shkumbin Gashit, “Funeralin e pafundmë” të Visar Zhitit e shumë tituj të tjerë nga 100 autorë, lexuesit do t’i gjejnë te shtandi i Botimeve KOHA.

Fidan Imeri, menaxher i shitjes në shtëpinë botuese, ka treguar se Botimet KOHA gjatë gjithë periudhës së rëndë pandemike ka vazhduar me botime, e po ashtu ka pasur oferta të shumta për lexuesit.

“Ne kemi qenë shumë aktivë me ofertat tona e po ashtu edhe me botime. Jemi munduar që gjatë pandemisë të jemi sa më afër lexuesve në forma të ndryshme, dhe ja kemi arritur”, ka thënë ai. Sipas Ymerit, KOHA vazhdimisht mendon për Panairin e Librit, pasi ndër vite ngelet shtandi më i vizituar, e për disa vjet veprat e shkrimtarit Veton Surroi kanë qenë më të shiturat në Panair. Në këtë edicion vepra e re e Surroit mban titullin “Ditari i murtajës me kurorë”, vepër e botuar pikërisht gjatë pandemisë.

“Në edicionet e tjera të Panairit ne kemi qenë të pranishëm me zbritje deri në 70 për qind. Kurse sivjet kemi vendosur që zbritja të shkojë deri në 80 për qind. Ndërsa oferta me tituj është shumë e gjerë. Sikurse çdo vit, vijmë me vepra të zhanreve të ndryshme që gjithmonë zgjojnë interes te lexuesit”, ka thënë Ymeri. Ka përmendur faktin se shtandi i KOHËS pos botimeve të reja vjen me gjithsej 140 tituj.

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë zakonisht grumbullon 100 deri në 120 shtëpi botuese dhe kështu pritet të jetë edhe sivjet

Ndonëse libri ka vazhduar të shitet nëpër librari dhe përmes web-faqeve online, mosorganizimi i Panairit për dy vjet, sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës, i ka dëmtuar shtëpitë botuese jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspekt të njohjes e të informimit të publikut rreth prurjeve të reja.

Panairi i Librit si ngjarja më e madhe e librit në Kosovë për herë të parë u mbajt në nëntor të vitit 1999, ndërsa që nga atëherë ai mbahet në muajt maj ose qershor. Në gati një javë, sa zgjat Panairi, mbledh rreth vetes shkrimtarë, studiues, kritikë, studentë e njerëz të cilët leximin e kanë gjë të preferuar. Ajo çka e bën në përgjithësi të veçantë këtë ngjarje, përveç çmimeve më të volitshme, është edhe prania e shkrimtarëve nga të gjitha trevat shqiptare e më tej, si dhe organizimi i ngjarjeve të ndryshme kulturore.

Për herë të fundit takimi më i madh midis botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve u bë në qershorin e vitit 2019, kur u mbajt edicioni i 21-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Ngjarja ishte hapur me thirrjen që shteti të ketë më shumë vëmendje për bibliotekat publike, pasi, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 kishte 120 mijë lexues më pak të regjistruar në biblioteka sesa më 2017. Viteve të fundit Panairi kishte rreth 40 mijë vizitorë për çdo edicion.