Ministri i Punëve të Kota (Ermal Sadikut) ia ka dhënë magjistarit Bob Vatson (Ernest Zymberit) detyrën më të rëndësishme, tani për tani, të gjejë elefantin Bob. Ky është një përshkrim i shkurtër i shfaqjes “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”. Ajo përkon me realitetin në vend dhe vë në pah qasjen regjisoriale të Erson Zymberit, veçanërisht zgjedhjet e tij skenike të qarta dhe origjinale
Në kopshtin zoologjik “Bob Vatson zoo”, në qytetin paqësor Bob Vatson, jeton i “qetë” Bob elefanti. Të paktën kështu besohej para se elefanti të zhdukej e të ngjallte pyetjet: si ishte jeta e tij; pse e kush mund ta ketë zhdukur elefantin; pse e si mund të ketë humbur ai? Elefanti i cili nuk është a nuk shfaqet më, del të jetë goxha me rëndësi për qytetin. Vlera e tij del në pah kur nis hetimi për ta gjetur atë. Ministri i Punëve të Kota (Ermal Sadiku) detyrën me të rëndësishme ia jep magjistarit Bob Vatson (Ernest Zymberit). Duhet ta gjejë elefantin. “Gjaku im u bëftë lëngë ‘ketchupi’”, është mallkimi që ia bën vetes Bob Vatson magjistari, nëse e keqpërdor detyrën e tij dhe nuk e plotëson urdhrin që i është dhënë. Kështu, epilogu i shfaqjes “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”, që u dha premierë mbrëmjen e së shtunës në teatrin “Dodona” del të jetë goxha interesant, qesharak e absurd. Sidoqoftë, fakti se komedia muzikore vjen e gërshetuar me elementet që shpërfaqin realitetin në vend, e bën atë më tërheqëse dhe krahas argëtimit nxit edhe kritikë.
Shfaqja me regji të Erson Zymberit e tekst të Jeton Neziraj është inspiruar nga “Këngëtarja tullace” e Eugene Ionescos dhe nga tregimi “Elefanti zhduket” i Haruki Murakamit.
Aktori Ernest Zymberi ka thënë se drama e inspiruar nga këta dy autorë vjen me ide të jashtëzakonshme dhe shumë aktuale, me një humor dhe ironi që, sipas tij, di ta krijojë vetëm Jeton Neziraj, e që aktualisht, siç ka thënë ai, mban gjallë dramaturgjinë në vend e përtej.
“Qasja atraktive, me komponime muzikore të punuara me shumë delikatesë. Përralla apo tregimi i cili indirekt është pasqyrim i realitetit tonë. Koncepti regjisorial që nuk lë asnjëherë shfaqjen të humbë vëmendjen dhe loja e aktorëve pa dyshim”, ka thënë se janë elemente nga shfaqja që do t’i tërheqin njerëzit.
Ka theksuar se sfida më e madhe në këtë kohë pandemie mbetet që të bësh teatër. E procesin ia kishte vështirësuar edhe infektimi me virusin SARS-CoV-2 duke e larguar për një kohë nga provat.
“Ndërsa sa i përket pjesës artistike dhe sfidave artistike për realizimin e rolit të Bob Vatson magjistarit, mendoj se personalisht për mua instrumentet muzikore dhe shfrytëzimi i tyre ishin sfidë interesante e tejkaluar megjithatë dhe përvojë shumë e mirëseardhur “, ka thënë ai.
Regjisori Shkëlzen Berisha ka thënë se ai ka parë një shfaqje të kompletuar goxha mirë me një frymë të re të teatrit në vend.
“Një teatër i angazhuar, goxha mirë i balancuar me të gjitha elementet përbërëse si estetike edhe përmbajtjesore. Në ndërkohë ka përdorur disa mjete shprehimore teatrore përbrenda shfaqjes të cilat i ka ekuilibruar mjaft mirë me njëra-tjetrën”, ka thënë Berisha për punën regjisoriale të Zymberit. E ka vlerësuar sidomos pjesën muzikore (v.j. punuar nga Irena Popovic) që sipas tij është përdorur goxha mirë dhe në masë. Sidoqoftë, shkrirja në mes të komedisë e muzikës nuk ia ka humbur aktualitetin e as seriozitetin shfaqjes.
“Shfaqja ka një lloj natyre pamfletike që korrespondon me realitetin, përshkruan e jep mendime për realitetin e sotëm, sigurisht jo të drejtpërdrejtë, por në disa formë të ndryshme ku shprehen moskënaqësitë e problemet aktuale, e flet goxha mirë me ditët e sotme”, ka thënë Berisha duke shtuar se pikërisht kjo qasje tregon se bëhet fjalë për një tekst të punuar nga Neziraj. “Është një lloj stili i Jetonit që i ka edhe në veprat e tjera”, ka theksuar ai duke përgëzuar edhe aktorët për lojën e tyre.
Neziraj ka treguar për KOHËN se këtë tekst e kishte shkruara para rreth dy muajsh.
“Ersoni më pati ftuar t’i bashkëngjitëm projektit si dramaturg, pas bashkëpunimit të suksesshëm që patëm me shfaqjen ‘Te vdekurit mbajnë zi për atdheun’. Ideja fillestare ishte që shfaqja të punohej mbi një skenë të dramës ‘Këngëtarja tullace’ e Joneskos”, ka thënë Neziraj, i cili ka shtuar se megjithatë, procesi i dërgoi në “ujëra të tjerë’. Siç thotë edhe ai, rezultati final doli një dramë e re e shkruar, e inspiruar nga ajo skenë e dramës së Joneskos dhe nga një tregim i shkruar i Haruki Murakamit.
“Ersoni punon jashtëzakonisht mirë dhe qasjet e tij regjisoriale janë shumë autoriale, me zgjidhje skenike të qarta dhe origjinale. Dhe kjo u pa edhe mbrëmë në shfaqje”, ka thënë Neziraj, i cili mbrëmë doli nga shfaqja me përshtypje shumë të mira. Skenografia e shfaqjes është punuar nga Bekim Korça.
Fjalët e Nezirajt, veçanërisht pjesa që thekson zgjedhjet skenike të qarta dhe origjinale, dalin në pah përmes shkronjave ndriçuese që regjisori Erson Zymberi ka inkuadruar në shfaqje.
Me to formuluan fjalë si “Amerika”, “Liria” e “AKI”. Përmes tyre ata ndihmonin shikuesit të kuptonin skenat. Në një mënyrë përmes tyre njëlloj si në një fjalëkryq deshifronin shfaqjen. Pikërisht ndërtimi i fjalëve dhe qytetin Bob Vatsoni, janë edhe gjetja apo koncepti kryesor regjisorial në shfaqje. “I ri definojnë skenat. I plotësojnë ato. I formësojnë ato”, ka thënë regjisori për KOHËN.
Plaka Marigonë (Tringa Hasani), me të pranuar detyrën Bob Vatsoni, ia nis të qëndisë flamurin. Kështu, katërshja e aktorëve - ku hyn edhe aktorja Donikë Ahmeti, thënë ndryshe dora e djathtë e ministrit, herë shefit e herë “schatz-it” – ia nisin këngës: Me fijet e holla të perit, Marigona po thurte një pëlhurë të madhe kuqezi. Të kuqe si gjaku që i pikonte nga gishtërinjtë, e të zezë mu si gjâma, që qytetit Bob Vatson i kishte rënë.
Flamuri na del të jetë një bateri që nuk është plotësisht e mbushur. E në skenë ndriçojnë fjalët “Liria ka emër”, që e bëjnë të qartë se Qyteti Vatson mund të jetë pikërisht qyteti në të cilin është i ndërtuar teatri “Dodona” ku u luajt shfaqja.
Erson Zymberi ka treguar se zakonisht tekstet i shërbejnë vetëm si mjet për t’i gjetur, hulumtuar e identifikuar idetë që i japin kuptim konceptit regjisorial për shfaqjen që ai e ndërton. E sipas tij, tekstet e Nezirajt si të tilla janë të jashtëzakonshme dhe ofrojnë mundësi e hapësira të mëdha në këtë drejtim.
“Shfaqja, në fakt drama, është e inspiruar prej dy shkrimtareve fantastike (Jonesko dhe Murakami) më saktësisht nga drama ‘Këngëtarja tullace’ dhe ‘Elefanti zhduket’ dhe kësisoj ideja, here e ‘shumëzimit’, e here e ‘zhdukjes’ se Bob Vatsoneve është ide e rindërtuar nga skena e çiftit Smith tek ‘Këngëtarja Tullace’”, ka thënë ai. Ka shtuar se normalisht, në shfaqje ajo merr konotacion tjetër duke u kondensuar e gërshetuar me situatën në vendin tonë.
“E gjithë shfaqja përkon shumë me realitetin tonë dhe tenton të japë një përgjigje në shumë pyetje që shoqëria jonë aktualisht ka”, ka thënë ai.
Bob Vatson në rrugën e tij për të gjetur Bob elefantin zhduk gjysmën e qytetin, 3 ambasada edhe Teatrin Kombëtar, (siç thuhet në shfaqje mirë ua bëri atyre parazitëve), mirëpo në fund këto mbesin dëme kolaterale, karshi misionit të Bob Vatsoni.
Kostumet e shfaqjes “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht” i ka punuar Yllka Brada, dizajnin e dritave e ka realizuar Skënder Latifi e teknikë të skenës kanë qenë Albert Gashi, Bedri Maloku e Fadil Bekteshi.