Prishtinë, 13 shkurt – Aktivizimi i PEN Qendrës së Kosovës është synimi i parë që kryetari i ri i këtij asociacioni, Binak Kelmendi, ia ka vënë vetes.
Shkrimtarit e publicistit Kelmendi, të hënën, në kuvendin e radhës, i është besuar udhëheqja e PEN-it kosovar. S’ka pasur kryetar që prej vdekjes së poetit Basri Çapriqi, më 14 janar të vitit 2018. Gjatë kësaj periudhe rrezikoi të pezullohej nga PEN Qendra Ndërkombëtare me seli në Londër. Kelmendi ka marrë 18 vota për, përderisa kundërkandidatja, poetja e gazetarja Ilire Zajmi, mori 3 vota në kuvendin e mbajtur të hënën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, i cili nuk kaloi pa vërejtje e mospajtime midis anëtarëve.
Të premten në mbrëmje, 30 anëtarë, sa ka gjithsej PEN Qendra e Kosovës, kishin marrë njoftimin për mbajtjen e kuvendit në të cilën pika e parë ka qenë zgjedhja e udhëheqjes. Anëtari Ibrahim Berisha, i cili mori përgjegjësinë që të udhëhiqte mbledhjen, ka qenë i shpejtë. Ka thënë shkurt që në fillim se arsyeja përse janë mbledhur është zgjedhja e kryetarit të ri.
“Kemi detyrime të kryerjeve të obligimeve ndaj PEN Qendrës Ndërkombëtare, pasi që nëse vazhdohet me këtë pasivitet atëherë mund të vijë deri të pezullimi i përkohshëm, dhe kthimi pastaj do të jetë i vështirë”, ka thënë ai, dhe ka ftuar anëtarët që të propozojnë veten apo edhe ndonjë anëtar tjetër për kryetar. Por jo të gjithë kanë pasur dikë për të propozuar.
Poeti Agim Gjakova fillimisht ka kërkuar llogari për aktivitetet që PEN-i ka bërë gjatë këtyre viteve, si dhe ka kërkuar që të pranishëm të jenë të gjithë anëtarët.
“E konsideroj këtë mbledhje në kundërshtim total me Rregulloren dhe Statutin nëse procedohet në mënyrë të tillë. Keni shkelur Statutin me katër këmbë e jo vetëm me dy. Çdo vit duhet që të bëhet mbledhja e punës dhe me sa di unë, e kam qenë i njoftuar, e njëjta nuk është mbajtur, pastaj sipas Statutit duhet edhe që të raportoni për veprimtarinë e PEN-it”, ka thënë ai.
“Le të zgjidhet kryetari, pastaj do të mbahet mbledhja dhe do të publikohen edhe raportet financiare pasi që e kemi një shkresë të domosdoshme që kërkohet të zgjidhet kryetari së pari dhe kemi përfaqësuesen edhe nga PEN-i Ndërkombëtar, pasi që problem është vazhdimi i punës”, ka qenë përgjigjja e Berishës. Problemet me të dëgjuar të shkrimtarit Agim Gjakova, i cili shpeshherë ka kërkuar të përsëriteshin fjalët, dhe një koment i poetit Sali Bashota tek i ka thënë nëse i duhet “t’i flasë në vesh”, kanë nxitur reagime.
“Kërkoj nga të gjithë të pranishmit që të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt. Zotëri Gjakova askënd nuk e ofendoi. Kërkoj që ta respektoni secilin dhe pa fyerje, në të kundërtën unë do të dal”, ka thënë gazetarja e poetja Valentina Saraçini teksa e ka lëshuar sallën. “E bojkotoj mbledhjen e PEN-it me këtë energji negative dhe me këtë lloj ofendimi ndaj anëtarit me të vjetër i cili askënd nuk e ka fyer, vetëm kërkoi shpjegime dhe dha mendimin e tij që kjo nuk është formë e mirë e organizimit dhe kështu nuk procedohet”, ka thënë ajo.
Pas Saraçinit fjalën e ka marrë Bashota, i cili ka thënë se kushdo që zgjidhet kryetar do të ketë goxha sakrificë, pasi që nuk do të paguhet, mirëpo qëllimi është që të mos përjashtohen. Ka shtuar se nuk ka treguar mosrespekt ndaj askujt.
Se situata është serioze, ka thënë edhe Entela Kosa nga PEN-i i Shqipërisë, për të cilën anëtari Ibrahim Berisha ka thënë se ka ardhur nga Qendra Ndërkombëtare e PEN-it për të vëzhguar situatën si e deleguar.
Ka thënë se mospjesëmarrja në ngjarje e takime të PEN-it Ndërkombëtar për tre vjet e përjashton një asociacion në shtete të tjera. Janë mbi 100 asociacione anëtare në atë botëror, i themeluar më 1921. Kosova është anëtarësuar më 2004.
“Ne nuk e kemi luksin që ta bëjmë këtë”, ka thënë ajo.
Edhe Ilire Zajmi ka pyetur se përse është dashur që të pritet kaq gjatë që të mblidhet Kuvendi.
Me të marrë pozitën e kryetarit, Binak Kelmendi e ka të qartë detyrën e parë.
“Do të përpiqem që në kuadër të këtyre aktiviteteve ta ringjallim PEN Qendrën, e cila në fakt, sidomos para tre vjetëve, ka qenë ashtu siç u tha e përgjumur me goditjen që mori me vdekjen e kryetarit të ndjerë Basri Çapriqi. Në sfondin e punëve të PEN-it do të jetë prezantimi në planin ndërkombëtar i kulturës së Kosovës në PEN Qendrën Ndërkombëtare që e ka selinë tani për tani në Londër dhe në aktivitete të tjera që do të organizohen nga PEN Qendrat simotra. Në këtë kuadër do të përpiqet që të jetë zëri diplomatik i Kosovës, por më së shumti zëri nacional dhe kulturor i vendit tonë”, ka thënë ai. Ka shtuar se kur të zgjidhet edhe bordi i ri në krye me të, do t’i caktojnë detyrat dhe punët në mënyrë që ta ringjallin jetën kulturore, por edhe krijimtarinë botuese të shkrimtarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, janë lënë në harresë edhe nga vetë Ministria e Kulturës.