Kulturë

Bienalja e Arkitekturës në Venecia thërret për përgatitje ndaj vapës ekstreme

Bienalja e Arkitekturës në Venecia thërret për përgatitje ndaj vapës ekstreme

Siç tregon ky imazh ku grafikisht paraqitet vapa e qendrës së qytetit të Munichut, nxehtësia ekstreme po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë në qendrat urbane. Ndërtimi miqësor ndaj klimës ka qenë prej kohësh temë ekspozitash muzeore. Muzeu Gjerman i Arkitekturës në Frankfurt do të paraqesë një seri projektesh të suksesshme duke filluar nga qershori, si pjesë e ekspozitës: “Arkitektura dhe Energjia: Ndërtimi në Kohë të Ndryshimeve Klimatike”

Viti 2024 ishte më i nxehti në tokë që nga fillimi i matjeve moderne, dhe 10 vjetët e fundit radhazi përbëjnë dekadën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Arkitektët dhe planifikuesit urbanë nuk mund të injorojnë më këto shifra. “Për të përballuar një botë që digjet, arkitektura duhet të shfrytëzojë të gjithë inteligjencën që kemi përreth”, ka thënë Carlo Ratti, kurator i Bienales së 19-të të Arkitekturës në Venecia, që është hapur për vizitorë nga 10 maji dhe do të jetë e hapur deri më 23 nëntor. Arkitekti nga Torino shtoi se qasja ndaj ndërtimit duhet të përshtatet tani, jo në një të ardhme të largët

Qoftë shi i rrëmbyeshëm apo vapë, përmbytje apo thatësirë: moti ekstrem nuk është më një përjashtim dhe kjo vlen për krejt globin.

Shkencëtarët thonë se Evropa, e cila po ngrohet më shpejt për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, numëroi mbi 60 mijë vdekje më shumë për shkak të vapës në vitin 2022. Në vitin 2023 kishte më shumë se 47 mijë të lidhura po me vapën. Shumica e këtyre personave kishin gjendje jo të mirë shëndetësore më përpara, por temperaturat e larta e rënduan edhe më tej gjendjen e tyre trupore.

Viti 2024 ishte viti më i nxehtë në tokë që nga fillimi i matjeve moderne, dhe 10 vjetët e fundit radhazi përbëjnë dekadën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.

Arkitektët dhe planifikuesit urbanë nuk mund të injorojnë më këto shifra. 

“Për të përballuar një botë që digjet, arkitektura duhet të shfrytëzojë të gjithë inteligjencën që kemi përreth”, ka thënë Carlo Ratti, kurator i Bienales së 19-të të Arkitekturës në Venecia, që është hapur për vizitorë nga 10 maji dhe do të jetë e hapur deri më 23 nëntor. Arkitekti nga Torino shtoi se qasja ndaj ndërtimit duhet të përshtatet tani, jo në një të ardhme të largët.

Tema e ekspozitës, “Inteligjencë. Natyrore. Artificiale. Kolektive.” u referohet sfidave me të cilat përballemi dhe “fton lloje të ndryshme inteligjence që të bashkëpunojnë për të rishpikur mjedisin e ndërtuar”, ka thënë Ratti. “Vetë titulli latin ‘Intelligens’ përmban fjalën gens (njerëzit) — duke na ftuar të eksperimentojmë përtej fokusit të kufizuar të sotëm mbi inteligjencën artificiale dhe teknologjitë digjitale”.

Kuratori vuri gjithashtu në dukje se bota e ndërtimit duhet të bashkojë forcat dhe dijen nga të gjithë aktorët e saj, nga industria e ndërtimit tek arkitektët dhe planifikimi urban. 

“Arkitektura duhet të lidhë brezat dhe disiplinat, nga shkencat e natyrës tek artet”, ka thënë ai.
Shqetësimi më i madh është vapa e lartë e zonave urbane, e shkaktuar nga fakti që qytetet janë të mbuluara gjerësisht me sipërfaqe të shtruara me beton dhe asfalt. Ka shumë pak pemë për të ofruar hije dhe për të ndihmuar në ftohje. Kjo krijon “ishuj nxehtësie”, që çojnë në mbinxehje.

Gjatë reshjeve të mëdha, sipërfaqet e vulosura gjithashtu parandalojnë ujin të depërtojë në tokë dhe kontribuojnë në kolapsin e sistemeve të kanalizimeve. Është një rreth vicioz.

Çfarë mund të bëhet, atëherë? “Problemet janë të njohura, zgjidhjet kanë qenë prej kohësh në tryezë”, ka thënë Peter Cachola Schmal, drejtor i Muzeut Gjerman të Arkitekturës në Frankfurt, “por zbatimi mungon. Jemi shumë të ngadaltë”.

Ai përmendi Paul-Arnsberg-Platz në lagjen “Ostend” të Frankfurtit si shembull. Dikur i frikshëm për klimën e tij të nxehtë si furrë, sheshi është ridizajnuar dhe rindërtuar, dhe tani zona e shtruar është mbushur me lule dhe pemë të reja. Qyteti i Frankfurtit e ka quajtur këtë një “përshtatje urgjente ndaj klimës”.

Por Schmal ende nuk është i bindur, dhe tha se e konsideron projektin gjysmë të kryer. “Po, pemët do të japin hije të mirë — pas 30 vjetësh”.

Përshtatja klimatike është pa dyshim në agjendë. Bashkitë — dhe taksapaguesit — do të duhet të investojnë shumë para për ta arritur këtë. Dhe ajo që shpesh mungon është vendimmarrja e shpejtë dhe pa burokraci.

Parisi, i cili ka pësuar një numër veçanërisht të lartë vdekjesh nga nxehtësia, shihet si model. Kryebashkiakja Anne Hidalgo i është përgjigjur krizës duke zbatuar një revolucion radikal në transportin e qytetit të saj. Administrata e saj ka reduktuar trafikun në qendër të qytetit, ka trefishuar tarifat e parkimit për makina të mëdha dhe ka shndërruar hapësirat e parkimit në rrugë në zona të gjelbra që “marrin frymë”.

Nisma e gjelbër e Hidalgos ka zemëruar disa shoferë parisienë, por ajo ka marrë gjithashtu lavdërime të mëdha në të gjithë Evropën.

Ndërkohë, qytete të tjera si Kopenhaga dhe Roterdami po transformohen në “qytete sfungjer” rezistence ndaj përmbytjeve edhe këto të dalluara në këtë aspekt.

Elisabeth Endres, profesoreshë e teknologjisë së ndërtimit në Universitetin e Braunschweig, ka kërkuar asgjë më pak se një “revolucion ndërtimi” në nivel global. Së bashku me arkitekten nga Munich, Nicola Borgmann, arkitekten e peizazhit, Gabriele G. Kiefer, dhe arkitektin Daniele Santucci, ajo kuroi pavijonin gjerman në Bienale.

Vizitorët që hyjnë në pavijonin gjerman në Lido mund të përjetojnë vetë se si do të ndihet klima urbane e së ardhmes: e nxehtë, e rëndë dhe e rrezikshme. “Test Stresi” është titulli i ekspozitës përfshirëse, e cila shoqërohet me një kolazh filmik, informacion të bollshëm dhe vepra arti, përfshirë një video nga Christoph Brech, ku një kambanë bie si paralajmërim.

Mesazhi duket se ka arritur tashmë te shumë njerëz.

Në Frankfurt, për shembull, aktivistë të klimës nga të gjitha moshat janë angazhuar në bujqësi urbane. Si “heronj të perimeve”, ata kultivojnë ishuj trafiku dhe hapësira të tjera të gjelbra, duke rritur fruta dhe perime.

Shenja në pemët e qytetit të Berlinit, që luten “Më ujit!”, po i ftojnë qytetarët të kontribuojnë në mbrojtjen e klimës.

Ndërtimi miqësor ndaj klimës ka qenë prej kohësh temë ekspozitash muzeore. Muzeu Gjerman i Arkitekturës në Frankfurt do të paraqesë një seri projektesh të suksesshme duke filluar nga qershori, si pjesë e ekspozitës: “Arkitektura dhe Energjia: Ndërtimi në Kohë të Ndryshimeve Klimatike”. 

A do të mjaftojë Bienalja e Arkitekturës për të ndezur një fillim të ri? 

“Nxitja do të vijë automatikisht”, ka thënë Endres, sepse “do të vuajmë” nga ndikimet e ngrohjes globale që do t’i ndiejmë të gjithë. Bota do të detyrohet të veprojë  dhe atë shumë shpejt.

“Qytetet që janë përgatitur mirë do të dalin mirë nga kjo. Të tjerat jo”, ka thënë bashkëkuratorja Borgmann, e cila drejton Galerinë e Arkitekturës së Munichut. 

“Ka tashmë shpresë se gjërat do të ndryshojnë. Por duhet të ndodhë shumë më shpejt, përndryshe qytetet evropiane nuk do të jenë më të banueshme pas disa dekadash”./DW