Besnik Mustafaj është zgjedhur “Autori i vitit” në Panairin e librit në Tiranë për romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”. Kësisoj, rrëfimi që shpalos Mustafaj ka bërë që ai si autor të renditet i pari midis 100 titujve të rinj.
Juria, që përbëhej nga Lili Sula, kryetare dhe anëtarët Agim Doksani, Agim Baci, Adriatike Lami, Parid Teferiçi, ka ndarë çmimet të shtunën. Përkthyesi më i mirë i vitit 2019 u shpall Korab Hoxha për përkthimin e vëllimit me poezi, ese dhe proza të shkurtra të shkrimtares ruse Marina Cvetajeva, “Tetori në vagon”, shkruan sot “Koha Ditore”.
E autori më i mirë i prozës memorialistike është zgjedhur Lekë Tasi me librin e tij “Grabjani rrëzë kodrave”. Çmimi për përkthyesin më të mirë për vitin 2019 i ka takuar Korab Hoxhës, për përkthimin e vëllimit me poezi, ese dhe proza të shkurtra të shkrimtares ruse Marina Cvetajeva, “Tetori në vagon”.

Kurse sa i përket Çmimit për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja, laureate është shpallur Saverina Pasho për përkthimin e librit “Lehtësia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera.
Sipas vlerësimit të jurisë, Mustafaj në romanin e ri ia ka dalë që të paraqesë hollësisht e me gjuhë me vlera të larta artistike zvetënimin e individit në shoqëri.
E Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka përsëritur thirrjen për heqjen e taksës mbi librin.
“Na është premtuar një kohë të gjatë që do të kemi një treg të unifikuar të librit, por në fillim të këtij viti ne morëm një lajm jo të mirë për botuesit nga Kosova, ku të gjitha botimet tona i nënshtrohen një tarife prej 6 për qind me të hyrë në Shqipëri. Kjo nuk i shërben aspak tregut të unifikuar që duam ta kemi”, kishte thënë Zeneli.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)