Thirrjet për armëpushim kanë dominuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve të edicionit të 74-t të “Berlinales” të shtunën mbrëma, ku “Ariun e Artë” e ka marrë “Dahomey” i cili nëpërmjet rrëfimit për artefaktet e plaçkitura, i bën homazh betejës për trashëgimi. Luftërat kanë lënë gjurmë në ngjarjen e njohur të filmit, e me shenjat e luftës u përfaqësua sivjet Kosova në festivalin e madh. “Afterwar” i danezes Birgitte Stærmose nuk mori çmim, por nuk kaloi pa vëmendje
Është një udhëtim i artefakteve të plaçkitura nga një shtet në pjesën perëndimore të Afrikës për në Francë. Dokumentari “Dahomey”, që është vlerësuar si dritare ku arti shihet si strehë kujtese, nën regji të senegalezes Mati Diop, të shtunën mbrëma ka marrë “Ariun e Artë” në edicionin e 74-t të Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, “Berlinale”. Është vlerësuar si rrëfim i fuqishëm që përcjell rrugëtimin e 2021-s të thesareve të vjedhura mbi një shekull më parë nga Mbretëria Afrikane e Dahomeit në kthimin e tyre nga Parisi në vendin e origjinës, në atë që sot është Republika e Beninit. Vjen edhe si përgjigje ndaj hulumtimeve të regjisorëve francezë Alain Resnais dhe Chris Marker të vitit 1953 mbi artin afrikan dhe kolonializmin. Vlerësohet si debat mbi rëndësinë e artefakteve të kthyera te brezat e rinj e si mesazh që të vazhdojnë punën e tyre për ruajtjen e pasurisë kulturore.
Regjisorja e skenaristja e filmit fitues, Mati Diop, pasi ka pranuar çmimin, ka thënë se filmin ia dedikon popullit të saj.
“Kam zgjedhur të jem pranë atyre që refuzojnë ta pranojnë amnezinë si metodë. Jam me popullin tim në Senegal që lufton për drejtësi”, ka thënë ajo derisa e ka vlerësuar “Berlinalen” si adresë të duhur për ta shpalosur rrëfimin në dokumentar. Ceremonia është transmetuar drejtpërdrejt në platformat e “Berlinales”.
“Është vendi më i përshtatshëm dhe i duhur për të shpalosur historinë e mbrojtjes së trashëgimisë së vendit. Faleminderit shumë jurisë që na keni nderuar me këtë çmim në shpalosjen e gjithë komunitetit të dukshëm dhe të padukshëm që përfaqësojmë. Faleminderit ekipit që e bartët këtë ëndërr me mua. Urime çdo pjesëmarrësi, gjithë talentëve që kanë shfaqur ndjesitë e tyre në film”, ka thënë në fjalën e saj regjisorja Diop.
Juria kryesore sivjet ka qenë e udhëhequr nga aktorja, regjisorja e producentja Lupita Nyong’o nga Kenia, dhe e përbërë nga regjisori amerikan Brady Corber, shkrimtarja kineze, Ann Hui, regjisori gjerman Christian Petzold, regjisori spanjoll, Albert Serra, regjisorja italiane, Jasmine Trinca e shkrimtarja ukrainase, Osana Zabuzhko.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të zëshme kanë qenë thirrjet që të ndalohet sulmi izraelit ndaj popullit të Palestinës. Është bërë thirrje për armëpushim.
“Unë jam me Palestinën”, ka thënë skenaristja e regjisorja e filmit fitues të “Berlinales” së sivjetme. “Ceasefire now” (Armëpushim) ka qenë njëra prej fjalëve më të përmendura në këtë ceremoni. Dy prezantueset e ceremonisë me të cilën është mbyllur për sivjet programi i Festivalit, kanë mbajtur në veshjet e tyre këtë mbishkrim.
Kineastët, përfshirë ata izraelitë, kanë konsideruar se është e padrejtë ajo çfarë po bëhet në Palestinë. Të shtunën kur janë bërë dy vjet prej kur ka nisur pushtimi rus në Ukrainë, është kujtuar edhe kjo ngjarje duke u solidarizuar me popullin ukrainas.
Sivjet atë që njihet si Çmimi i madh i Jurisë, “Ariun e Argjendtë” e ka marrë filmi “A Traveler’s Needs” i Hong Sangsoo nga Koreja e Jugut. Në fjalën e tij, regjisori është shprehur i lumtur me suksesin e filmit.
“Nuk di çfarë patë në këtë film. Jam kurioz ta di. Sidoqoftë faleminderit. Ky çmim është i tepruar për këtë film”, ka thënë ai duke qeshur.
“Ariun e Argjendtë” të Jurisë e ka marrë “The Empire” të francezit Bruno Dumont, “Ariun e Argjendtë” për regjisorin më të mirë e ka marrë Nelson Carlo De Los Santos Arias nga Republika Domenikane për filmin “Pepe”.
“Ariun e Argjendtë” për rolin kryesor e ka marrë Sebastian Stan për rolin në “A Different Man”. Në fjalën e tij, aktori me anë të Inteligjencës Artificiale ka luajtur në audio fjalimin e tij ku thuhet se “kinematografia nuk njeh gjini, ngjyrë, nacionalitet”.
Çmimin për rol dytësor e ka marrë aktorja Emily Watson për rolin e saj në filmin “Small Thinks Like These”.
“Ariun e Argjendtë” për skenarin më të mirë e ka marrë gjermani Matthias Glasner për skenarin e tij në filmin “Dying”.
“Është një film për esencën e dashurisë. Por edhe është bërë me dashuri nga të gjithë. Ne u kënaqëm me reagimin e publikut. Mendoja se po të hapnim zemrat ne, njëjtë do të ndodhte edhe me ta. Ashtu ndodhi”, ka thënë skenaristi Glasner pasi ka pranuar çmimin.
Çmimin për arritje artistike, “Silver Bear for an Outstanding Artistic Contribution” i është dhënë austriakut Martin Gschlacht për rolin e tij si drejtor fotografie në filmin “The Devil’s Bath” të regjisorëve austriakë Veronika Franz and Severin Fiala.
“Nuk mund ta pranoj këtë çmim i vetëm, më duhet ta ndaj atë me partnerët e mi në krim. Duhet ta ndaj mbase në katër pjesë”, ka thënë Gschlacht para se të ftonte ekipin e filmit “The Devil’s Bath” përkrah tij në momentin kur ka marrë çmimin.
Filmi më i Mirë është zgjedhur “Direct Action” i Guillaume Cailleau dhe Ben Russell, çmimin Regjisori më i mirë e ka marrë braziliania Juliana Rojas për filmin “Cidace, Campo”.
“Ndiej kreativitetin e tyre, kështu që i falënderoj të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë film, veçmas producentët. E shfrytëzoj rastin që t’i kërkoj komunitetit artistik që të ngrejë zërin për armëpushim në Gaza dhe ndalimin e vrasjes së civilëve palestinezë. Çmimin ua dedikoj të gjithë filmbërësve brazilianë dhe grave regjisore”, ka thënë ajo në skenë.
Çmimin Special të Jurisë e ka marrë “The Great Yawn of History” i iranianes Aliyar Rasti si dhe “Some Rain Must Fall” me regji të kinezes Qiu Yang.
Çmimin e “Berlinales” për dokumentarin më të mirë e ka marrë “No Other Land” i palestinezëve Basel Adra, Hamdan Ballal, Yuval Abraham dhe Rachel Szor nga Norvegjia.
“Ariun e Artë” për filmin më të mirë të shkurtër e ka marrë “An Odd Turn” i regjisorit argjentinas, Francisco Lazama. “Është film i shkurtër i bërë nga një grup njerëzish të rinj, por i bërë me shumë dashuri për kinematografinë”, ka thënë ai.
Emri i Kosovës është rikthyer në edicionin e sivjetmë të festivalit prestigjioz. “Afterwar” i danezes Birgitte Stærmose, ka konkurruar në garën e filmave dokumentarë por nuk ia ka dalë të marrë çmim. Filmi në të cilin Kosova është bashkëprodhuese është dhënë premierë në kuadër të këtij festivali. Salla qe plot në premierën më 19 shkurt, njashtu sikurse edhe në katër reprizat që pasuan. Luajnë Luan Jaha, Molikë Maxhuni, Besnik Hyseni, Gëzim Kelmendi e të tjerë. Edhe këtë vit, Kosova ka marrë pjesë në Tregun Evropian të Filmit – një prej tregjeve më të mëdha të filmit në botë, me shtandin e përbashkët të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të Shqipërisë. Por emri shtetit më të ri evropian tashmë është i njohur në “Berlinale”. Më 2019, dokumentari “Në mes”, nën regji të Samir Karahodës e kishte çuar vendin për herë të parë në konkurrencën zyrtare të Festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore. Më 2020, Visar Morina u rikthye në “Berlinale” me “Exil” pas “Babait” më 2016. Aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi ishin të parët nga Kosova, të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinales”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën “Falja e gjakut”, nën regji të Joshua Martsonit, i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn. Produksioni shqiptaro-amerikan u shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz.
Njësoj siç u hap – me tensione ku futen debatet për krizën në Lindjen e Mesme, situatën në Ukrainë dhe të djathtën ekstreme – festivali më politik edhe u mbyll. Por mesazhet qenë të qarta: paqe në botë.