Kulturë

“Bekim Fehmiu”, post mortem për Abdurrahman Shalën si ikonë e inspirim

Ai qe njëri prej imazheve kryesore të filmave që prodhoheshin në këto anë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Post-mortem, të enjten mbrëma, është nderuar me çmimin kombëtar për vepër jetësore Abdurrahman Shala “me shpresë se gjeneratat e reja të aktorëve dhe të filmbërësve do të gjejnë inspirim nga veprat e tij”. Por shembull i gjeneratës së re të filmbërësve është regjisorja Blerta Basholli, që ka marrë Çmimin vjetor për kinematografi. Për “Zgjoin”, nën regji të saj, dëgjoi e gjithë bota

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinematografi si në vend, ashtu edhe jashtë Kosovës, Ministria e Kulturës ka nderuar post-mortem aktorin Abdurrahman Shala me çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”. Prej viteve ‘50 Shala ishte angazhuar në projekte filmike. Është prej imazheve kryesore të filmave të Kosovës gjatë shekullit të kaluar. E për filmin “Zgjoi”, që ka marrë vëmendje në të katër anët e botës, Çmimi vjetor për kinematografi i është dhënë regjisores Blerta Basholli.

Nëpërmjet një ceremonie të mbajtur në “Kino Armatë”, shteti ka ndarë çmimet pikërisht në ditën e lindjes së aktorit nga Kosova, i cili u bë ndër yjet botërore të filmit, Bekim Fehmiu. Çmimi kryesor mban emrin e tij. Ceremonia e sivjetshme – ndër më të mirat të organizuara viteve të fundit – ka nisur me interpretimin e korit “Siparantum”. Kori, që vitin e kaluar dhe sivjet ka shënuar një numër suksesesh ndërkombëtare, krejt në fillim të ceremonisë ka interpretuar veprën “Pax” të Memli Kelmendit e më pas ka vazhduar me melodi labe, ku në klarinetë ka luajtur Sead Muqa.

Më pas ceremonia ka vazhduar me ndarjen e çmimeve. Para se ta dorëzojë Çmimin vjetor për kinematografi, kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kinematografia e Kosovës arriti në majat më të larta që ka arritur ndonjëherë.

“Përfaqësimi ndërkombëtar gjithandej planetit, çmimet e jashtëzakonshme dhe të panumërta të fituara, na rikujtuan edhe një herë që talentin e kemi brenda shtëpisë dhe se ne duhet të punojmë me të e për të. Pra, kjo edhe një këshillë për të gjithë ne: talenti pa punë është pothuajse asgjë. Vetëm puna e madhe dhe e vazhdueshme do të shfaqë horizonte të reja të talenteve tanë”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, detyra e shtetit është ta ushqejë këtë talent, t’ia hapë dhe t’ia lehtësojë rrugët drejt suksesit, të mbështetë, jo vetëm pasi që të korrin suksese.

Ka përmendur dy marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik, atë me Izraelin dhe më Francën. Sipas tij, këto marrëveshje hapin rrugën dhe ofrojnë mundësi për prodhime të reja, që nënkupton më shumë financim, më shumë shkëmbim të përvojave, stileve e teknikave të filmbërjes.

“Ministria jonë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit aktualisht po punon edhe në Ligjin për kinematografi, i cili do të përcillet për diskutim në Kuvendin e Kosovës. Pra, do të ketë lehtësime të tjera e të shumta për fushën e filmit. Me shpalljen e filmit si interes i veçantë shtetëror i yni, do t’i jepet vëmendje dhe rëndësi procesit të bërjes së filmit në vend”, ka thënë ai.

MKRS-ja, sipas planeve që kishte, është dashur që në Qeveri ta përvjelë Projektligjin për kinematografi qysh vitin e kaluar. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Këtu nuk mundem pa i përmendur gratë të cilat janë emri i suksesit tonë, të Kosovës. E këtë e kemi parë në film, e kemi parë në pikturë, e kemi parë në muzikë e gjithandej. Këtë e kemi parë edhe në poezi të poetëve të rinj, të poeteve të reja, por këtë po e shohim edhe në shkencë e në sport. Ne jemi këtu për asgjë tjetër, vetëm për të punuar që imagjinatën tuaj ta bëni realitet për të gjithë neve”, ka thënë Kurti, i cili më pas ia ka dorëzuar regjisores, Blerta Basholli, Çmimin vjetor për kinematografi.

Image

“I vlerësuar dhe i shpërblyer ndërkombëtarisht, përfshirë tri shpërblimet kryesore në Sundance 2021, ‘Zgjoi’ tërhoqi përsëri vëmendjen e botës në pjesën e dhimbshme të historisë së Kosovës…” është arsyetimi me të cilin Blerta Basholli ka marrë Çmimin vjetor për kinematografi, të cilin ia ka dorëzuar kryeministri Albin Kurti


Sipas arsyetimit të jurisë, Çmimi vjetor për kinematografi i është dhënë Bashollit për suksesin e jashtëzakonshëm të filmit të saj debutues të metrazhit të gjatë, “Zgjoi”.

“I vlerësuar dhe i shpërblyer ndërkombëtarisht, përfshirë tri shpërblimet kryesore në Sundance 2021, ‘Zgjoi’ tërhoqi përsëri vëmendjen e botës në pjesën e dhimbshme të historisë së Kosovës, duke promovuar kinematografinë dhe shtetin tonë përmes distribuimit në të gjitha kontinentet”, shkruhet në arsyetimin e jurisë në përbërje të Blerta Zeqirit, Ujkan Hysajt, Alush Gashit, Veton Nurkollarit dhe Bardh Rugovës. Sipas jurisë, në vitin 2021, Blerta Basholli ishte shembull për regjisorët e sidomos për regjisoret e reja, se si me përkushtim dhe vizion mund të sfidohet izolimi i kineastëve dhe të depërtohet në qarqet më prestigjioze filmike botërore.

Basholli ka thënë se ky çmim nuk është veç i saj, por i krejt ekipit.

“Kur flasim për suksese dhe inspirim në kinematografi, ne flasim për figura shumë të mëdha të huaja. Por për mua inspirim janë kolegët e mi vendas, si Blerta Zeqiri, që ka shkuar në ‘Sundance’ para nesh”, ka thënë Basholli. Ajo ka uruar që institucionet dhe kineastët të punojnë së bashku që të ecë përpara industria e filmit.

“Kemi nevojë për Ligjin për kinematografi e lehtësirat financiare. Kemi shumë talente, shumë tregime të mira”, ka thënë ajo.

Më pas gjatë ceremonisë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dorëzuar familjes Shala çmimin për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, si nderim post-mortem për aktorin Abdurrahman Shala. Në emër të familjes çmimin e ka pranuar Genc Shala, nipi i aktorit.

KOHA ka marrë vesh se familja vlerën financiare të çmimit që është 5 mijë euro do ta dhurojë për bamirësi. Genc Shala ka falënderuar Ministrinë e Kulturës dhe ka thënë se Abdurrahman Shala (1922-1994) kishte dëshirë që ta bënte qytetin e filmit në periferi të Prishtinës. Sipas arsyetimit të jurisë, që nga roli i tij i parë i rëndësishëm, ai i major Demirit në filmin “Kapedan Lleshi në vitin 1960, duke vazhduar me filmat “Kozara” dhe “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, si dhe me rolet në filmat epik të luftës, si “Beteja e Neretvës” dhe “Sutjeska”, ku ka luajtur krahas aktorëve të famshëm të asaj kohe, përfshirë Orson Welles e deri te rolet në filmat kosovarë “Si të vdiset”, “Era dhe Lisi”, “Proka” e “Njeriu prej dheu”, Shala ka krijuar një opus artistik gati të pakrahasueshëm në historinë e kinematografisë kosovare.

“Nuk ka film të rëndësishëm të asaj periudhe kohore në të cilin nuk ka pasur rol Shala. Roli i tij i fundit ishte ai i Zekirit në filmin ‘Before the Rain’ të Milcho Manchevskit, film fitues i ‘Luanit të Artë’ në Festivalin e Venecias në vitin 1994 dhe i nominuar për ‘Oscar’ në vitin 1995”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Shala është vlerësuar edhe për kontributin e tij për themelim institucionesh si “KosovaFilmi”, drejtor i parë i të cilit ishte.

“Duke marrë parasysh të gjithë këto dhe duke kuptuar madhështinë dhe veçantinë e një njeriu dhe artisti sikur Addurrahman Shala, juria është unanime në mendimin për të ndarë Çmimin për vepër jetësore post-mortem gjithnjë me shpresë se gjeneratat e reja të aktorëve dhe të filmbërësve do të gjejnë inspirim nga veprat e tij”, shkruhet në arsyetim të jurisë.

Vitin e kaluar çmimi “Bekim Fehmiu” i ishte ndarë drejtorit të fotografisë Afrim Spahiu, kurse Çmimi vjetor për kinematografi, regjisores More Raça. Ky i fundit ka vlerë financiare 2500 euro. E ceremonia e së mërkurës është mbyllur me performancën e korit “Siparantum”.