Prej mbylljes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për rinovim, Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur ushtrimet në ambientet e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”. Aty edhe është duke e vazhduar punën sa u përket ushtrimeve ditore. Hapësirë për të dhënë shfaqje në kryeqytet nuk kanë ende. Menaxhmenti i institucionit, duke pasur parasysh nevojën për hapësira për ushtrime, ka identifikuar si hapësirë potenciale katin e nëntë të hotelit “Grand”
Prej fundit të muajit qershor, Baleti Kombëtar i Kosovës ka mbetur pa hapësirën e përhershme për ushtrime, përdhesen e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Vendimi i Ministrisë së Kulturës për ta mbyllur ndërtesën për ta çuar në rinovim, kishte bërë që baleti së bashku me ansamblin rezident të Teatrit, të mbesin pa hapësira. Menaxhmentet e të dyja institucioneve ishin në kërkim të hapësirave, pasi mbyllja e ndërtesës së TKK-së nga Ministria e Kulturës ishte bërë pa plan të zhvendosjes. Përderisa Teatri kishte gjetur amfiteatrin në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit, Baleti Kombëtar i Kosovës në sezonin e ri ka nisur ushtrimet në ambientet e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”. Aty edhe është duke e vazhduar punën sa u përket ushtrimeve ditore. Hapësirë për të dhënë shfaqje në kryeqytet nuk kanë ende. Balerinët janë të detyruar që pavarësisht periudhave kur kanë provat për shfaqje, në baza ditore të mbajnë ushtrime.
Menaxhmenti i institucionit, duke pasur parasysh nevojën për hapësira për ushtrime, ka identifikuar si hapësirë potenciale, katin e nëntë të hotelit “Grand”. Ajo hapësirë vjet i ishte dhënë në shfrytëzim bienales nomade “Manifesta”. Për menaxhmentin e BKK-së, ambienti është ideal dhe me disa ndërhyrje do të shndërrohen në vend ushtrimesh. Për këtë edhe i janë drejtuar me një kërkesë.
Në atë dokument shkruhet se kanë vizituar katin e nëntë të “Grandit” që njihet edhe si “Llamella A” dhe kanë ardhur në përfundim se me disa intervenime të domosdoshme, hapësira mund të jetë e përshtatshme për trupën derisa ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës të rinovohet.
“Ju njoftoj se ne kemi diskutuar edhe me Ministrinë e Kulturës për këtë opsion, përfshirë vetë ministrin z. Çeku dhe janë shumë të interesuar t’i adaptojnë këto hapësira për sistemin e Baletit Kombëtar të Kosovës”, shkruhet në kërkesën bërë më 17 janar të këtij viti. Ditëve në vazhdim, gjatë mbledhjes së Bordit të AK-së pritet të vendoset për këtë çështje.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se prej mbylljes së ndërtesës së TKK-së, vazhdimisht kanë qenë në kërkim të hapësirave që mund të ofrojnë kushte adekuate për të mbajtur ushtrimet e provat. Fillimisht kanë vendosur që të vazhdojnë të përdorin sallën e ushtrimeve të ansamblit “Shota”, siç kishin bërë edhe para rreth 15 vjetëve gjatë një prej rinovimeve të TKK-së.
“Kësaj radhe duket se kjo nuk do të jetë çështje muajsh por vitesh, prandaj duke marrë për bazë faktin që ne ndajmë të njëjtën sallë me AKV ‘Shota’ dhe detyrohemi të fillojmë punën në orën 13:00 pasdite, atëherë në vazhdimësi kemi qenë në kërkim të një hapësire alternative, për shkak se ky orar është problematik për ne”, ka thënë Kajtazi. Ka treguar se hapësirat në hotelin “Grand” i kanë piketuar muaj më parë dhe janë duke pritur një përgjigje pozitive nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
“Rinovimi i TK duket se do të marrë bukur shumë kohë, prandaj ne duhet të sigurohemi që do të kemi hapësira adekuate për zhvillimin e aktivitetit si BKK”, ka thënë Kajtazi. BKK-ja ka 22 balerinë të rregullt. Zakonisht numri rritet varësisht nga shfaqjet. Angazhojnë edhe të jashtëm nëpërmjet kontratave të përkohshme. Këtë e bëjnë për t’i plotësuar nevojat por njëkohësisht edhe për t’u dhënë mundësi të rinjve për të ushtruar balet.
Në tetor të vitit të kaluar BKK-ja ka festuar 50-vjetorin e themelimit. Drejtori aktual i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, kishte përmendur shumë sfida, midis tyre edhe nevojën për një shtëpi të institucionet. Kishte thënë se për 50 vjet me radhë, fati i BKK-së ishte i lidhur kryekëput me fatin e të gjithë popullit të Kosovës dhe nuk përbën ndonjë përjashtim sa u përket vështirësive dhe sfidave nëpër të cilat ka kaluar vendi.
“BKK-ja historinë e ka të ndarë në dy etapa. Atë ku prej vitit 1972 gjenerata e parë vuri në skenë shfaqja deri më 1991 kur dhunshëm u larguan nga Teatri. Etapa e dytë është ajo e pasluftës, kur profesori Ahmet Brahimaj së bashku me kolegët e gjeneratës së tij arritën ta rithemelonin BKK-në duke krijuar brezin e ri të cilët rivunë në jetë këtë institucion”, kishte thënë ai në mbrëmjen kur me një version të adaptuar ishte rikthyer në skenë “Halili dhe Hajria”. Po në atë mbrëmje nevojën e një ndërtesë si shtëpi të përhershme të Baletit e kishte përmendur edhe balerini Elez Nikçi i cili kishte folur në emër të gjeneratës së parë të balerinëve kosovarë. Ministria e Kulturës aktualisht ka të hapur një konkurs ndërkombëtar për detyrën projektuese të ndërtesës së teatrit të operës dhe baletit. Kjo histori është e vjetër. Më 2009 ishte vënë një guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik në Prishtinë ku edhe ishin shpenzuar mbi një milion euro. E tash synimet janë që ndërtesa të zërë vend prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit.