“Në prozën e tij Rrahmani i thyen shpeshherë kufijtë e zhanrit letrar dhe shpalos një botë njerëzore të përgjithshme. Në fushë të studimeve letrare Zejnullah Rrahmani ka lënë gjurmë të thella në domenin e teorisë së letërsisë dhe të letërsisë së përgjithshme. Konceptet e tij janë të avancuara“, është njëra prej arsyeve për të cilat Zejnullah Rrahmani është shpallur laureat i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” në ceremoninë ku janë ndarë edhe çmimet vjetore për letërsi
Hapi që Zejnullah Rrahmani ka shënuar në kuadrin e përgjithshëm të prozës aktuale shqipe dhe gjurmët e thella që ka lënë në domenin e teorisë së letërsisë dhe të letërsisë së përgjithshme, kanë qenë disa prej arsyeve për të cilat është shpallur laureat i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”.
Në ceremoninë modeste në kabinetin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, të martën, pos këtij çmimi janë ndarë edhe çmimet vjetore për letërsi.
Veli Karahoda ka marrë çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, çmimin për veprën më të mirë për poezi “Ali Podrimja” e ka marrë Sabit Bajraktari, atë për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova”, Haqif Mulliqi dhe për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani”, Meliza Krasniqi.
“Proza e Zejnullah Rrahmanit shënoi një hap cilësor përpara në kuadrin e përgjithshëm të prozës aktuale shqipe, me shkëputje nga format tradicionale realiste, këndej e andej kufirit duke sjellë kështu frymën e prozës moderniste evropiane, trashëgiminë letrare të Joyceit, Kafkës, Proustit, Hesses e të tjerëve. Në prozën e tij, Rrahmani i thyen shpeshherë kufijtë e zhanrit letrar dhe shpalos një botë njerëzore të përgjithshme. Në fushë të studimeve letrare, Zejnullah Rrahmani ka lënë gjurmë të thella në domenin e teorisë së letërsisë dhe të letërsisë së përgjithshme. Konceptet e tij janë të avancuara“, ka lexuar Osman Gashi arsyetimin e jurisë që ka kryesuar e që në përbërje ka pasur edhe Bardh Rugovën, Rrahman Paçarizin, Gëzim Aliun dhe Azem Deliun.
Zejnullah Rrahmani është romancier, tregimtar dhe studiues i letërsisë.
“Ka lindur në Ballofc të Podujevës. Ka doktoruar në fushën e teorisë së letërsisë, fushë në të cilën ka ligjëruar para studentëve të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës deri në pensionim. Ka ushtruar funksionin e dekanit të Fakultetit të Filologjisë, ishte anëtar i Këshillit Nacional për programet e letërsisë, anëtar i Këshillit për unifikimin e teksteve dhe të programeve nacionale të Kosovës dhe të Shqipërisë. Nga viti 1970 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës”, ka lexuar Gashi.
Rrahmani është anëtar i rregull i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës që nga viti 2016. Ai është autor i rreth 30 veprave letrare dhe në fushën e teorisë e të kritikës.
Në pamundësi që të jetë i pranishëm, çmimin në vend të Zejnullah Rrahmanit e mori vëllai i tij, shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani.
”Ai më porositi që në emër të tij t’ju përshëndes dhe ta falënderoj jurinë, ministrin dhe Ministrinë për vlerësimin që i është bërë”, ka thënë Nazmi Rrahmani.
Në kuadër të ceremonisë janë ndarë katër çmime vjetore, përderisa ai për veprën për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” nuk ka pasur laureat. Juria propozoi të mos e ndajë me arsyetimin se nuk ka pasur prurje.
“Çmimi për veprën më të mirë në prozë ‘Anton Pashku’ t'i jepet Veli Karahodës për romanin ‘Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit’. Çmimi për veprën më të mirë për poezi “Ali Podrimja” t’i jepet Sabit Bajraktarit për librin ‘Noah’. Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë ‘Ibrahim Rugova’ t'i jepet Haqif Mulliqit për veprën “Henrik Ibseni fryma e parë e modernes”. Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe ‘Pjetër Bogdani’ t'i jepet Meliza Krasniqit për përkthimin e veprës ‘Arti i fiksionit’ të David Lodge”, ka bërë të ditur Gashi.
Karahoda mori vlerësime të larta nga juria, e cila romanin e tij të fundit e ka vlerësuar si sagë, epope, roman që i referohet një areali të njohur për shqiptarët si dhe një kohe jo shumë të largët.
“Veli Karahoda është i lindur më 1968. Ka shkruar poezi, tregime, novela dhe ese. Deri tash ka botuar katër romane, “Kështjella shqip e Kafkës”, ‘Demonët’, ‘Serpenti dhe hija’ dhe ‘Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit’. Dy vëllime poezish, ‘Klepsidra e verdhë’ dhe ‘Akademia e veshjes së bukur’. Dy përmbledhje tregimesh ‘Balsamuesit e luleve’ dhe ‘Lukrecia’, si dhe një vëllim me ese, ‘Panairi i kufomave’. Duke parë tërë opusin krijues të Veli Karahodës mund të konstatojmë se kemi të bëjmë me një krijues të gjithanshëm, me interesime tematike e ideore nga më të ndryshmet”, ka thënë Osman Gashi.
Poezitë e vëllimit “Noah” të Sabit Bajraktarit u vlerësuan si perla që shndrisin në sytë e lexuesit.
“Sabit Bajraktari ka shkruar romane e tregime, por duket se gjithsesi primar tek ai është poezia. Poezitë e vëllimit ‘Noah’ duken përgjithësisht si perla të cilat edhe nuk është e vështirë të vërehen”, ka vlerësuar juria.
“Henrik Ibseni – fryma e parë e modernes” është vepra me të cilën Haqif Mulliqi mori çmimin “Ibrahim Rugova”. Nga juria u vlerësuan arritjet e tij akademike. Mulliqi është autor i më shumë se 40 dramave dhe dy monografive shkencore, i mbi 300 trajtesave e kritikave teatrore analizave e recensioneve.
“Haqif Mulliqi është i lindur në Pejë më 1960. Studimet themelore për drejtësi i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ato master për psikologji në Tiranë, ndërkaq ka doktoruar në fushën e antropologjisë së dramës dhe teatrit në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë”, është thënë në raportin e jurisë.
Edhe një biografi e shkurtër e Meliza Krasniqit u nda me të pranishmit në ceremoninë e ndarjes së këtyre çmimeve. Nuk kaluan pa u përmendur librat e saj studimorë e përkthimet e shumta.
“Meliza Krasniqi është studiuese e letërsisë dhe përkthyese, është doktore e shkencave filologjike, bashkëpunëtore shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka botuar libra studimorë, ka përkthyer po ashtu edhe libra të shumtë”, ka përfunduar Gashi.
Vitin e kaluar Adem Gashi ishte laureat i çmimit për vepër jetësore “Azem Shkreli”. Mehmet Kraja me romanin “Liria ime” mori çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” e atë “Ali Podrimja” për veprën në poezi “Burri që lozte me engjëjt” e mori Xhevdet Bajraj. Çmimin për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” e mori Blerina Rogova-Gaxha me veprën “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”, ndërkaq çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” e mori Col Mehmeti për veprën “Meditime” të Mark Aurelit.