Kulturë

Austria e Hungaria në luftë për portretin e Klimtit

Portreti i princit William Nii Nortey Dowuona, realizuar nga simbolisti Gustav Klimt, peshon 15 milionë euro

Portreti i princit William Nii Nortey Dowuona, realizuar nga simbolisti Gustav Klimt, peshon 15 milionë euro

(ArtNet) – Një portret i çmuar i princit nga Ghana, pikturuar nga Gustav Klimt dhe i humbur për dekada të tëra, është shfaqur sërish dhe menjëherë ka shkaktuar një konflikt të ashpër. Autoritetet hungareze pretendojnë se piktura është eksportuar ilegalisht nga vendi, ndërsa galeria vjeneze dhe institucionet austriake kanë një version tjetër të ngjarjes; në qendër të krejt kësaj qëndron vepra e vlerësuar me 15 milionë euro.

Historia, e denjë për një skenar filmi filloi një ditë vere të vitit 2023, kur një burrë i panjohur hyri në galerinë vjeneze “Wienerroither & Kohlbacher” me synimin për të shitur një pikturë të Gustav Klimtit. Fillimisht stafi e refuzoi, duke menduar se bëhej fjalë për një shaka. Megjithatë, kur pronari i galerisë, Ebi Kohlbacher, ekspert i simbolizmit austriak, dëgjoi për këtë, kujtoi se disa nga veprat e Klimtit ende konsideroheshin të humbura. Ai u nis me vrap pas burrit, e arriti dhe pa fotografinë e një tabloje që kishte humbur tetë dekada më parë – portretin e princit William Nii Nortey Dowuona. Pasi u konfirmua autenticiteti, vepra u ofrua në panairin prestigjioz të artit TEFAF në Maastricht për 15 milionë euro, por në vend të shitjes pasoi sekuestrimi dhe një konflikt ndërkombëtar që tronditi botën e artit.

Bëhet fjalë për një nga portretet e rralla të një personi me ngjyrë në artin evropian, pikturuar nga një mjeshtër si Klimt. Princi Dowuona ishte udhëheqës i popullit Ga pranë Akras së sotme në Gana dhe kishte mbërritur në Vjenë në vitin 1897 si pjesë e një ekspozite kontroverse, të ashtuquajturit “kopsht zoologjik njerëzor”, i cili tërhiqte deri në 10 mijë vizitorë në ditë. Pavarësisht kontekstit kolonial problematik, ekspertë si Alfred Weidinger thonë se piktura shënon një pikë kthese në perceptimin e afrikanëve si dhe një fazë kyçe të zhvillimit artistik të Klimtit. Vepra paraqet tensionin mes “figurës së detajuar dhe naturaliste” të princit dhe “sfondit vibrues, pothuajse ekspresionist”, duke paralajmëruar stilin e njohur të mëvonshëm të piktorit. “Është e qartë se tabloja rrezaton adhurimin e tij”, ka thënë Kohlbacher, duke theksuar se Klimt duhet ta ketë njohur dhe respektuar modelin e vet.

Historia e pikturës është po aq e ndërlikuar sa edhe vlera e saj artistike. Pas vdekjes së Klimtit më 1918, portreti u ble nga Ernestine dhe Felix Klein, tregtarë të pasur hebrenj të verërave. Kur nazistët aneksuan Austrinë në vitin 1938, çifti u detyrua të arratisej dhe pikturën ia lanë në dorë një të njohure, e cila më pas e transferoi në Hungari. Pasi komunistët morën pushtetin në Budapest më 1949, gruaja injoroi të gjitha kërkesat e familjes Klein për kthimin e veprës, e cila më pas humbi gjurmët. Në Hungari piktura kaloi nëpër duart e katër pronarëve midis viteve 1988 dhe 2023, kur më në fund u kthye në Austri. Para ekspozimit në panairin TEFAF të këtij viti, u arrit një marrëveshje konfidenciale për rikthimin te trashëgimtarët e familjes Klein, duke zgjidhur teorikisht çështjen ligjore të pronësisë.

Por aty hyn në lojë shteti hungarez. Budapesti pohon se piktura është eksportuar ilegalisht dhe kërkon kthimin e saj. Sipas ligjit hungarez, veprat e artit më të vjetra se 50 vjet dhe me vlerë mbi një milion forinta (rreth 2500 euro) kërkojnë leje eksporti. Autoritetet hungareze dyshojnë se shitësi ka fshehur faktin se bëhej fjalë për një vepër të Klimtit, për të shmangur ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Me kërkesë të tyre, prokuroria shtetërore vjeneze lëshoi një urdhër për sekuestrimin e pikturës, duke e kthyer këtë në një incident diplomatik të nivelit të lartë.

Në qendër të konfliktit qëndrojnë raportet kontradiktore për lejen e eksportit. Gazeta hungareze “HVG”  pretendon se leja nuk është lëshuar kurrë. Nga ana tjetër, gazeta austriake “Der Standard” thotë se ka parë një leje të datës 21 korrik 2023. Zëdhënësi i galerisë ka thënë për “Artnet News” se autoritetet hungareze e kishin inspektuar pikturën në vitin 2023 dhe e kishin shpallur të sigurt për eksport, madje posedojnë edhe një dokument zyrtar ku shkruhet “leja e eksportit nuk është e nevojshme”. Skenari më i mundshëm është një gabim burokratik.