Ka diplomuar për drejtësi, por Ferka Cukaj nuk kishte pasur mundësi ta ushtronte këtë profesion për shkak të largimit nga puna prej regjimit serb në Kosovë, në fillim të viteve ‘90. Këtu e një çerekshekull më parë nisi të punonte veshje të Rugovës, e sot e kësaj dite nuk iu nda këtij zanati
Në qytetin e Pejës, buzë bjeshkëve të Kelmendit, në dyqanin e 60-vjeçares Ferka Cukaj të krijohet përshtypja sikur koha është ndalur. Brenda katër mureve gjenden kostume tradicionale të regjionit të Rugovës.
Veshjet e varura në muret e dyqanit paraqesin një element të theksuar etnik dhe formojnë një shtyllë identitare të lashtësisë së banorëve të kësaj ane.
Cukaj kishte nisur të punonte veshje të kësaj ane para një çerekshekulli, kur u martua me një rugovas.
“Atëherë, duke i parë disa detaje të grave të vjetra e të reja që punonin, më ka interesuar shumë dhe jam inspiruar e kështu nga rrobaqepësia për fustane kam kaluar në veshje kombëtare“, ka thënë ajo.
E ardhur nga Fushë-Kosova, ajo thotë se tani ka mësuar çdo detaj të veshjeve të Rugovës.
“Në fillim ka qenë shumë i vështirë dhe i rëndë punimi me rruaza, ani pse me to kam punuar edhe më herët në qëndisje të fustaneve, bluzave e setrave, por kjo veshje lyp më shumë kujdes, pasi ka punime me të rënda. Tani është normale dhe e punoj me shumë kënaqësi”, ka thënë ajo.
Modelet variojnë nga njëri te tjetri falë disa detajeve të vogla që ua rrisin vlerën estetike këtyre veshjeve. Pikërisht ato që i bëjnë këto veshje një kanavacë arti, ku i gjen të qëndisura me kujdes lulet me rruaza.
Shpesh, edhe vajzat e saj – të cilat punojnë në profesione të vetat – gjejnë kohë për t’i ndihmuar. Në ndihmë i del edhe kunata dhe kështu së bashku arrijnë t’i përmbushin kërkesat e klientëve.
“Pas luftës shumë ka interesim të madh. Edhe tash, ani pse është kohë pandemie, i kemi mysafirët që kanë marrë më herët dhe dikush ia sheh dikujt dhe kjo punë shkon kështu me rend, nuk shkëputet asnjëherë”, ka thënë ajo.

Ferka me profesion është juriste, mirëpo nuk kishte pasur mundësi ta ushtronte këtë profesion për shkak të largimit nga puna prej regjimit serb në Kosovë, në fillim të viteve ‘90.
“Më ka konvenuar, pasi edhe fëmijët i kam rritur dhe normalisht u kam ndihmuar me detyra e gjëra të tjera. Dhe atë profesion e kam lënë dhe tani merrem vetëm me këtë punë. Gjithmonë prindërit kanë qenë kundër dhe më kanë thënë ta lë këtë punë e të vazhdoj me mësime, por unë gjithmonë e kam pasur këtë punë të dytë. Krahas shkollës së mesme e fakultetit, gjithmonë jam marrë me këtë zanat”, ka thënë ajo. Me vdekjen e burrit, ajo e mbajti vetë familjen e saj – dy vajzat dhe djalin – atëherë ende fëmijë. Puna me veshje kombëtare, sipas saj, çdo herë ishte profitabile. Por, për të, me rëndësi çdoherë mbetet ruajtja e trashëgimisë.
“Fëmijët tash edhe në rast të festave nëpër shkolla i kërkojnë shumë. Çdo festë, çdo dasmë e çdo gjë duket më bukur, e ka atë ngjyrën e vet, me veshje kombëtare është krejt tjetër. Tani fëmijët i kërkojnë shumë të vegjël, pastaj edhe këta të diasporës i kërkojnë. Shumë mirë që i kanë mësuar kështu. Edhe fëmijët, por edhe moshat e rritura i kërkojnë këto veshje”, ka thënë ajo.
Cukaj thekson se është një punë e vështirë, pasi kërkon shumë vëmendje. Punën e vështirësojnë elementet e shumta që e përbëjnë veshjen. Përmend disa shembuj si: këmisha që njëherë qëndiset me dorë e pastaj punohet në makinë, fustani i Rugovës i cili i ka 100 deri në 120 pjesë, shamia e punuar në veg, qosteku që vendoset në qafë, dy kollanët, kracat e punuara në dorë, pështjellaku që punohet me spik, hajmalia, rrushet që vihen mbrapa a mangat. Çdo pjesë e veshjes është e punuar me rruaza, derisa spiku ose gajtani me të cilin punohen pjesë të tjera është shumë i lashtë.
Megjithatë, tregon se nuk e ndien lodhjen për shkak se këtë punë e ka shumë për zemër. Ajo, me shumë zell, çdo ditë e hap dyqanin e saj në Çarshinë e Pejës. Beson se sa herë që një veshje tradicionale del nga dyqani i saj është një shenjë e mirë se tradita po vazhdon.