Kulturë

Artistja iraniane Parastou Forouhar: “Regjimi është kundër grave”

Teksa pas vrasjes së një gruaje të re nga policia e “moralit” në Iran protestat vazhdojnë, artistja disidente iraniane Parastou Forouhar ka njëfarë optimizmi pavarësisht se është shumë e zemëruar. Më 21 shtator Mahsa Amini do t’i kishte mbushur 23 vjet. Ajo u arrestua pasi dyshohet se nuk e kishte vendosur hixhabin. E pyetur se si mund të kishte vdekur ajo në paraburgim policor për një shkelje kaq të vogël, Forouhar thotë se “as që bëhej fjalë për refuzimin për të veshur hixhabin”. Sipas saj, dyshohet vetëm që Mahsa Amani nuk e kishte veshur siç duhet atë! “Dhe, për këtë arsye ajo u keqtrajtua dhe u rrah tmerrësisht. Dhe tani janë gratë ato që po dalin në rrugë, në protestat e shumta. Vetëm tani po shohim një refuzim absolut për të veshur mbulesën. Gratë po i djegin shamitë dhe këtë po e bëjnë publikisht. Ditëve të fundit disa nga gratë janë qëlluar”, ka thënë artistja e aktivistja iraniane. Ky rast thotë se e zëmëron fort, por gjithashtu është e trishtuar që të rinjtë janë të ekspozuar ndaj një brutaliteti të tillë dhe nuk mund t'i shpëtojnë kësaj dhune.

“Është si një kurth. Kjo diktaturë fetare është një grup rregullash në funksion të paternalizmit. Brez pas brezi iranianët janë përpjekur që të mund të vetëvendosin, por po dështojnë për shkak të këtij brutaliteti”, thotë Forouhar. Prindërit e saj u vranë për arsye politike në vitin 1998. Nga situata e tanishme ajo thotë se është e shqetësuar dhe për këtë përmend disa arsye.

“Sidomos për faktin se po vërej se disa shërbime të bisedave në aplikacione të ndryshme si WhatsApp janë pezulluar nga regjimi. Ideja është të krijohet izolim në mënyrë që lajmet të mos përhapen. Sa herë që ndodh diçka e tillë, qeveria planifikon një represion edhe më të ashpër, arrestime masive ose të shtëna në turmë”, ka thënë artisja. Sipas saj, të mërkurën filloi me arrestimin, jo vetëm të atyre që merrnin pjesë në demonstrata, por edhe të aktivistëve, të aktivistëve të njohur, të cilët nuk ishin në demonstrata, por në shtëpitë e tyre. “Ata u sulmuan nga forcat e sigurisë. Ishte vërtet shumë e dhunshme. Vazhdon të mos ketë asnjë lajm për këta persona”, ka thënë Forouhar.

Siç kishte deklaruar aktorja britaniko-iraniane Nazanin Boniadi më 1979, se ka pasur një revolucion kundër grave e tash është një revolucion i udhëhequr nga gratë, Forouhar thotë se mendon që

njerëz të cilët morën pjesë në revolucionin e vitit 1979 nuk menduan se ai ishte kundër grave.

“Ata dolën në rrugë duke shpresuar për liri, pavarësi dhe drejtësi. Por ata u mposhtën nga forcat fetare. Pavarësisht protestave të shoqërisë civile, ata morën pushtetin. Unë besoj se regjimi është kundër grave. Është një lloj sistemi aparteid kundër grave të cilat nuk supozohet të kenë të drejta të barabarta me burrat”, ka thënë ajo.

Parastou Forouhar prej kohësh jeton në mërgim, në Gjermani. Çdo vit, në përvjetorin e vdekjes së prindërve të saj, Parvaneh dhe Dariush Forouhar, përpiqet që të shkojë në Iran.

“Megjithatë, është e rrezikshme sepse atje jam paditur dhe jam dënuar me gjashtë vjet burg me kusht. Sidoqoftë, unë shkova përsëri atje vitin e kaluar. Për mua është një akt rezistence të ruash kulturën e kujtimit dhe të këmbëngulësh për drejtësi. Unë po bëj gjithashtu çfarë mundem për të bërë publike atë që po ndodh, për të treguar se çfarë po ndodh, për të mbështetur njerëzit në terren. Ajo që duhet të ndryshojë duhet të vijë nga brenda. Por edhe vendet demokratike mund ta mbështesin këtë lëvizje që po ndodh në Iran”, ka thënë Parastou Forouhar. Por sa shpreson që protestat të jenë ndryshe kësaj here?

“Kjo është një pyetje e vështirë. Më shtohen shpresat çdo ditë kur i shoh që njerëzit po dalin në rrugë me kaq guxim. Ky vizion, kjo rezistencë, ky vullnet njerëzor për të sjellë një jetë më të mirë për veten dhe shoqërinë më frymëzon. Por kujtimi i represionit është i thellë. Njerëzit kanë gjithmonë në mendjen e tyre imazhet e brutalitetit”, ka thënë Forouhar.

Marrë nga: DW. Përktheu: Mirjetë Sadiku