Kulturë

Artisti i rrugëtimit prej momenteve të rëndomta deri te kauzat sociale

Foto: Koha

Arbnor Karaliti nuk ka pasur mundësi që ta takojë shoqërinë e tij. Me ta, po të mos vlenin rregullat e distancës sociale, do të kalonte shumë kohë. Në pamundësi për t’i parë personazhet që i ka takuar çdo ditë, ai po i pikturon. Thotë se nëpërmjet pikturës, në një mënyrë është duke i mbajtur kontaktet me ta. Portretet unike të shoqërisë së tij në vende të zakonshme më 9 prill ishin paraqitur edhe në kuadër të ekspozitës virtuale “Artist në karantinë”, të publikuara online nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Përmes tyre Karaliti e pasqyron realitetin e gjeneratës së tij duke i glorifikuar momentet e rëndomta, që në kohë karantine duken më të vërteta se kurrë. Piktori 23-vjeçar pas më shumë se tri javë në vetizolim thotë se është gati në përfundim të këtij cikli me portrete. E pas kësaj serie do t’i duhet që të gjejë mënyra të reja për ta mbajtur veten të zënë. Por deri më tani qetësinë dhe frymëzimin po i kërkon te disa momente të veçanta të së kaluarës, të cilat, sipas tij, në të njëjtën kohë po i ngjallin nostalgji dhe dashuri tek i paraqet në piktura. Pikërisht piktura është pika kryesore në krijimtarinë e tij artistike. Zanafilla janë ca shtëpi, pula, lule, zogj e vetura që i kishte pikturuar si fëmijë. Pjesa tjetër është sfidë më vete.

Nga “ilegali” i klasës te arti bashkëkohor

Karaliti e kaloi fëmijërinë e tij në fshatin Zllatar në Ferizaj. Asokohe e shihte vizatimin si një mënyrë për të komunikuar më mirë. Por njëlloj nuk e pa edhe familja e tij. Prindërit e tij këmbëngulnin që ai të studionte për shkencë. Arti shihej prej tyre si një profesion i pasigurt për të ardhme. Njëlloj mendonte edhe shoqëria përreth tij. Dashuria për artin dhe këmbëngulësia bëri që Karaliti të shihej si rebel.

“Nuk ishte e lehtë aspak të zgjedhja që me profesion të isha artist. Kjo ishte diçka që askush nuk e kishte bërë më parë në fshatin ku po rritesha, kështu që ishte një sfidë e dyfishtë për mua”, thotë Karaliti nga banesa e tij në Prishtinë.

Ai i kujton vizatimet e para që shpërfaqnin lidhshmërinë e tij me natyrën dhe jetën në fshat. Diçka e tillë paraqitet edhe në vizatimet që ende i ruan. Më i vjetri prej këtij koleksioni është ai i 2005-s, kur ishte 9-vjeçar. Pasi që përfundoi gjimnazin, në Drejtimin Matematikë dhe Informatikë në vendlindje, dëshirë e prindërve të Karalitit ishte që ai të ndiqte studimet për arkitekturë. Por nuk ngjau ashtu. Karaliti nuk e la anash artin. Në vitin e fundit të gjimnazit, më 2014, ai hapi ekspozitën e tij të parë personale, të titulluar “Paintings of Friday", në Qendrën e Kulturës në Ferizaj. Kishte shpalosur veprat që i kishte realizuar çdo të premte në kursin privat që ndiqte me profesoreshën Lebibe Topalli. Atë vit, i sigurt në atë që dëshironte, aplikon në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

“Pasi që nuk arrita që të pranohesha atë vit, me këmbëngulësi dhe dëshirë për atë që doja dhe me lejen e profesorëve ndoqa ligjëratat një vit si student. Fillova që t’i ndjek ato si një ‘rebel’, duke qenë prezent në çdo ligjëratë, edhe pse nuk isha student”, tregon Karaliti, i cili vitin tjetër kur aplikoi u pranua si student i rregullt. Fillimisht gjatë studimeve ai ndoqi kornizat që ishin vendosur nga mësimdhënësit gjatë studimeve për shkak të planprogrameve të tyre. Por, pas studimeve ai filloi që ta shihte nevojën që artin e tij ta shprehte edhe nëpërmjet mediumeve të tjera. E atëherë piktura nuk i mjaftoi. Kështu nisi hulumtimi i tij për mediume të reja për të prezantuar artin e tij të ndikuar nga eksperiencat e tij personale, nga problemet shoqërore, por edhe nga tabutë e ndryshme.

“Praktika ime e artit fillon me pikturën dhe shkon të mediumet e reja, për të gjetur dhe formuar një identitet artistik, si një proces i të mësuarit për veten përmes artit”, thotë Karaliti. Tregon se në fillim me pikturën kishte kaluar nëpër faza të ndryshme si realizmi, impresionizmi, post-impresionizmi, e kishte përfunduar në fauvism e kishte vazhduar te arti bashkëkohor.

Dalja jashtë kornizave të pikturës

Ekspozita “4 minute walk” ishte kurorëzim i dy vjetëve punë brenda shkëndijave të reja që po ngjalleshin. Një përpëlitje për të dalë jashtë kornizës së pikturës. Aty Karaliti përveç pikturës do të prezantohej edhe me instalacion dhe video në Galerinë e Arteve në Ferizaj në vitin 2018. Një vit para kësaj ai kishte hapur ekspozitën e tij të dytë personale “Talking my feelings” në “Raiffeisen Gallery” në Prishtinë.

“Gjërat që kurrë nuk i kam thënë, janë manifestuar të ‘4 minute walk’ në një formë tjetër të komunikimit. 4 minuta janë në proporcion me ato që nuk i kam thënë në raste të caktuara e që kanë qenë pengesë për zhvillimin e ngjarjeve pastaj. Çfarë përfundoi brenda 4 minutave është një kuptim simbolik për ato që kurrë nuk janë thënë apo realizuar të manifestuara përmes artit”, thotë Karaliti.

Hulumtimi i tij i mëtutjeshëm në këtë aspekt e dërgoi edhe te ekspozita tjetër personale, “Emotion and thoughts, a feeling just by making eye contact”. Aty Karaliti trajton ndjenjat që krijohen kur i takon njerëzit për herë të parë.

“Çfarë ndiejnë ata? A mund t’i lexosh mendjet e njerëzve përmes syve të tyre? A mund të kuptosh çfarë ndien një person vetëm përmes kontaktit me sy?”, janë disa nga pyetjet që Karaliti ia kishte bërë vetes në këtë ekspozitë që u hap në galerinë “Destil” në Tiranë vitin e kaluar. Pikërisht 2019-a ishte vit që e solli artin e Karalitit më shpesh në vëmendje të publikut, veçanërisht në kryeqytet. Aty pati dy ekspozita kolektive. Ishte viti kur Karaliti i përfundoi studimet për pikturë në Universitetin e Prishtinës. Ai u prezantua në ekspozitën “Artistët e rinj” në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe “Gjon Mili” po ashtu në GKK.

Ishte “Teori mbi virgjinitetin” ajo që në qershor e dërgoi Karalitin në mesin e finalistëve që u konsideruan si artistët e së ardhmes, vitin e kaluar. U paraqit me një çarçaf me gjak të vendosur brenda dy xhamave si “konservim i virgjinitetit” ose “ruajtje e moralit”.

“Çarçafi i bardhë brenda xhamave nënkupton një ruajtje të përhershme. Përderisa xhami reprezantonte fragjilitetin e kësaj bisede. Në këtë mënyrë virgjiniteti ishte parë si diçka e lidhur drejtpërdrejt me moralitetin e njeriut”, thotë Karaliti. E “Make sure you are working” me letra të verdha të ngjitura në një mur të kuq dhe tre televizorë ku ishin lëshuar dy video ku shihet ai duke punuar si mirëmbajtës hoteli, e vunë në mesin e finalistëve për çmimin “Gjon Mili”. Përmes kësaj vepre, Karaliti tregonte një mënyrë të çuditshme të komunikimit gjatë një eksperience të vërtetë të punës në Missouri në SHBA.

“Mënyra ime teknike e të punuarit është e ndarë përmes fazave si në pikturë ashtu edhe në mediumet e reja”, thotë Karaliti. Tregon se në pikturë skicon me një vijë të kuqe, e cila i ndihmon që të vendosë temën përmes personazheve dhe që të ndajë planet nga sfondi.

“Duke përdorur pak terpentinë dhe vaj, unë vazhdoj të rilyej tërë hapësirën si një lloj gdhendjeje, derisa të arrij fazën përfundimtare të karakterit dhe gjërave të tjera”, thotë ai. Tregon se në secilën fazë lejon që vaji të thahet para se të pikturojë përsëri. Ndërsa kur punon me mediume të tjera, thotë se, para së gjithash, ai zgjedh problemin dhe më pas gjatë procesit të hulumtimit vendos për mediumin që sipas tij mund të shprehet më së miri qoftë si instalacion, video apo material i gatshëm. Ai thotë se për momentin kur flet për artin nuk pajtohet me ekzagjerimet e tepërta e që, sipas tij, nuk kanë një qëllim apo arsye. Por njëkohësisht është edhe kundër disa “rregullave” ndaj të cilave bëhet perceptimi se çka është art dhe çfarë jo.

“Arti për mua është si një gjuhë për të shprehur përjetimet e mia personale apo kauzat e ndryshme”, thotë Kraliti i mbyllur në banesën e tij, ku zënë vend edhe portretet e realizuara së fundmi. Koronavirusi e ka lënë pa hapur ekspozitën “Bureaucracy drama”, për të cilën ishte në kontakt me disa galeri. Aty Karaliti ka thënë se e trajton izolimin si dramë burokratike për të udhëtuar jashtë vendit.