Kulturë

Artisti i mozaikëve hap horizonte drejt skenës artistike ndërkombëtare

Arti i Alkent Pozhegut tashmë është certifikuar në Luksemburg, me çka edhe i janë hapur dyert e sukseseve ndërkombëtare në skenën artistike. Një certifikatë për arritje artistike i është ndarë në dhjetorin e kaluar, e të cilën Pozhegu e ka pranuar këto ditë dhe e ka ndarë me ndjekësit e artit të tij

Arti i Alkent Pozhegut ka shëtitur botën nëpërmjet ekraneve elektronike, si rrjedhojë e raportimeve të mediumeve botërore për mozaikët e punuara prej tij. Veçanërisht kishte bërë bujë punimi i portretit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në fillim të marsit, pak pasi kishe nisur pushtimi i Ukrainës nga agresioni rus. Me anë të drithërave kishte projektuar edhe portretin e mbretëreshës Elizabeta II në nderim të personalitetit të saj në botë e në vend. Në dy rastet, artin e vuri në shërbim të solidaritetit me luftën e figurën e shquar botërore, por vlerësimi artistik profesional për 46-vjeçarin nga Gjakova u vulos në përfundim të vitit të kaluar. Arti i tij u njoh nga muzeu “Pinacotheque” nëpërmjet “Luxembourg Art Prize 2022” .

Arti i Alkent Pozhegut tashmë është certifikuar në Luksemburg me çka edhe i janë hapur dyert e sukseseve ndërkombëtare në skenën artistike. Një certifikatë për arritje artistike i është ndarë në dhjetorin e kaluar e të cilën Pozhegu e ka pranuar këto ditë dhe e ka ndarë me ndjekësit e artit të tij. “‘Pinacotheque’ jep certifikatën për kualitet të lartë artistik të Alkent Pozhegut si njohje nga muzeu për pjesëmarrje në përzgjedhjen ndërkombëtare në ‘Luxembourg Art Prize 2022’. Vetëm artistët më meritorë e pranojnë këtë certifikatë. Komiteti përzgjedhës i Muzeut përgëzon artistët dhe i inkurajon ta vazhdojnë krijimtarinë e tyre”, shkruhet në certifikatën elektronike të lëshuar nga muzeu “Pinacotheque”.

Alkent Pozhegu ka treguar se ka aplikuar në shtator për një nga tri çmimet që jepen nga muzeu privat atje, por i ka mjaftuar njohja e artit të tij për të vazhduar të punojë vepra të reja.

“Kanë qenë mozaikë të përmasave më të vogla, kam dërguar fotografi të përmasave që i bëj në tokë dhe disa prej tyre që janë të ngjitura të përhershme. Më ka ardhur mirë, pasi ka qenë shtytëse të merrem me punën time, pasi kur vlerësohet nga profesionistë, me të vërtetë është mirë. Për mua është shtytje shumë e madhe të vazhdoj të realizoj punë të tjera”, është shprehur Pozhegu, punimet e të cilit kishin mbërritur te juria si fotografi nëpërmjet postës elektronike.

Juria përzgjedhëse e fituesve ka qenë e përbërë nga Anne-Claudie Coric, drejtoreshë menaxhuese e galerisë “Templon”, që vepron mes Parisit dhe Brukselit; Olivier Donat, ish-drejtor për ekspozita dhe publikime në Muzeun e Parisit; kritikja e artit Isabelle de Maison Rouge, kuratori Christophe Duvivier dhe Adriano Picinati di Torcello, drejtor i artit në “Deloitte Consulting”.

Në ueb-faqen e Çmimit të Artit të Luksemburgut thuhet se nëpërmjet tij “synohet të zbulohen dhe promovohen artistë të talentuar që ende nuk kanë krijuar një profil në skenën bashkëkohore ndërkombëtare”.

Një listë e finalistëve i kishte paraprirë asaj të fituesve ku veprat e kualifikuara për të qenë më pranë çmimeve kishin qenë vizatime, piktura, skulptura e fotografi. Çmimi i parë i është ndarë artistit francez, Ilann Vogt, i dyti u dha për turken Sema Maskili, ndërsa i treti për gjermanen Evelyn Hellenschmidt. Dy veprat e para fituese janë piktura, ndërsa vepra që u përzgjodh fituese për vendin e tretë ishte skulpturë prej metali.

Çelësi për suksese ndërkombëtare në skenën artistike i është hapur ndonëse për punën e tij me mozaikë mban tri rekorde në librin “Guiness”. Në vitin 2014, emri i tij ishte regjistruar në këtë libër kur nëpërmjet drithërave e farave kishte punuar portretet e futbollistëve Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi me topin në qendër. Mozaiku ishte me përmasa 500 metra dhe me rreth 3 mijë e 800 kilogramë drithëra. Tre vjet më pas, Pozhegu kishte punuar imazhin e Rita Orës ku kishte vendosur rekord në kategori të mozaikut me fara, me portretin prej 300 metrash katrorë. Në 2019 theu rekordin e tij të vendosur në vitin 2014 nëpërmjet projektimit të figurës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump. “Ka qenë në të njëjtën kategori me të parën, aty vetëm se e kam thyer rekordin tim duke e punuar me 560 metra katrorë. Janë shfrytëzuar rreth 4 mijë kilogramë drithëra”, ka treguar Pozhegu.

Sipas tij, vështirësitë më të mëdha në punimin e mozaikëve hasen në përshtatjen e ngjyrave të pjesëve të fytyrës me ato natyrale të drithërave. “Nuk është e lehtë pasi më janë dashur disa vjet t’i siguroj produktet e nevojshme me ngjyrat natyrale. Më është dashur kohë e gjatë, pasi kam kërkuar në shumë shtete evropiane deri ku kam pasur mundësi të gjej bazat ku mund të siguroj farat kohë pas kohe. Kështu kam arritur që idetë e mia edhe t’i realizoj”, ka thënë Alkent Pozhegu, i cili këtë art e ka trashëguar nga familja.

Portretin e mbretëreshës Elizabeta II e kishte punuar në nderim të saj në shtator me rastin e ndarjes nga jeta, ku nëpërmjet artit kishte vendosur edhe emocionet e tij. Punimi i tij kishte marrë vëmendjen e mediave botërore. Ndërkohë në fillim të marsit, pak ditë pas fillimit të luftës mes Rusisë e Ukrainës, Pozhegu i ishte bashkuar solidarizimit me popullin ukrainas nëpërmjet artit. Kishte krijuar portretin e presidentit Volodymyr Zelensky prej kokrra drithërash e farash. Ndër të tjera, ai kishte punuar edhe portretet e presidentit Joe Biden, ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, Adem Jasharin, Nënë Terezës, pop-këngëtares, Dua Lipa, e figura të tjera.

Në prill të vitit të kaluar mozaikët e punuar nga ai ishin prezantuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës nëpërmjet ekspozitës së tij “Mozaik me Drithëra”.