Prej fundit të marsit, kur Ministria e Kulturës kishte njoftuar se do të formonte një grup punues për përgatitjen e planit emergjent për kulturë, rini dhe sport, si ballafaqim me efektin e pandemisë, artistët janë duke shpresuar në ndihmë institucionale. Prej atëherë kanë kaluar më shumë se një muaj e ende nuk është formuar grupi. Asokohe MKRS-ja po ashtu kishte njoftuar se në kuadër të pakos emergjente të Qeverisë, buxheti i Ministrisë së Kulturës do të rritej për 5 milionë euro për subvencionim të shoqatave sportive e kulturore të vendit. Por çështja e sigurimit të këtyre mjeteve vazhdon të mbetet krejt e paqartë, ani pse ndryshe kishin shpresuar e deklaruar autoritetet shtetërore.
Në Ministrinë e Kulturës nuk e kanë idenë se si mund të sigurojnë ndonjë pjesë të asaj shume. Por artistët ende shpresojnë në subvencionim si masë lehtësuese pas vështirësive të krijuara nga koronavirusi. Bile, për këtë, të mërkurën është dorëzuar një kërkesë në MKRS që ata të përfshihen në grupin punues. Ajo kërkesë është publikuar edhe si deklaratë e përbashkët e një grupi prej mbi 130 artistësh, nënshkrimi i së cilës është në proces. Për ta duket punë e kryer që MKRS-së i janë ndarë 5 milionë euro shtesë.
“Nga rrethanat e krijuara me shpërndarjen e shpejtë të COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5 milionë euro për mbështetjen e kulturës, rinisë dhe sportit”, shkruhet në kërkesë. “Artistët, kuratorët, hulumtuesit, punëtorët e pavarur në skenën e kulturës të poshtëshënuar kanë shtruar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, që të përfshijë përfaqësuesit e artistëve të pavarur në Grupin Punues për përpilimin e kritereve për shpërndarjen e Fondit Emergjent për kulturë, rini dhe sport”, shkruhet aty. Sipas këtij grupi, përfshirja e artistëve të pavarur e plotëson grupin punues dhe ofron një perspektivë të domosdoshme në mbrojtje të artistëve dhe punës së tyre.
Aty shkruhet se puna e artistëve të pavarur në Kosovë mund të cilësohet si punë e padukshme, duke qenë se procesi në shumicën e rasteve nuk formalizohet dhe shpeshherë rezulton si punë e papaguar.
“Mënyrat e vetme, përmes të cilave puna e artistëve kompensohet janë: përmes kontratave mbi vepër, komisionimeve të veprave, ekspozitave, koncerteve apo ngjarjeve të ndryshme, si dhe projekteve të përkohshme”, shkruhet në kërkesë. Aty ceket se përveç kësaj, burim tjetër i të ardhurave për artistët mbetet shitja e veprave të artit, ku në fakt ndodh i vetmi relacion formal në mes të shtetit dhe individëve përmes regjistrimit si biznes individual, ndonëse ky treg në Kosovë është i parregulluar dhe pothuajse nuk ekziston. Është sqaruar se në situata të tilla si kjo me COVID-19 edhe këto angazhime anulohen ose shtyhen për një afat të pacaktuar kohor, duke e rënduar gjendjen dhe duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen emergjente institucionale.