Reklamat komerciale, a fushata që përthekojnë gjithë vendin, mbulojnë me banera murale të artistëve vendorë e të huaj. Rinovimet e ndërtesave edhe zhdukin vepra. Mbrojtja e artit në hapësira publike nëpërmjet një rregulloreje a ligji ka kohë që përmendet. Por për këtë janë bërë zero hapa
Arti në hapësira publike ka mbetur në mëshirë të shoqërisë e të shtetit. Rastet kur mbulohen a cenohen muralet shtohen çdo ditë. Reklamat komerciale, a fushata që përthekojnë gjithë vendin, mbulojnë me banera murale të artistëve vendorë e të huaj. Rinovimet e ndërtesave edhe zhdukin vepra. Mbrojtja e artit në hapësira publike nëpërmjet një rregulloreje a ligji ka kohë që përmendet. Por për këtë janë bërë zero hapa.
Vendosja e një reklame mbi muralin e Nexhmije Pagarushës të shtunën alarmoi institucionet e shoqërinë. Reklama u vendos e u largu në të njëjtën ditë.
E diela ringjalli përsëri diskutimin. Shtëpia botuese “Buzuku” vendosi disa vitrinave me libra në murin afër Kinemasë ABC, ku tash e tre vjet zë vend murali “In Memoriam Astrit Dehari” i Fitore Berishës. Edhe në këtë rast u desh të dilte Inspektorati. Për vendosjen e këtyre të fundit, Edon Zeneli nga kjo shtëpi botuese ka thënë se kanë biseduar edhe me artisten e janë konsultuar me organet përgjegjëse.
Zeneli ka thënë se në asnjë moment nuk është menduar dëmtimi i muralit dhe se respektojnë veprën e artistes.
“Vitrinat janë vendosur në hapësirën ku paraprakisht kanë qenë dritaret. Nuk ka vendosje të vitrinave mbi mural, por në hapësirën që ka qenë me dritare. Kemi komunikuar paraprakisht me artisten Fitore Berisha dhe na ka dhënë pëlqimin e plotë për vendosjen e vitrinave”, ka thënë ai. Ka shtuar se nëse Komuna e Prishtinës thotë se duhet të largohen vitrinat me libra, ata do ta bëjnë një gjë të tillë. Zyrtarët komunalë ia kanë konfirmuar KOHËS se pala do të paraqitet në Komunë të martën. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Zeneli, i cili është duke u bërë gati për hapjen e një librarie të re.
Për dallim nga ky rast, Berisha, e cila u kthye në Kosovë në mars të 2019-s, pasi që ka jetuar 15 vjet në Islandë e një kohë edhe në Australi, është e njohur me dëmtimet e muraleve.
Në vitin 2020 ndërhyrjet në “Shtëpinë e Sportit” e kishin mbuluar muralin që për 14 vjet me radhë kishte zënë vend në murin e objektit që njihet si “Sllovenia Sporti” e që identifikohej pikërisht edhe me imazhin e sportistit në vrap dhe me dy duart që simbolizojnë dorëzimin e stafetës, sipër tij.
Atëherë Berisha kishte thënë se për shkak të trajtimit që u bëhet veprave dhe artistëve në Kosovë nuk ka më vullnet për të realizuar të tjera.
“Jam e zhgënjyer nga qasja që institucionet janë duke pasur ndaj artistëve. Të njëjtat institucione që kanë ofruar fonde për të krijuar veprën nuk e kanë mbrojtur atë. Ka pasur mundësi që të ndërhyhet në vepër, që e njëjta të ruhet dhe jo të fshihet komplet, ashtu siç po veprohet me vepra”, ishte komenti i saj. Të dielën nuk është përgjigjur sa i përket muralit afër Bulevardit qendror të kryeqytetit .
Fillimisht, në shkurt të 2018-s, murali i saj te “Shtëpia e Sportit” qe mbuluar nga një reklamë e “Coca Colas” e cila ishte larguar pas reagimeve të artistëve dhe ndërhyrjes së autoriteteve komunale. Vepra ishte realizuar në kuadër të projektit që Berisha kishte nisur në vitin 2002, duke themeluar një organizatë joqeveritare, të cilën e quajti “Mural Art Group”. Projekti rezultoi me disa murale nëpër kryeqytet.
Berisha më pas në vitin 2003 në murin e Fakultetit të Filologjisë realizoi muralin “Simboli i rinisë”, e që nuk ekziston prejse u rinovua objekti. Ajo është edhe autore e muralit te stacionari i ngrohjes qendrore afër Fakultetit Teknik, një dizajn me flutura e lule, i quajtur “New line”. E realizuar më 2005, kjo vepër ende reziston, ndonëse i mungon një pjesë. Më 2017 realizoi muralin te ambulanca e studentëve në Qendrën Studentore, e po atë vit edhe “Gratë tona” te “Kafja e vogël”. Më 2019 realizoi “Fuqia në ty” te rruga “Rexhep Luci” e po aty edhe “In Memoriam Astrit Dehari”.
Lebibe Topalli, udhëheqëse e organizatës “Mural Fest”, ka thënë se është fakt që veprat artistike në ambiente të hapura shpeshherë rrezikohen në mënyra të ndryshme, si mbulim, fshirje apo edhe intervenime në to.
“Rasti i fundit te murali i Nexhmije Pagarushes na ka trondit jo vetëm neve si ‘Mural Fest’ por edhe tërë komunitetin e shoqërinë civile, si dhe mediat, institucionet publike etj. Ne nuk kemi besuar se dikush mund të ketë guxim moral për ta mbuluar një figurë të tillë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se për fat të mirë intervenimet ishin të menjëhershme ndaj reklamës dhe personit që pati tendencë vendosjen e reklamës private të tij mbi këtë mural. Sipas saj, këtë mural në mënyrë indirekte e kanë ruajtur edhe vetë qytetarët me reagimet e shpejta që kanë pasur.
“Kjo njëkohësisht tregon se murali është pëlqyer dhe pranuar nga qytetaret e edhe po mbrohet nga vetë ata”, ka thënë ajo duke shtuar se prandaj është e rëndësishme që vepra të integrohet mirë me komunitetin përreth.
“Sa i përket ligjit, se a duhet të ekzistojë një rregullativë nga institucionet përkatëse për mbrojtjen e muraleve e veprave në hapësira publike, normal se ajo duhet të ekzistojë. Sa i përket kësaj të fundit, ‘MuralFest Kosova’ gjithnjë ndjek të gjitha procedurat e duhura ligjore për pikturimin e muraleve dhe implementimin e çfarëdo projekti”, ka vijuar ajo.
Për mbulimin e muralit të Pagarushës, drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, kishte njoftuar se kompania e cila ka vendosur reklamën është gjobitur me 400 euro. Redaktori i programit në Radio-Kosovë, Azem Bujupi, ishte pala e gjobitur në këtë rast. Murali i këngëtares Nexhmije Pagarusha u inaugurua më 12 nëntor, në qendër të Prishtinës. Ishte artistja spanjolle Alba Fabre që arriti ta përfundonte portretin që shfaqte Pagarushën sa ishte në kulm të karrierës së saj.
Agon Xhelili, drejtues i Qendrës për zhvillimin e Artit, ka thënë se rasti i muralit të Nexhmije Pagarushes është edhe një dëshmi e radhës ku tregon për rëndësinë dhe nevojën e një rregulloreje administrative për mbrojtjen dhe aplikimin e artit në hapësira publike.
“Një rregullore do ta harmonizonte të drejtën e hapësirave publike, do të kornizonte kriteret e aplikimit të artit në hapësira publike, si dhe do të krijonte mekanizëm për mbrojtjen e tij”, ka thënë ai. Ka treguar se organizata “Q'art” që disa vjet ka avokuar për zgjidhjen e këtij problemi dhe presin që ekipi i ri në Komunë të jenë të gatshëm për të trajtuar këtë fenomen që do t’u ndihmonte qytetarëve e në veçanti komunitetit artistik dhe turizmit kreativ në vend.
Organizata disa herë denoncoi mbulimin e muraleve si atë të artistit të njohur gjerman Case Maclaim që nuk qëndroi as dy vjet. Bëhej fjalë për “Çikat e shpisë” e njërit nga pionierët e “street artit” në botë, e vetmja që ka realizuar në Ballkan, por për të cilin Prishtina nuk pati vend.