Antropologu britanik Daniel Miller, të cilin Mary Douglas thuhet se e kishte quajtur me shaka “ai sherri i konsumit”, synon të na jap një teori të Facebook-ut, këtij avatari të madh të kulturës së sotme.
Këtë teori e bazon në përshkrimet e interpretimet e tij mikroetnografike të përdorimit të Facebookut në Trinidad dhe nga trinët në përgjithësi. Miller ka vrojtuar Trinidadin, një ishull të vogël në Karaibe prej 1.3 milion banorësh, gjysma me prejardhje nga skllavët afrikanë e gjysma nga punëtorët kinezë, për rreth 20 vite dhe ka shkruar disa vëllime për ta, përfshirë edhe dhjetëra ese. Këto venerime i sjell te libri “Përralla nga Facebook-u” të vitit 2011. Edhe në librin për internetin në Trinidad, ndër të parat vrojtime për internetin, Miller së bashku me Don Slater kishin thënë se “interneti nuk është global, por është lokal”, sepse ai përvetësohet sipas nevojave, dëshirave dhe domethënieve lokale dhe pa to interneti s’do të kishte kuptim. Miller e sheh kulturën si negociatë mes asaj që mendohet e prodhohet si “objekt” dhe konsumit të objektit, pas fazë së sublimimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKështu, duke gjetur udhë të tretë, Miller eliminon “tëhuajësimin” marksist dhe kthen në konversacion teza të Hegelit të gërshetuara me mendime të antropologëve frëng si Latour e Bourdieu dhe antropologëve të Melanezisë. Si arkeolog dhe antropolog i trajnuar, Miller arratiset nga studimi i kulturës materiale nga pikëpamja konvencionale arkeologjike, duke u fokusuar në njohjen antropologjike të materialitetit apo kulturës materiale. Madje, bashkë me Chris Tilley-n bëhen prijatarët e studimeve të degës çufurrake të antropologjisë kulturore të njohur si studime të kulturës materiale.
Daniel Miller ka shkruar mbi tridhjetë libra të ndryshëm duke analizuar aspekte të ndryshme të kulturës materiale, për të vërtetuar tezën e tij se gjithë kultura në një kuptim a tjetrin është materiale ose materializohet/eksternalizohet në proces të njohur si “objektifikim”, faza e fundit e të cilit është konsumimi apo përvetësimi negociues i objektit nga subjekti.
Teza e kulturës si materiale është legaci e kritikës së dualizmit objekt-subjekt, mjaft prezent në kritikën e ngjallur si repudiacion ndaj narrativave të mëdhenj, që sipas “kritikologëve semiologë e postmodernë”, janë ngulitur në mendimin perëndimor. Antropologët si Daniel Miller, Chris Tilley, Mike Rowlands e disa të tjerë synojnë ta shohim materialen të barabartë me shpirtëroren, duke u fokusuar te materializimi i shpirtërores si proces i njëjtë me shpirtërorizimin e materiales. Natyrisht se si procese formale (mekanike) mund të duken njësoj kur abstrahohen në diskutim teorik, por ajo që harrohet këtu është intencionaliteti. Nëse kultura është prodhim i barabartë i materiales dhe shpirtërores në proces të objektifikimit si një rreth i krijimit njerëzor dhe nëse objektifikimi qenka “amëza” e konstituimit të kulturës, atëherë minimizohet autori e intenca autoriale dhe ngritet pesha e objektit material. Në kontekst metafizik por edhe biologjik kjo teori ngrit shumë pikëpyetje. Por, kur bëhet për të valvitur materialen si temë e konversacionit antropologjik mbi kulturën njerëzore, për shkak të nënçmimit të materialitetit nga studiuesit e shkencave shoqërore, atëherë mund të jetë inspiruese. Daniel Miller krijon një dialog të gjatë e të gjerë duke krijuar koncepte, argumente e teori të shumëta, të cilat synon t’i vërtetojë me vrojtimet e tij etnografike, për ta shenjuar më shumë zanin e antropologjisë së materialitetit, si temë e rëndësishme dhe frytdhënëse. Teza e tij se duhet marrë parasysh mishërimin e materiales si themeluese të jetës shoqërore ka zbutur nefcin e dualizmit të rreptë si në filozofi ashtu edhe në shkencat tjera shoqërore dhe si e tillë është inspiruese për të hapur tutje shtegun filozofik e antropologjik.
Por, nëse shikohet në thelb, atëherë vërehet se hulumtimet e tij në fushën e antropologjisë digjitale, për të cilën ka krijuar edhe një program studimor të nivelit postdiplomik në kolegjin UCL të Londrës, janë evidencë e pashmangshme e faktit se gjërat kanë agjenci aq sa ne ju japim "agjenci" apo mëvetësi. Ai “shpirti” i gjësendit të marrë e të dhënë, si e potencon Marcel Maussi, ekziston në gjësende sepse “jepet” nga njeriu dhe nga energjia e vullnetit, imagjinatës, punës dhe moralitetit të tij. Dhe ai “shpirt”në fakt mishëron idenë e kthimit te dhënësi apo krijuesi i gjësendit, në forma e mënyra të ndryshme. Materialja shpirtërorizohet. Shpirtërorja shprehet ose metarializohet. Si formë duken njësoj, por ajo që është esenciale është intenca. Kjo intencë ekziston dhe vepron brenda vetëdijës, strumbullari i së cilës është uni apo autorieti i unit, i cili pastaj rritet në negociatë me konstruktet e krijuara si rezultat i mendimit dhe veprimit të tij. Kështu, edhe në atë që quhet “kulturë digjitale” ose virtuale, në profilet e medieve sociale, në profilet e lojërave virtuale, në avatarët tanë të internetit, mishërohet intenca jonë personale dhe intencionaliteti ynë krijon marrëdhënie shoqërore lokale që shquhen nga ato reale. Pra, avatarët tanë në Internet, nuk janë të krijuar për të luajtur “teatrin” e jetës së tyre, të pavarur nga ne. Të paktën ende jo. Ndoshta në një të ardhme mund të flasim për dramën sociale digjitale të jetës së avatarëve tanë që në mënyrë inteligjente (të disenjuar dhe rritur si inteligjencë artificiale) do të bëjnë jetën e tyre. Kjo gjë është temë e fiksionit që nga monstrumi i Frankenshtajnit deri te karakteri inteligjent i filmit “Her”. Por, që të funksionojë një “lojë” virtuale në kohët e sotme ende ka nevojë për referentin real, njeriun e gjallë nga mishi e gjaku, emocionet, kujtimet, dëshirat dhe intenca e tij.
Nëse kthehemi te hulumtimet dhe teoritë e Millerit, atëherë vërejmë se pikërisht këto aspekte të jetës shoqërore në mishërim me atë digjitale apo virtuale janë referencë e rëndësishme. Së fundi, Daniel Miller me një grup antropologësh, shumica të trajnuar nga vetë ai, kanë ndërmarrur porjektin më të madh antropologjik për mediet apo rrjetet sociale dhe e kanë realizuar në disa vende të ndryshme. Ata kryer nëntë hulumtime etnografike, secila njëvjeçare, për t’iu përgjigjur pyetjes së vetme: pse postojmë në rrjetet sociale si Facebook, Twitter, Instagram, QQ, etj. Duke sjellur evidenca nga Brazili, Italia, Anglia, Turqia, Trinidadi, Kili, India dhe Kina (urbane dhe rurale) ata kanë hartuar një pamje ekskluzive antropologjike të medies shoqërore dhe mënyrës se si njerëzit lokalë, prej këtyre vendeve krijojnë përmbajtje në këto platforma. Pa dyshim se si medie shoqërore është temë mjaft solide e studimit antropologjik, sepse mbi të gjitha antropologjia synon studimin e marrëdhënieve shoqërore e kulturore. Ky projekt i madh ka rezultuar me 9 monografi etnografike për secilin nga vendet e vrojtuara, 2 monografi përmbledhëse dhe krahasuese dhe 30 ese e botime tjera specifike. Të gjitha këto monografi janë botuar nga UCL Press, një shtëpi botuese universitare e cila boton librin në disa forma: PDF, Kindle, format me kopërtina të buta dhe format me kopertina të forta, mes tjerash. Në formatin PDF librat janë falas për lexim e ruajtje në atë formë në pajisjen tuaj digjitale. Për më shumë shih uebfaqen https://www.ucl.ac.uk/why-we-post .
Le të ndalemi te libri “Si bota e ndryshoi medien shoqërore” [ How the world changed social media] botuar më 2017, që përmbledh një analizë të gjithë hulumtimeve të projektit dhe synon të japë një përgjithësim teorik për mediet shoqërore në kontekst global. Libri është në koautorësi mes udhëheqësit të projektit profesor Daniel Miller dhe tetë antropologëve tjerë, Elisabetta Costa, Nell Haynes, Tom McDonald, Razvan Nicolescu, Jolynna Sinanan, Juliano Spyer, Shriram Venkatraman dhe Xinyuan Wang. Fillimisht jepet fakti se ata si antropologë nuk studiojnë platformat apo rrjetet sociale por përmbajtjen që “postohet” dhe komunikohet në ato platfoma, arsyet dhe konsekuencat e postimeve dhe komunikimit në ato platforma. Shpeshherë kur dëgjojmë për hulumtimet mbi teknologjinë e cilësdo formë mendojmë se si ajo ka ndryshuar botën, por antropologët e këtij hulumtimi na paraqesin kryesisht të dhëna se si bota ka ndryshuar mediet sociale.
Libri ndahet në disa kapituj ku secili e trajton një temë specifike të dalë nga vrojtimet etnografike dhe analiza krahasimtare mes evidencës në vende të ndryshme nga të katër cepat e botës. Për shembull, një kapitull flet për rrjetet sociale, edukimin dhe të rinjtë. Hulumtuesit theksojnë se nuk mund të gjeneralizohet pikëpamja se rrjetet sociale shihen si humbje kohe për të rinjtë, të cilët lënë shkollën pas atraksionit që ofrojnë këto rrjete. Evidenca varion edhe nga aspekti ekonomik edhe nga ai edukativ. Krejt kjo në fund varet nga prindërit, mësuesit dhe marrëdhëniet e tyre me nxënësit. Pastaj, theksohet se në Indi, njerëzit janë shumë më të shqetësuar për mbikëqyrjen që ua bëjnë familjarët dhe të afërmit se sa kompanitë e mëdha. Po ashtu, sa i përket biznesit, mediet sociale janë mënyrë e zgjerimit dhe zhvillimit të biznesit të vogël. Kjo në fakt është vërtetuar edhe në Kosovë me flipjekësit e ndryshëm që promovojnë punën e tyre në Facebook dhe shesin flija me porosi. Kapitull pas kapitulli, Miller me kolegët tregojnë shumë aspekte të medieve sociale të cilat stereotipizohen nga gazetarët, por në realitet kanë tjetër funksion e kuptim. Në disa vende, për shembull, theksohet se mediet sociale janë platforma ku mirëmbahet dhe promovohet konservatorizmi banal, ndërsa disa medie tjera kanë efekt liberalizues, por ka raste si rasti i Turqisë, që ka dyjat. Për gratë, rrjetet sociale kanë po ashtu këto efekte. Trinidadinet tentojnë të tregohet se ndonëse janë të moshuara, ato janë ende tërheqëse pavarësisht se janë të martuara ose janë bërë nëna. Por, edhe diferenca dhe stereotipet gjinore vizualizohen dhe komentohen jashtëzakonisht shumë në rrjete sociale. Mediet sociale përdoren edhe për solidaritet përmes postimeve negative dhe kritike për korrupsionin, politikanët, lëvizjet aktiviste e gjëra të tjera. Pra, një sërë gjetjesh tregojnë se mediet sociale nuk janë platformat që krijohen nga kompanitë private por përmbajtja dhe dinamika komunikuese që bëhet nga njerëzit. Pra, ato janë më njerëzore se sa që mendohet. Por, mediet sociale nuk bëjnë njerëzit as më të lumtur as më të palumtur. Antropologët theksojnë se mediet sociale mund t’i bëjnë njerëzit më të sikletshëm në tendencën për t’u dukur të lumtur.
Shpeshherë kur diskutohet për internetin dhe teknologjitë e reja, theksohet se ato do të na shndërrojnë në posnjerëzor, koncepte që Donna Haraway pati nisur në konversacionet e saj. Por, Miller dhe kolegët e tij theksojnë se këto teknologji nuk ndërrojnë aspak humanitetin tonë. Ato bëhen njerëzore apo janë njërëzore me faktin se zbulohen e hyjnë në jetën tonë si nermjetëza e mundësi të komunikimit. Si të vozitësh një veturë si të komunikosh në Snapchat, një vazhdim i arritjeve njerëzore të cilat jodomosdoshmërisht na diktojnë jetën. Ajo që mediet sociale krijojnë mbi të gjitha është “socialiteti i shkallëzuar”, ku njerëzit bëhet pjesë e grupeve, krijojnë marrëdhënie të reja përtej grupeve dhe ndër platforma të ndryshme, duke pasur mundësinë e hapur për iniciativa të ndryshme. Po ashtu, mediet sociale janë “medie lokale” sepse ato mbushen nga përbajtja e sjelljes së përditshme lokale. Ato janë një konglomerat i zgjeruar i medieve të vjetëra si libri e webfaqet statike, të cilave nuk duhet frikësuar si homogjenizimi virtuale. Këto janë disa nga konstatimet që dalin nga ky libër që përmbledh gjithë hulumtimin e projektit në fjalë.
Mediet sociale, sidomos kur përdoren në telefonët mobilë, lehtësojnë gjendjen hanë-hanë të individit, potencial grupor për angazhim, promovimin e produktit, ndërlidhjen instante me polimedien por edhe përhatërimin e statusit shoqëror si akumulim të “kapitalit digjital”. Danil Miller dhe kolegët e tij na kanë mundësuar të shohim këtë pamje si vrojtim etnografik global, sa mikroskopik aq edhe krahasimtar e teorik. Si studimet e tij të mëhershme, edhe ky studim tregon se fillimisht njeriu krijon duke bërë diçka objekt përmes subjektivitetit të tij por jashtë subjektivitetit të tij dhe pastaj dridhet dhe e përvetëson atë “krijim” të tij, përmes procesit të sublimimit apo konsumit negociues. Po të ishte një marksist i regjur do të thoshte se duhet të ruhemi nga mediet kapitaliste që na surveiojnë dhe na kontrollojnë ndërdijshëm. Kjo për t'i shfrytëzuar pastaj vetë për përpjekjen për pushtet. Po të ishte feminist do të thoshte se Facebooku është mekanizëm objektifikues i femininitetit dhe riprodhues i patriarkalitetit. Kjo për t'u shfrytëzuar pastaj nga vetë feministët për revulucion agjinor përmes korrektësisë politike. Por, Miller është vrojtues konstatues dhe jo parashikues emancipues e revolucionar. Ndonëse si qytetar deklarohet si liberal, kjo nuk e afekton studimin e tij si interpetim antropologjik. Në fakt, konversaiconi i tij lexohet si dialektik apo i udhë së tretë në heliksin interpretativ në antropologji, duke dashur të gjejë negociatë mes kufijve dhe shtigjeve të hapura.
Ky libër është një pamje e mirë përmbledhëse e gjithë projektit. Për ata që duan të lexojnë gjithë rezultatin e projektit duhet të lexojnë edhe monografitë.
(Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)