Kulturë

Anna Kohen si “Lulja e Vlorës” i rikthehet Shqipërisë së rrënjëve të saj

Anna Kohen

Si shumë hebrenj, edhe familja e saj gjeti shpëtim në mesin e shqiptarëve. Anna Kohen u lind në Vlorë. E natyrshme ta cilësojë Shqipërinë vendlindje, së cilës përherë i është rikthyer edhe fizikisht e duke mos e harruar kurrë. Tash, jetën e saj nëpërmjet së cilës mund të lexohet edhe ajo e të tjerëve, e shpalos me librin “Lulja e Vlorës”. “Vendosa që të shkruaj dhe të mbetet përgjithmonë historia se si një vajzë hebreje-romaniote, që u rrit dhe jetoi në Vlorë me familjen e saj duke ruajtur traditat e lashta – siç e shkruaj dhe në libër, në regjimin komunist”, ka thënë për KOHËN në përurimin e librit të saj në Prishtinë

Një vizitë në Kosovë, ishte një ëndërr e kahershme për gruan hebreje që u rrit në Shqipëri, Anna Kohen. E shkrimi i një libri nuk ishte asnjëherë në planet e saj. Rrugëtimi i saj lidhet me Shqipërinë, Greqinë e SHBA-në, hap kapituj për ata të cilët për historinë e kësaj gruaje kishin vazhdimisht pyetje. Familja e saj hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore u strehua te një familje në Vlorë.

Në librin e saj “Lulja e Vlorës” e përshkruan kohën e komunizmit në sytë e një hebreje. Edhe pse ka kaluar një çerekshekull prej se u largua nga Shqipëria, veten e quan shqiptare. Shqipërinë e cilëson vendlindje të sajën. Në libër, ajo për herë të parë për miqtë e saj zbulon se nuk ka pasur kurrë shtetësi shqiptare. Kjo nuk iu lejua gjatë diktaturës shtypëse dhe të dhunshme komuniste të Shqipërisë, pavarësisht se ka lindur në Shqipëri si hebreje dhe pjesë e një familjeje hebreje me rrënjë greke. Anna Kohen dallohej nga bashkëmoshatarët e saj. U lind në Vlorë, prej nga u largua së bashku me familjen në vitin 1966, duke u vendosur fillimisht në Greqi, ku ka përfunduar studimet për stomatologji. Në vitin 1970 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një dentiste feministe, një filantrope dhe gjithmonë e gatshme të ndihmojë njerëzit në nevoje, është përshkruar ajo të martën nga ish-ambasadorja e Kosovës në New York, Teuta Sahatqija.

“Anën e njoh, duke folë rrjedhshëm shqip dhe duke u krenuar me prejardhjen e saj të shumëfishtë, hebreje romaniote, shqiptare - lule e Vlorës, amerikane, filantrope, mendjehapur dhe gjithmonë të buzëqeshur”, ka thënë Sahatqija në fillim të fjalimit në përurimin e librit të saj “Lulja e Vlorës” të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ka theksuar se i ka pasuruar përshtypjet për Annën me një spektër të gjerë me ngjyra të mrekullueshme. Ajo ka treguar se aty Anna i referohet vetes si shqiptare.

“’Të huajt e quajnë kombin tonë ‘Albania’ në vend të ‘Shqipërisë’, siç e thërrasim ne vetë’. Kur Anna flet për besën, ajo i referohet kombit shqiptar si ‘kombi ynë’ duke e ndier veten pjesë të kombit. Anna flet emocionalisht, por me kompetencë për besën, flet nga përvoja e familjes së vet për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët në Shqipëri si dhe në Kosovë me shembuj konkretë”, ka theksuar Sahatqija.

Një njoftim në gazetën “Illyria” për shërbimet e saj dentare në vitin 1991, Kohen në New York e njoftonte bashkësinë shqiptare që fliste mirë shqip. Nga ajo ditë lidhja me shqiptarët veçse u thellua. Asaj i drejtoheshin për çdo pyetje dhe ndihmë edhe shqiptarët e sapoardhur. Kohen, që kishte kaluar edhe vetë në të njëjtë periudhë, ishte përherë e hapur për çdo shqiptar – që ia kujtonte kombin i cili ia shpëtoi jetën familjes së saj. Që atëherë misioni i saj humanitar për shqiptarët nuk u ndal. Madje lidhja e saj me shqiptarët e çudiste këdo që nuk e njihte historinë e saj. Kjo kureshtje e madhe e nxiti atë që të përmbledhë gjithçka në libër. Dr. Kohen i ka shërbyer komunitetit shqiptar për më shumë se 30 vjet si presidente e Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane. Në kuadër të saj e kishte ndihmuar shumë edhe Kosovën gjatë luftës së fundit.

Shqipe Malushi, e cila është, po ashtu, anëtare e kësaj organizate, e ka përshkruar Kohenin si grua vizionare që besonte e nuk kishte asnjë dyshim kur bëhej fjalë për punën e shqiptarëve. Për më tepër, guximi i saj ishte këmbëngulës. Malushi ka rrëfyer se kur shoqata u legalizua në vitin 2001 erdhën fonde edhe nga shteti dhe shoqata u bë edhe më profesionale. Me këtë ka shtuar se u hap një derë për komunitetin ku filluan të krijohen programe që merreshin me çështjen e identitetit dhe integritetit të shoqërisë amerikane.

“Dr. Kohen ka punuar pandërprerë, ka pasur shumë energji. Ne i kemi krijuar 22 programe, i kishim 16 punëtore, 200 vullnetarë, revistën ‘Shpresa’. Dr. Kohen kurrë nuk është përzier për të thënë se diçka bën ose jo, na ka besuar, na ka përkrahur dhe na ka dhënë liri që ne kemi marrë shumë fuqi dhe kemi qenë të pavarura”, ka theksuar aktivistja Malushi.

Edvin Schwartz që e ka përkthyer këtë libër ka thënë se e ka parë edhe si një detyrim moral. Sipas tij, libri përshkruan historinë e një familjeje të ndarë në tri shtete – kontinente, dhe të gjitha peripecitë nëpër të cilat kanë kaluar janë si ngritja e një feniksi nga hiri.

“Një familje e cila ka mbijetuar, ka triumfuar, ka pasur sukses, është përshtatur në tri regjime të ndryshme, në tri vende të ndryshme. Ka triumfuar edhe mbi komunizmin, kapitalizmin, sidomos nazizmin. I ka bërë këto duke u bazuar në kodin moral dhe etik dhe në fenë hebraike dhe të përziera nga zakonet më të mira shqiptare, si besnikëria, bujaria, besa dhe shpirti i pamposhtur”, ka thënë Schwartz para të pranishmëve.

Anna Kohen para dhjetë vjetësh kishte ardhur në Shqipëri për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe vizitoi fshatin ku ishte strehuar familja e saj. Nga aty shkoi te shtëpia e braktisur e Kadri Lazajt, që u kishte bërë konak. Aty vendosi ta dokumentojë historinë e saj fillimisht për nipa e mbesa, por më pas, meqë interesimi ishte i madh, u bind për ta shpalosur atë në një libër të cilin mund ta ndajë edhe me gjithë popullin shqiptar.

“Nga përfundimi i komunizmit, kthimi në Shqipëri ishte i vazhdueshëm kurse kujtimet me Shqipërinë ishin të përhershme, prandaj vendosa që të shkruaj dhe të mbetet përgjithmonë historia se si një vajze hebreje-romaniote që u rrit dhe jetoi në Vlorë me familjen e saj duke ruajtur traditat e lashta – siç e shkruaj dhe në libër, në regjimin komunist”, është shprehur ajo para të pranishmëve. Angazhimet e shumta thotë se nuk i kanë lënë shumë kohë për reflektim – dhe nga ky reflektim erdhi edhe libri i saj “Lulja e Vlorës” që ka qasje autobiografike.

“Vjen një moshë kur shpejtësia e këtyre aktiviteteve të përditshme ndryshon dhe njeriu e kthen kokën pas për të parë të shkuarën. ‘Lulja e Vlorës’ ngjan në një roman artistik, në fakt është një libër autobiografik. Autobiografia ime që ua lë si trashëgimi fëmijëve të mi, nipave dhe mbesave, komunitetit hebraik dhe të gjithë juve shqiptarëve”, ka shtuar tutje ajo.

Historiani Frashër Demaj është shprehur se historiku i marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe hebrenjve është shumë i hershëm. Arsyeja themelore që ka nxitur edhe studiuesit të mendojnë për këto marrëdhënie është unikaliteti shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur nazifashistët i kërkonin me ngulm hebrenjtë për t’i arrestuar dhe dërguar në kampet e përqendrimit, kurse shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në këto treva që i mbrojtën ata. Kjo, sipas Demajt, nuk bazohet në rregulla religjioni por mbi traditën të ndërtuar në Kanun.

“Gjeneroziteti i tyre nuk është religjioz, por është kombëtar sepse të gjithë shqiptarët pavarësisht fesë së tyre u treguan shumë njerëzorë në momentet më të vështira kur hebrenjtë kishin nevojë për strehim e përkrahje”, ka thënë Demaj gjatë përurimit të librit.

“Rrënjët gjithmonë më kanë tërhequr dhe më kanë thirrur që të kthehem, sepse unë vazhdoj ta quaj veten një hebreje-shqiptaro-greke”, ka theksuar Kohen.

Më 1991, me ndihmën e disa organizatave hebraike, ajo mori 37 të afërmit e saj hebrenjo-shqiptarë në SHBA. Në vitin 2004, presidenti i Republikës së Shqipërisë e vlerësoi doktoreshën Kohen me medaljen “Për Merita të Veçanta Civile” me motivacionin: Për kontribute të çmuara në ndihmë të shqiptarëve gjatë krizës humanitare të Kosovës.