Flaka Kokolli është animatorja e parë profesioniste në Kosovë. Edhe pse pati të tjera gra që realizuan animacione, ajo u bë e para që përfundoi studimet në këtë fushë. Fillimet i mori në punëtoritë e ndryshme të organizuara nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar”. Që nga themelimi, para 11 vjetëve, “Anibari” ka ngjizur tek të rinjtë interesimin për animacion, dhe u bë sebep që edhe te Kokolli ta ndizte dashurinë e fshehur për këtë zhanër.
Artistja 22-vjeçare, e cila ka kryer studimet për animacion në Budapest, që në vegjëli ishte mahnitur nga imagjinata e pakufishme e veprave të animuara. Atëherë, por edhe sot, synim e ka që të ngjallë emocione nëpërmjet animacionit. Në një intervistë për KOHËN ka thënë se mjafton të dihet se si të përdoret, ky zhanër dhe fuqia e këtij mediumi është e pafundme.
Gjeneratori i emocioneve
Njëlloj si çdo fëmijë, Flaka Kokolli është rritur duke shikuar filma të animuar. Kur i shikonte, thotë se fokusohej te mënyra se si ishin realizuar ata. I përshkruan si të mbingarkuar estetikisht, emocionalisht dhe teknikisht. Kjo thotë se i bënte edhe më të bukur. Duke mos e kuptuar se si ishin punuar, kërkonte sqarim për atë që shihte. Dëshironte të dinte prapaskenat e tyre dhe se si arrinin që të ndikonin aq shumë tek ajo. “Mendoj që kjo nevoja për një shpjegim është shndërruar në interes se si edhe unë të kem mundësinë që të ndikoj në atë mënyrë te dikush. Ndër vite, kjo vetëm është thelluar, pasi që filmat e animuar kanë qenë takimi im i parë me emocione kaq intensive dhe kam dashur që të gjej mënyra që edhe unë të mund të ngjall ato emocione dhe jo vetëm t’i pranoj ato”, thotë Kokolli. Për të animacioni është i pafundmë. I vetmi limit është mundësia teknike. “Përderisa jeni duke punuar që ta përmirësojmë veten teknikisht, nuk ka shumë aspekte të tjera që mund ta kompromisojnë rezultatin final”, thotë ajo. E bukura e animacionit, përveç efektit emocional, është bota e larmishme që mund të krijohet. “Filmi i animuar është një lloj i filmit, ku edhe nëse bie shi nuk ndalen xhirimet. Edhe nëse dikujt i duhet që të fluturojë, atë nuk e ndal graviteti. Pastaj nëse në një moment dikujt i duhet që të shndërrohet në diçka tjetër, edhe kjo është e mundur”, thotë Kokolli.
Frymëzimi nga përditshmëria
Deri tani, Flaka Kokolli ka realizuar animacione të cilat kryesisht kanë qenë detyra shkollore, video të shkurtra për promovimin e festivaleve, si dhe ka qenë pjesë e projekteve të ndryshme për ambasada e organizata joqeveritare. Projekti i parë, “Plop” (2019), me të cilin Kokolli do t’i vinte në pah aftësitë e saj si animatore, ende nuk është lansuar. Filmi i shkurtër është në pronësi të Universitetit Metropolitan të Budapestit ku ka kryer studimet, pasi që atë e ka realizuar bashkë me kolegët e saj si temë diplome. Skenari dhe regjia janë bërë nga Kokolli, ndërsa për të realizuar animacionet i kanë ndihmuar edhe katër studentët e tjerë të përfshirë në projekt. Karakteri i filmit është duke u rrëzuar nga shkallët dhe pastaj kalon në një tjetër dimension, ku fillon të bëjë llaf me një peshk. Frymëzimi për realizimin e këtij animacioni i kishte ardhur nga ndjesia e rrëzimit që ndodh ndonjëherë kur jemi në gjumë. Përderisa ky animacion është më larg dokumentimit, në projektin tjetër, jeta reale ka qenë bazë për zhvillimin e animacionit. Bëhet fjalë për filmin “Tregimi i Betit”, një projekt i përbashkët me Iniciativën për Histori Gojore. Për këtë platformë, tradita gojore është një tipar i etabluar në kulturën e Kosovës. Është një formë e regjistrimit të së kaluarës që ka arritur kredibilitet akademik. Në fakt, për këtë platformë burimet e shkruara dhe gojore nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. “Kur gratë flasin për luftën, ato e humanizojnë këtë përvojë dhe lufta bëhet sekuencë e jetës së përditshme”, ka thënë Kokolli, e cila duke përdorur rrëfimet e grave që rivizitojnë luftën e fundit në Kosovës ka realizuar filmin e saj të shkurtër të animuar. Shpreson që pasi të qetësohet situata me pandeminë, ta shfaqë atë. E situata e krijuar nga koronavirusi i ka shërbyer si inspirim për një skenar që e ka përfunduar e të cilin shpreson që ta zhvillojë edhe si film. Filmi ka për personazh kryesor një karakter i cili mundohet të dalë nga shtëpia, që e bën të pamundur këtë duke e lëvizur derën. “Pasi karakteri me shumë vështirësi arrin të dalë, shtëpia vazhdon ta përndjekë duke ia bërë çdo hap që e merr përpara me shumë pasoja, të cilat vizualisht kanë interpretim bukfal. Injorimi i këtyre pasojave bëhet i pamundshëm dhe karakteri vendos të përballet me shtëpinë”, tregon Kokolli me shpresë që të gjejë mbështetje financiare për realizimin e këtij projekti. Inspirimin, animatorja nga Prishtina e gjen kudo, por kryesisht inspirohet nga skena të përditshmërisë. “Të tilla si procesi për t’iu dhënë formë vetullave duke larguar qimet e padëshiruara.
E të tjerat munden me qenë me të fokusuara në zhvillim teknik, ku janë ushtrime të lëvizjeve të ndryshme”, thotë Kokolli. Për animatoren, përveç aspektit pamor, përzierja e vizuales me verbalen është një prej arsyeve që është më e interesuar në animacione që bëhen specifikisht për festivale. “Shpesh animacionet nisin me një shkrim, mandej prej tij nxirret se çka potencialisht kishte qenë mirë e vizualizueshme. Në raste kur kjo nuk vlen, zakonisht nisi me skenë shumë të thjeshtë e me të cilën krijoj një koncept, e pastaj në mënyrë shumë të natyrshme – ose me ekip, ose vetëm – shkojnë skenat duke u qartësuar në mendje e pastaj edhe në letër”, thotë Kokolli. Thekson se asnjë profesion nuk është më i vlefshëm se tjetri, përderisa në ndonjë mënyrë jepet kontribut për shoqërinë ku vepron.
Zhanri i pazhvilluar në Kosovë
Vendimi për të studiuar animacion nuk ishte i lehtë. Kokolli tregon se ishte cilësuar si diçka e çuditshme për faktin se industria e animacionit nuk është e zhvilluar në Kosovë. Mundësia e vetme që i ishte ofruar në vendlindje ishte studimi i dizajnit grafik, por dallimi mes këtyre dy fushave vërehet qartë. “Animacioni si ‘motion graphic’ edhe si film i animuar janë shumë të ndryshëm. Nevojiten aftësi të ndryshme për të realizuar njërin ose tjetrin, kështu që nuk e kam parë të arsyeshme të përfshihem në fushën e dizajnit”, tregon Kokolli, e cila si 17-vjeçare i bënte rezistencë rrethit të saj. Kërkesë e kishte që të studionte animacionin. E vogël në moshë, nuk merrej seriozisht dhe rrethi ironoizonte me faktin se ajo donte të studionte për “filma të vizatuar”. Vështirësitë ishin të mëdha edhe në aspektin ekonomik, pasi që asaj i duhej të përfundonte studimet në një vend tjetër. Përkrahës e pati babanë e saj, Sahit Kokolli, i cili i përfshirë në industrinë e filmit si kameraman dhe regjisor, e kuptonte të bijën. Por edhe periudha e studimeve nuk ishte e lehtë e për të përballuar shpenzimet Kokolli realizonte projekte kryesisht me animacion dhe ilustrime dhe mbante kurse ku jepte mësim në gjuhën angleze. Për ata që janë këmbëngulësi sikur ajo, dhe dëshirojnë me ngulm të studiojnë animacion, si mundësi ua lë që të bëhen edhe autodidakt në këtë fushë. “Duke i ditur vështirësitë ekonomike e politike që i kemi si vend e që shpesh na vështirësojnë edhe gjetjen e bursave dhe mundësinë e të studiuarit në vende të tjera, një mundësi e mirë është përfshirja në industri, para ndjekjes së animacionit në mënyrë akademike”, thotë ajo. Një ndihmesë e madhe thotë se është edhe Akademia e Animacionit në Kosovë, që është themeluar nga organizata joqeveritare “Anibar” e që organizon edhe festivalin e vetëm të animuar në vend, që ka të njëjtin emër. Pikërisht në Festival, Kokolli mësoi bazën e animacionit si 14-vjeçare. Pastaj, kur krijohet një bazë, thotë se mundësitë për të studiuar rriten. Në këtë mënyrë, pionierët e kësaj fushe më pas do të kenë mundësinë që të krijojnë një industri të filmit të animuar dhe me kohë të hapin edhe animacionin si degë universitare. Kjo është edhe dëshira e Kokollit, pasi thotë se diçka e tillë do t’ua lehtësonte gjeneratave të ardhshme realizimin e ëndrrave të tyre.
