Në mihjen sipërfaqësore Dërmno të minierës së thëngjillit, e cila i furnizon termocentralet A dhe B në afërsi të qytetit Kostollac në Serbi, javën e kaluar (natën mes 13 e 14 marsit) u bë një gjetje arkeologjike e rastit. Fjala është për reliktet e disa objekteve të lundrimit, të cilat me këtë rast janë dëmtuar nga makina të mihjes, respektivisht ekskavatori gjigant, i cili nxjerr qymyrin në këtë lokalitet në thellësi prej disa metrash të mbuluara me shtresa rëre, lymi e argjile lumore.
Objekti më i madh i lundrimit është një anije prej druri, pjesa e ruajtur e së cilës ka gjatësinë 9,5 metra (në bazë të së cilës supozohet që gjatësia e saj kishte qenë 15 -16 metra) dhe gjerësinë 2,70 metra e në afërsi të tij janë gjetur mbetjet e dy varkave më të vogla të gdhendura nga një trung druri, e në të njëjtin vend është gjetur edhe një trung gjigant i lisit, i gjatë më se10 metra me diametër mbi 1 metër. Duhet cekur që pos një pjese të rremit në anije, brenda saj dhe rreth lundrave të tjera nuk janë gjetur gjurmë të pajisjeve, të cilat janë përdorur në anije apo lidhur me to.
Anija ka fundin e rrafshët, është e punuar prej druri, e përforcuar me pjesë mbrojtëse metalike, me dërrasa të fiksuara me pyka metalike mes vete e me brinjët e trupit të anijes, ndërsa mes dërrasave është futur myshku i lisit, i cili pasi që lagej bymehej dhe i mbyllte vërrimat duke e penguar depërtimin e ujit në brendësi të trupit të saj dhe, me sa mund të shihet nga mbetjet, kishte nga një rend rremash nga të dyja anët e anijes dhe velat me të cilat lëvizte. Mihja sipërfaqësore në të cilën u zbuluan mbetjet e lundrave të lashta gjendet jo larg nga vendi ku lumi Mllava derdhet në Danub dhe aktualisht është 2 kilometra.
Larg nga lumi Danub, që do të thotë se Danubi ndërkohë mund ta ketë lëvizur rrjedhën ose që në vend ku u zbuluan anijet kishte qenë ndonjë port ose marinë e vendosur ndoshta në ndonjë kanal më të madh të përshtatshëm për qëndrimin e anijeve e lundrave të tjera, i lidhur me Danubin, e ku strehoheshin anijet e lundrat e tjera kur nuk ishin në përdorim.
Gjendja dhe cilësitë e lundrave
Fill pasi që ekskavatori kishte hasur në këto mbetje, në terren kishte dalë ekipi i arkeologëve në krye me dr. M. Koraq, udhëheqës i hulumtimeve në projektin Viminacium, të cilët janë kujdesur për gërmimin, nxjerrjen dhe largimin e lundrave nga mihja e thëngjillit në një vend adekuat për konservimin dhe ruajtjen e tyre të përkohshme.
Nga anija e madhe dallohet trupi me brinjë (me gjurmë të riparimeve më qëllim të mirëmbajtjes), bashi, timoni dhe vendi (vërrima) për direkun për vela, të cilat edhe pse nga druri janë ruajtur falë ujit, mungesës së oksigjenit dhe të cilësive konservuese të argjilës e mellës për ç’arsye këto relikte kërkojnë trajtim të posaçëm pas nxjerrjes, me kushte të njëjta me ambientin në të cilin janë gjetur. Vitin e kaluar po në këtë vend ishte gjetur një spirancë romake prej hekuri, por menjëherë ishte zhdukur (pa dyshim me qëllim) nga vendzbulimi.
Duke e pasur parasysh dëmtimin e anijes, mungesën e pajisjeve përcjellëse dhe të materialit tjetër lëvizës arkeologjik dhe modelin e anijes, i cili nuk është ndryshuar gjatë disa shekujve, është mjaft vështirë që me saktësi të përcaktohet lashtësia dhe përkatësia (pararomake, romake, bizantine apo mesjetare). Trajta e anijes, mbetjet e rremit drejtues, mbetjet e vërrimës për direk të veles, rremi drejtues dhe fundi i rrafshët i përshtatshëm për lundrim nëpër ujëra të cekëta lumore, ngjasojnë me anije luftarake romake (me bashe të forcuara me metal me qëllim të dëmtimit të anijeve kundërshtare), modeli i së cilës nuk është ndryshuar shumë gjatë shumë shekujve. Varkat e vogla mund të kenë qenë përcjellëse dhe ndihmëse logjistike të anijes.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.