Kulturë

“Anibari” viziton Prizrenin në shpalosje të ofertës për dalje nga izolimi

Izolimi është tema e edicionit të 12-të të Festivalit të Animacionit “Anibar”, që sivjet realizohet me prezencë fizike të publikut, në përpjekjen për të festuar ditët e çizolimit. Ekipi i “Anibarit” ka qëndruar në Prizren për të ofruar dromca të programit të këtij edicioni, që përbëhet nga aktivitete të ndryshme. Në Kinemanë “Lumbardhi”, të enjten mbrëma fillimisht janë shfaqur disa filma të animuar dhe pastaj audienca është njoftuar edhe për risitë e tjera të festivalit.

Zana Ramoviq nga “Anibari” ka bërë të ditur se ekipi i festivalit po i viziton disa qytete, në mënyrë që publikut t’i shpjegohet sa më shumë ideja se si do të duket edicioni i sivjetmë në Pejë.

“Sot kemi me i shfaqë vetëm 6 filma, kurse programi këtë vit përbëhet prej 300 filmave të animuar në kategori të ndryshme, ku do të ketë filma për fëmijë, për të rritur, 2 kinema të hapura dhe 2 të mbyllura, të cilat do të rifunksionalizohen këtë vit dhe po shpresojmë që edhe audienca ka me i pëlqy filmat e përzgjedhur”, ka thënë Ramoviq.

Publiku i pranishëm, në mes tjerash, ka mundur të përcjellë animacionin “Affairs of the Art” të regjisores Joanna Quinn, ku personazhi kryesor Beryl, jo vetëm që tregon për obsesionin e saj me vizatimin, por shpalos edhe varësitë e familjes së saj ekscentrike.

Një tjetër animacion i shfaqur ka qenë “Normal” i regjisores Julie Caty, që përmes personazhit të quajtur Dany vë në pah përplasjet e socializmit me kapitalizmin, dhe kërkesën për shkatërrimin e kësaj të fundit me qëllim që të “shpëtohet” njerëzimi. Ndërsa, e mira dhe e keqja, utopia me distopinë sikurse edhe narracioni me post-narracionin janë përplasur në betejën vendimtare për të argëtuar audiencën, në animacionin “My Galactic Twin Galaction”, të regjisorit Sasha Svirsky.

Ramoviq ka bërë të ditur se këto janë vetëm disa animacione nga programi ndërkombëtar i edicionit të 12-të, ndërkohë që ka edhe programe të tjera me animacione të larmishme.

Ky edicion, sipas saj, i kushtohet vetmisë së vërtetë dhe klaustrofobisë që përjetohet gjatë izolimit.

“Marrë parasysh edhe vetë temën ‘Izolimi”, tregon shumë dhe mbërthen goxha do sende, por posaçërisht këtë që e kemi përjetuar gjatë pandemisë, izolimin, dhe është me u çizolu me dalë prej kësaj gjendjeje në të cilën jemi. Me pasë kontakt me njerëz, me u socializu dhe kjo është njëra prej arsyeve pse kemi ardhur. Me pa atë ndjenjën e njerëzillëkut”, është shprehur Ramoviq.

Ajo ka sqaruar se vizitat e tilla kanë filluar me Mitrovicën e Gjakovën, dhe se pas Prizrenit do të shkohet edhe në Prishtinë dhe në Tiranë, sikurse edhe në Pejë, me qëllim të informimit të publikut për kthimin e festivalit me prani fizike.

Njëherësh e ka pranuar se vjet, festivalit i ka munguar shumë prania fizike e publikut.

“Vjet e kemi pasë temën për njerëzit, që ka qenë pak ironike, mirëpo ka pasur kuptim shumë të madh në atë kohë, ku të gjitha i kemi pasë, por njerëz nuk kemi pasë në atë kohë. Mirëpo edhe e kemi ditë vlerën e njerëzve në atë kohë, pasi që edhe ka munguar, kurse sivjet e kemi mundësinë e çizolimit dhe me qenë të gjithë së bashku edhe me e përjetu festivalin ashtu qysh i ka hije”, ka deklaruar Ramoviq.

Festivali që sivjet mbahet prej 23 deri më 30 korrik në Pejë, sipas organizatorëve, do të sjellë ditët e (ç)izolimit, me mbi 300 filma të animuar, sikurse edhe prezantime, panele diskutimi, punëtori dhe aktivitete të tjera që ndërlidhen me animacionin.