Akademik Muhamed Mufaku, ka përzgjedhur një mënyrë të veçantë për ta festuar 70-vjetorin e lindjes së tij: ia ka dhuruar Departamentit të Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë 70 veprat e tij. Studiuesi i shquar, njëri prej promotorëve më në zë të shqipes dhe shtetit të Kosovës në vendet arabike, ka festuar bashkë me miqtë e kolegët e tij në njërën prej sallave të Orientalistikës. Librat e dhuruar, janë shpërndarë gjithandej në tavolinat e sallës.
Në fjalimin e mbajtur para të pranishmëve, Mufaku ka folur për katër momentet më me fat të jetës së tij.
“Në momentin e parë kur jam lindur në një Kosovë të vogël, një lagje shqiptare të Damaskut. Të gjithë ata kosovarë që ishin atje janë mbledhur në një lagje dhe jemi rritur me të vërtetë si në një Kosovë të vogël”, ka thënë ai. Moment të dytë me fat i ka cilësuar vitet e ’70-ta, kur kishte punuar si ligjërues i arabishtes në Degën e Orientalistikës, një periudhë të cilën ai e ka quajtur “pranvera e Kosovës”. Ka renditur si moment të tretë shkuarjen në Jordani teksa ka folur për punën e madhe në promovimin dhe njohjen e Kosovës atje. “Në Lindjen e mesme kemi pasur dy taborë, njëra anë me Serbinë, ndërsa tjetra me Kosovën. Prandaj ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për mua që të merrem me Kosovën, qoftë nëpër media, qoftë me shkencë, sepse në atë kohë në Jordani dihej shumë pak për Ballkanin e lërë më për Kosovë”, ka thënë Mufaku. Shkuarja tash e gati një dekadë në ShBA, ka rrumbulluar katër momentet e tij. Kjo, sepse atje sipas tij, ekziston një “Kosovë e vogël”.
Për librat që i ka dhuruar ka thënë se shërbejnë edhe si literaturë bazë e atyre që në botën arabe duan të mësojnë apo ta studiojnë gjuhën shqipe. Në fund Mufaku ka shprehur dëshirën që shtatëdhjetë librat e dhuruar, të shërbejnë edhe si pikënisje për studimet të reja.
“Disa nga veprat që iu dhuruan Orientalistikës janë: ‘Shqiptarët në botën arabe’, ku trajtohen prania dhe influenca e shqiptarëve në fusha të ndryshme kulturore, shkencore dhe politike në botën arabe; ‘Nga historia e shqiptarëve të Egjiptit gjatë shekujve XV-XX’. Historia e shqiptarëve të Egjiptit ose ‘Shqiptarët e Misirit’ siç ishin njohur në traditë, është pjesë e historisë kombëtare nga se kolonia shqiptare e Egjiptit, që u formua aty qysh nga fillimi i shek. XIX dhe u zgjerua dukshëm në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, paraqet një nga vatrat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, ka thënë Abdullah Rexhepi, udhëheqës i Departamentit të Orientalistikës. Njëri prej titujve të dhuruar është edhe “’Lidhjet letrare shqiptare-arabe’, një ndër librat më me vlerë të shkruara nga ky autor “dhe i cili gjithashtu, është tezë e tij e doktoratës, e cila mbeti pa u botuar që nga viti 1981, për të ta parë dritën e botimit tek në vitin 2009”.
“Një libër i tillë përmban një qasje studimore për herë të parë mbi lidhjet letrare shqiptare – arabe. Në të Mufaku jep në detaje dhe me fakte mbi origjinën e kontakteve letrare mes shqiptarëve dhe arabëve, jep të dhëna mbi kontaktet e ndërsjella mes dy popujve e të tjera informacione që lexuesit në përgjithësi dhe në veçanti orientalistëve, gjuhëtarëve, letrarëve, historianëve, etj. do t'u shërbente shumë”, ka thënë Rexhepi për KOHËN.
Profesori në Departamentin e Orientalistikës, Abdullah Hamiti, dikur ka qenë student i profesor Mufakut.
“Unë jam nga kolegët më të vjetër të Muhamedit. Mua më ka dhënë mësim gjatë studimeve në vitin 1977-1981 kur kam diplomuar. Atëherë kur profesori paska qenë 25-vjeçar. Bashkëpunimin me profesorin e kemi pasur vazhdimisht edhe në jetë. Ai më ka nxitur shumë për punën në orientalistikë. Ai ka qenë shumë praktik në nxënien e arabishtes dhe ndjehem shumë krenar që e kam pasur profesor”, ka thënë Hamiti.
Për Mufakun ka folur edhe shkrimtari dhe prozatori i shquar i letërsisë së sotme shqipe, Ibrahim Kadriu.
“Profesor Muhamedin e njoh nga ditët e para kur ka ardhur në Prishtinë. Në atë kohë isha redaktor i kulturës në gazetën ‘Rilindja’. Më 1974, ai kishte ardhur në korridor dhe kërkonte të bisedonte me ndokënd lidhur me një shkrim që e kishte bërë. Rastësisht u takuam dhe më pyeti se ku mund të lajmërohem. Tha se ishte nga Damasku, se ishte student dhe të them të drejtën, gjuha e tij shqipe në atë kohë ishte edhe aq e fiksuar, por ai më tregoi se e kishte një shkrim, por që nuk dinte kujt t’i drejtohej. Ndërkaq unë i thashë se e kishte gjetur adresën e duhur”, ka kujtuar Kadriu.
Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, e ka çmuar kontributin e profesor Mufakut, teksa ka dhënë detaje për atë se si ka ardhur deri të dhurimi i këtyre shtatëdhjetë veprave.
“Profesor Muhamed Mufaku është i njohur në qarqe kulturore, gjuhësore të Kosovës si një nga arabistët më të mirë të kohës së vet. Brenda këtyre shtatëdhjetë vjetëve ka qëlluar një koincidencë që ai ka botuar 70 vepra. Në bisedë me të ai ka shprehur dëshirë që t’ia falë të gjitha këto vepra Departamentit të Orientalistikës ku ai e ndien veten si borxhli dhe si një vend ku ai edhe është formuar”, ka bërë të ditur Rugova teksa ka shtuar se Mufaku ka ndikuar shumë edhe në zhvillimin e bashkëpunimit ndëruniversitar Kosovë- Jordani.
Muhamed Mufaku u lind në Damask të Sirisë në vitin 1952 në një familje shqiptare të shpërngulur nga Kosova (babai nga Peja, ndërsa nëna nga Vrella e Istogut). Në Damask ka kryer shkollën fillore, të mesmen dhe fakultetin për gjuhë dhe letërsi arabe. Në Prishtinë ka kryer studimet pasuniversitare nga historia e popullit shqiptar në vitin 1977, pastaj doktoroi në shkencat filologjike në Universitetin e Prishtinës më 1981. Në vitin 1986, dr. Mufaku mbrojti edhe doktoratën e dytë në shkencat historike, po ashtu në Universitetin e Prishtinës.
Nga viti 1975 deri më 1987 Mufaku ka punuar si ligjërues i gjuhës arabe në degën e orientalistikës të Fakultetit Filologjik të Prishtinës. Pas kësaj shkoi në Siri ku më 1988 veproi si bashkëpunëtor i lirë i “Enciklopedisë së madhe Arabe” në Damask. Në vitet 1989-1994 u zgjodh docent, ndërsa që nga viti 1994-1995 punoi profesor inordinar në Degën e Historisë të Universitetit Jarmuk në Jordani. Nga viti 1995-2004, dr. Mufaku punon si profesor inordinar në degën e historisë të Universitetit AI Al-Bajt, po ashtu në Jordani.
Dr. Mufaku është anëtar korrespondent i Akademisë Shkencore Arabe (Damask). Nga viti 2001, është anëtar i Shoqatës së Orientalistëve të Kosovës, anëtar i Shoqatës së Studimeve dhe Gjurmimeve (Lidhja e Shkrimtarëve) të Sirisë, anëtar i Senatit të Universitetit AI Al-Bajt, anëtar i Këshillit të Dekanëve të Universitetit AI Al-Bajt, anëtar i Redaksisë “Prilozi za orijentalnu filologiju” (Sarajevë), dhe anëtar i redaksisë “Studime Orientale” (Prishtinë). Mufaku gjithashtu është edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.