Gjysmëshekulli i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është shënuar paraditen e së hënës me konferencë në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Themelimit të saj i paraprijnë katër faza: ajo e Akademisë së Voskopojës, e Rilindjes, faza ndërmjet dy luftërave botërore dhe koha pas çlirimit e deri te formimi i plotë i Akademisë së mirëfilltë
Plot një gjysmë shekulli i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është shënuar të hënën nëpërmjet konferencës për jubileun e institucionit më të rëndësishëm shkencor në vend. Ngjarja e 50 vjetëve më parë, kur ishin hedhur themelet e këtij institucioni me përpjekjet e profesor Aleks Budës, i emëruar edhe si kryetar i parë i saj, është festuar nga krerë të institucionit shkencor në Shqipëri, akademikë nga Kosova e udhëheqës institucionesh shqiptare.
Gjysmëshekulli i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është shënuar paraditen e së hënës me konferencë në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Themelimit të saj i paraprijnë katër faza: ajo e Akademisë së Voskopojës, e Rilindjes, faza ndërmjet dy luftërave dhe koha pas çlirimit e deri te formimi i plotë i Akademisë së mirëfilltë.
Në vitin 1972 ishte hapur si institucion shkencor dhe fillimisht kishte 17 anëtarë dhe 5 të tjerë korrespodentë. Ajo përfshin shkencëtarë nga më të shquarit, institute dhe qendra kërkimore e organizma të tjerë shkencorë. Të hënën është nderuar e gjithë historia e gjatë shekullore e akademizmit shqiptar.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka thënë se institucioni që tashmë ai drejton e ka përligjur vendimin historik në plotësimin e ëndrrës disashekullore të mendjeve më të ndritura të popullit shqiptar.
“Merita për këtë i takon më së pari Asamblesë së Parë, Aleks Budës e Eqrem Çabejt, së bashku me Shuteriqin, Kostallarin, Domin e Pollon, u dhanë prestigjin dhe vendin e merituar shkencave albanologjike; iu takon Petrit Radovickës, Selaudin Bekteshit e Mentor Përmetit, së bashku me Hoxhën, Prezën, Kumbaron, Dajën, Biçokun, Këlliçin e Kakariqin, që vendosën themelet e shkencave të inxhinierisë, bujqësisë dhe mjekësisë dhe i vunë ato në shërbim të ekonomisë e shoqërisë; Popës, Pilikës, Paparistos, Kuneshkas, që janë etërit e shkollës shqiptare, Omarit, Xholit, Marës, Dedjas e Çamit që kontribuuan në shkencat shoqërore”, ka thënë akademik Gjinushi derisa ka përmendur gjithë personalitetet kontributdhënëse për themelimin e Akademisë. Momentalisht, në këtë institucion japin kontributin e tyre mbi 90 kërkues shkencorë, 7 njësi e qendra kërkimore shkencore dhe 2 institute virtuale.
Akademik Gjinushi ka konsideruar se në rrugëtimin e saj, Akademia e Shkencave ka ditur të çlirohet gradualisht prej ideologjisë moniste pa u frikësuar e ndikuar nga presionet pluraliste.
“Gjatë rrugëtimit të saj, Akademia e Shkencave është ndeshur edhe me probleme madhore jashtë atyre shkencore, siç ishte ideologjizimi i njëanshëm i tejskajshëm gjatë periudhës së sistemit komunist dhe reformat sporadike të ndërmarra në emër të ç’ideologjizimit, por që synonin ndryshime në formë e jo në përmbajtje, gjatë transicionit”, është shprehur ai para të pranishmëve.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka adresuar fjalën përshëndetëse në emër të institucionit homolog. Ai ka vlerësuar se gjysmëshekulli i ASHAK-së është i shoqëruar me prurje idesh të lidhura ngushtë me dimensionin më vital të historisë së kombit shqiptar, me albanologjinë, historinë, shkencat e tjera shoqërore dhe natyrore. Akademik Kraja ka vlerësuar se të gjitha këto përbëjnë korpusin e madh të dijes dhe identitetit, derisa ka përmendur edhe problematikën e migrimit të shqiptarëve në vende të tjera.
“Themelimi i Akademisë së Kosovës dhe Shqipërisë shënuan fazë të re në zhvillimin e shkencës në botën shqiptare. Pavarësisht se koha ka njohur ndryshime në fusha të ndryshme, përkujdesja institucionale mbi këtë veprimtari bëhet gjithnjë më e rëndësishme, veçmas në rrethanat tona. Sot po përballemi me dëmtim substancial të potencialit shkencor, i cili po largohet nga vendet tona, jo vetëm si potencial krijues, por edhe si recipient i kësaj dije e vlerave artistike”, ka thënë Kraja.
I pranishëm në ceremoninë me rastin e përvjetorit jubilar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka qenë edhe presidenti i Federatës Evropiane të Akademive të Shkencave dhe Shkencave Humane, Antonio Loprieno. Ai ka thënë se Akademia e Shqipërisë është shtresa e fundit e këtij komuniteti institucionesh, të cilat ai i ka vlerësuar si xhevahiri i fundit në kurorën e akademive evropiane. “Transformimi i madh gjeopolitik që ndodhi në vitet '90 të shekullit të kaluar, pas përfundimit të ndarjes së Evropës në dy blloqe, ka ndryshuar sërish rolin e Akademisë suaj dhe të akademive tona në tërësi. Shfaqja e një zone evropiane të kërkimit dhe arsimit të lartë e ka projektuar kontinentin tonë, Evropën, si një lojtar global të prodhimit të shkencës në nivel botëror, të aftë për të dialoguar në nivelin e syve me SHBA-në dhe kërkimin në zhvillim, cilësisht të lartë në Azinë Lindore”, ka thënë ai.
Kryeministri i Shqipërisë , Edi Rama, ka thënë se nocioni për akademinë ka domethënie të madhe për çdokënd që merret me shkencë. Ka cituar fjalët e profesorit Aleks Buda kur thoshte se Akademia ka qenë ëndërr e cila realizonte dëshirën e rilindësve për më shumë dituri dhe institucione të ardhshme studimore.
”Është institucioni që përfaqësoi dhe mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe. Nëse sot kemi një gjuhë të unifikuar dhe të shpëtuar, kjo u detyrohet në radhë të parë akademikëve të asaj kohe dhe asaj akademie të shkencave që sot është në një proces përpjekjesh për t’u rikthyer në lartësinë dhe vendin që i takon”, ka thënë kryeministri Rama.
Pikërisht në Kuvendin e Shqipërisë ishin mbledhur 50 vjet më parë themeluesit e Akademisë shtetërore, si asambleja e parë në përurimin e një rruge të gjatë në shërbim të dijes. “Akademia e Shkencave lindi para së gjithash si një institucion që do të duhej të përqendrohej tek çështjet themelore të historisë së popullit shqiptar, të origjinës, etnogjenezës dhe vazhdimësisë së tij. Akademia e Shkencave ka meritën historike që i ktheu këto dije në shkenca të mirëfillta e serioze me objekte qëllimi të disiplinuara, me teza të formuluara e konfirmuara me përgjegjësi, me ndërveprim të suksesshëm e të harmonizuar të gjuhësisë, arkeologjisë , historisë, studimeve antropologjike, studimeve për letërsinë dhe artet”, ka thënë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën hapëse të konferencës. Ajo ka theksuar mbështetjen e Kuvendit për Akademinë, themelimin e së cilës e ka konsideruar ndër ngjarjet më të rëndësishme të shekullit të kaluar në zhvillimin e tij intelektual dhe shpirtëror.
Festa jubilare për 50-vjetorin e themelimit të Akademisë është zgjeruar në program prej tri ditësh këtë vit. Të dielën, më 9 tetor, janë pritur delegacionet akademike që kanë ardhur nga rajoni e Evropa, derisa në mbrëmje është dhënë një shfaqje baleti në Teatrin e Operës. Të hënën, pos konferencës në Kuvendin e Shqipërisë, janë nderuar me një ceremoni akademikët Aleks Buda dhe Eqrem Çabej, që e themeluan këtë institucion. Po ashtu, është zbuluar pllaka në nderim të Asamblesë së Parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Është shfaqur edhe dokumentari me rastin e shënimi të 50-vjetorit të këtij institucioni. Janë mbajtur koncerte festive, kokteje, si dhe janë ndarë diploma të mirënjohjes dhe titujve të nderit për personalitetet e shquara në shkencë. Teksa ditën e martë do të bëhet përcjellja e delegacioneve.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, ka thënë se përveç vështirësive të transicionit e përtej dilemave për pozicionimin e saj në shoqëri, Akademia e Shkencave kishte arritur të reformohej, dhe sot po përshtatet me trendët e zhvillimit të shoqërisë. “Në këtë përvjetor, e jo vetëm sot por çdo ditë, u jemi thellësisht mirënjohës akademikëve shqiptarë ndër vite, e veçanërisht kontributit të kryetarëve të kësaj akademie ndër vite, akademikët Aleks Buda, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Teki Biçoku, Gudar Beqiraj, Muzafer Korkuti dhe sigurisht kryetari aktual Skënder Gjinushi”, ka thënë ministrja Kushi.
Akademia ndahet në dy seksione, atë të Shkencave Shoqërore Albanologjike dhe të Shkencave Natyrore e Teknike. Në strukturën e saj përfshihen gjithashtu Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, Njësia e Projekteve, Dega e Marrëdhënieve me Jashtë, Sektori i Botimeve dhe Biblioteka Shkencore Qendrore. Funksionet kryesore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë numërojnë, ndër të tjera, kryerjen e studimeve dhe kërkimeve me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore albanologjike, natyrore e teknike.