Charles Edward Anderson “Chuck” Berry u nda të shtunën nga jeta në qytetin e lindjes, Saint Luis të Missourit në moshën 90 vjeçare.
Termi ‘legjendë’ është përdorur e abuzuar për shumë muzikantë gjatë dekadave, por të paktë janë ata që e meritojnë sa Chuck Berry, raporton VOA.
Angus Young, kitaristi i AC/DC thotë se kopjoi kërcimin ritmik në skenë direkt nga Berry. Ai u bë sinonim i revoltës kulturore të adoleshentëve në vitet 1950; vargjet e tij plot imazhe seksuale e sensuale kapnin epshet e moshës adoleshente, ndërsa muzika ritmike ishte një amalgamë e muzikës kantri, bluz dhe rithm, që kishte filluar të quhej ‘rok n roll’.
Shumë shpejt ethet e rokut kapërcyen Atlantikun, mbërthyen Britaninë dhe roku do t'i përkiste botës.
Ai ishte simboli i artistit amerikan: krijues, rebel, kërkues dhe frymëzim që ‘infektoi’ grupe artistësh që nga Beatles, Rolling Stones, Slash, Lenny Kravitz.
Ai ndjeu racizmin, diskriminimin, padrejtësinë në kontrata e pagesa, por ajo që la pas ishte më e madhe se vetë Beri. Në një prezantim televiziv në 1972, spikeri u shpreh, ‘po të duhej t’i gjenim rok n rollit një emër tjetër, do ta quanim Chuck Berry’.