Prishtinë, 1 dhjetor - Në katër tema të ndryshme, duke përfshirë edhe idetë e pjesëmarrjen e komunitetit, do të bazohet një ekspozitë e cila ka për qëllim që të parashikojë të ardhmen e Kosovës në dhjetë vjetët e ardhshëm. Kjo ekspozitë, e cila do të zërë vend në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, do të paraqitet edhe online në mënyrë që të krijojë një ndikim më të madh të ekspozimit të vlerave të Kosovës edhe përtej kufijve.
Në këtë formë “Kosovo Future Exhibition” mëton që të promovojë vlerat e vendit. Koncepti i saj është prezantuar të enjten në Muzeun e Kosovës, dhe parashihet që të inaugurohet në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë, më 17 shkurt të vitit që vjen, shkruan sot Koha Ditore.
Chiayo Kuo, drejtoresha e Asociacionit për Shkëmbim Kulturor mes Tajvanit e Kosovës, është ideatorja e këtij projekti, të cilin do ta realizojë në bashkëpunim me projektin “Domain for Kosovo” dhe qendrën që drejtohet nga komuniteti, “Termokiss”.
“I am Kosovar”, “Future life”, “Future society” dhe “Future democracy” janë katër temat që do të zbërthehen përmes ideve kreative. Një prej prezantimeve që do të zërë vend në këtë ekspozitë është “Muri i Kosovës”, i cili do të prezantojë informacione vizuale të Kosovës në murin që ka për qëllim të krijojë një imazh të mirë për vendin.
Sipas drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skender Boshtarakaj, ky projekt ka peshë të madhe për institucionin që ai drejton. Ka thënë se kjo do t’i japë mundësi të rinjve ta paraqesin Kosovën ashtu siç duan ta shohin (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.