Kulturë

Artisti i njohur kinez pushton New York

Berlin, 13 tetor - Titulli i ekstravagancës artistike të Ai Weiweit në New York, e inauguruar të enjten, është “Good Fences Make Good Neighbors” (Gardhet e mira bëjnë fqinjë të mirë). Është varg nga poezia “The Mending Wall” e Robert Frostit, që është përvetësuar për të prekur krizat e tanishme të refugjatëve dhe kufijtë - tema qendrore e veprave të fundit të Ai.

Që kur e la Kinën në vitin 2015, Ai Weiwei ka dokumentuar krizat e emigrantëve derisa ka vizituar më shumë se 23 shtete, dhe ka intervistuar qindra njerëz të ngujuar në kampet e refugjatëve pasi që kishin ikur nga lufta dhe konfliktet, thuhet në shkrimin e DW që sot e transmeton “Koha Ditore”. Përveç frymëzimit të ekspozitës së tij të re në mbarë qytetin e New Yorkut, Ai Weiwei, po ashtu, i ka përdorur këto materiale për të realizuar filmin dokumentar “The Human Flow”, premiera e të cilit u dha në muajin shtator në Festivalin e Filmit në Venecia dhe do të shfaqet nëpër kinematë e ShBA-së duke filluar prej sot.