Kulturë

“Sunny Hill Festival” si skenë botërore shndrit me yjet Bebe Rexha e Black Coffee

Performancën e parë në Kosovë Bebe Rexha e ka nisur me një prej këngëve me të cilën ka nisur suksesin në skenën ndërkombëtare – “Me, myself & I” – pak para orës 23:00.  (Foto: Arben Llapashtica)

Performancën e parë në Kosovë Bebe Rexha e ka nisur me një prej këngëve me të cilën ka nisur suksesin në skenën ndërkombëtare – “Me, myself & I” – pak para orës 23:00. (Foto: Arben Llapashtica)

E para natë e “Sunny Hill Festivalit” ka qenë test i suksesshëm në edicionin “testues”, të parin në shtëpinë e vet, në Bërnicë të Poshtme. Skena nuk i lë gjë mangët megafestivale të tilla botërore, sepse edhe yjet janë të tillë si Bebe Rexha e Black Coffee. Tjetër frymë merr Prishtina sapo nis festivali që synon të shndërrohet në më të madhin e këtij lloji në këto anë

Dy emra me zë në botën e muzikës e kanë “dridhur” skenën e “Sunny Hill Festival”. Hapja energjike e elektrizuese i ka prirë edicionit, që në total ka katër net. E para qe mahnitëse sa i përket cilësisë në program. Me këngëtaren shqiptare me nam botëror, Bebe Rexha, e mjeshtrin e muzikës elektronike DJ Black Coffee, deri në orët e para të mëngjesit, në periferi të Prishtinës zbarkuan ritmet e skenës botërore e ndjesia e përjetimit të një festivali që vë në funksion krejt forcat për ta argëtuar publikun. Si një “Glastonbury” shqiptar, siç janë synimet.

Dyert e “Sunny Hillit” kanë qenë të hapura që në mesditë për publikun. Trafiku në kryeqytet e përgjatë gjithë rrugës magjistrale deri në Bërnicë të Poshtme, nja dhjetë kilometra nga qendra e kryeqytetit, ka qenë sinjali se në natën e parë, të paktën, Festivali do ta ketë të mbushur në edicionin e parë në shtëpinë e vet. Shifra prej 25 mijë vetash, siç pretendojnë organizatorët, duket e ekzagjeruar por, megjithatë, në hapësirën e gjerë publiku shpërndahet.

Parku i “Sunny Hillit” lirisht mund të quhet një megapark me shumë mundësi, qoftë sa i përket anës së zbavitjes me muzikë, hapësirave atraktive për pushim e furnizimit me pije e ushqim. Është vërejtur rritje e dukshme e çmimeve për dallim nga edicioni i kaluar dy vjet më parë në Parkun e Gërmisë.

Por një gjë është e qartë: që “Sunny Hill” synon të rritet përherë e të jetë një prej top-festivaleve në Evropën Juglindore.

 “Unë jam Bebe Rexha dhe jam shumë e lumtur që jam në Kosovë për herë të parë”, kanë qenë fjalët e para të saj kur ka dalë në skenë (Foto: Arben Llapashtica)

Artistët vendorë deri te ndezja e skenës

Nisi me “DJ Set”, “The Milk Snatchers”, bendin “Zwada”, La Fazanin, Mozzikun e Dafina Zeqirin. Krijimet unike të secilit artist bënë jehonë duke u prezantuar edhe para publikut të huaj që po ndjek festivalin sivjet.

Por ylli i mbrëmjes së parë qe Bebe Rexha.

Me një hyrje madhështore që ndiqet me ritmet e muzikës elektronike e spektakël me ndriçim, Bebe shpejt u prezantua. Qe si një lloj shenje modestie. Ajo ka komunikuar me publikun sa herë që kanë përfunduar këngët e saj. Midis këngëve ka ftuar të këndojë tok me të. Madje skenën e ka ndarë me të rinj të talentuar në vallëzim, të cilët i ka ftuar ta shoqëronin me performancë nën ritmet e këngës së saj. Nuk është ndalur duke iu bashkuar turmës për të reflektuar edhe më shumë në dashurinë e publikut për të.

“Unë jam Bebe Rexha dhe jam shumë e lumtur që jam në Kosovë për herë të parë”, kanë qenë fjalët e para të saj. Një bluzë hidhet në skenë. Rexha e shpalos për kuriozitet fillimisht, por del të jetë mesazhi krenar për të – “J’adore Prishtina”.

“E kam prindin nga Dibra dhe gjakun e kemi një”, ka thënë ajo në skenë. E ka ndarë kohën për ta bërë edhe simbolin e shqiponjës me duar.

Performancën e saj të parë në Kosovë e ka nisur me një prej këngëve me të cilën ka nisur suksesin në skenën ndërkombëtare – “Me, myself & I” – pak para orës 23:00.

Këngët e saj tejet ritmike, si hitet “I’m Good (Blue)”, “In the name of love” e “I’m a mess”, e kanë bërë publikun të shpërthejë në duartrokitje e brohoritje.

“Take me home” ka qenë si dedikim. “Kjo këngë quhet ‘Take me home’ dhe ja ku jam. Në shtëpi. Faleminderit festivalit për mundësinë të takohem me këtë publik kaq të mirë”, ka thënë nga skena kantautorja 35-vjeçare nga Dibra.

Kënga e saj më e fundit “Chase it”, me këngë e koreografi unike, ka lënë shenjë në debutimin e saj para publikut në Kosovë. Në fakt befasia ka qenë modifikimi i këngës “I got you” me çifteli e tupanë. Ansambli ka interpretuar aty për aty. Bebe kishte paralajmëruar se do të kishte diçka interesante. Dhe zgjodhi të përfshinte tradicionalen në një prej krijimeve të saj shumë të dëgjuara nga publiku botëror. Ashtu siç kishte bërë edhe Rita Ora, e cila e kishte miksuar këngën “Black Widow” me ritmet e “Valles së shotës” në koncertin e saj në Prishtinë, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Performanca elektrizuese e saj ka zgjatur rreth një orë. Në zonën VIP është parë edhe Dua Lipa duke shijuar performancën e saj e të artistëve vendorë. Këta të fundit sërish e kanë mbajtur ritmin e pak para orës 01:00 atmosferën e ka elektrizuar DJ Regard, artisti nga Kosova i njohur botërisht.

DJ Black Coffee, ka qenë rrëfim më vete, si ylli i dytë i mbrëmjes së parë që ka zgjatur gati deri në lindjen e diellit (Foto: Laurat Gashi/KOHA)

DJ Black Coffee ka qenë rrëfim më vete, si ylli i dytë i mbrëmjes së parë që ka zgjatur gati deri në lindjen e diellit. E, “Sunny Hilli” do të sjellë edhe tri net të tjera.

Aterrimi në Kosovë enkas për festival

Adea Kryeziu, ekonomiste me profesion e që jeton në Angli, ka thënë se Rexha ka qenë shumë pozitive në skenë dhe se e ka shijuar çdo minutë të performancës së saj.

“Është ndjenjë e mirë me pas superstar që janë të vendit tonë. Edhe pse ajo është nga Dibra, por prapë shqiptare. Për ne ka qenë ndjenjë e mirë ta kemi atë afërsi me dikë që është e njohur. Më duket është hera e saj e parë në Kosovë. Shpresoj se edhe ajo është kënaqur, ne kemi qenë super”, ka thënë ajo.

E ka krahasuar “Sunny Hillin” me “Glastonbury” ndonëse, sipas saj, ka hapësira për përmirësime. Festivali anglez, ku sivjet Dua Lipa ka qenë ylli kryesor, është ndër më të mëdhenjtë në botë. Në mesin e viteve ’90 ka shënuar deri në 300 mijë veta në publik.

“Kam qenë në shumë festivale të tjera, për atë edhe kam dashur të vija këtu. Për mua normal ka gjëra që mund të jenë më mirë, por të jem në Prishtinë është gjëja më e mirë. Për mua është kryesore veç atmosfera, nuk ka pasur diçka në të cilën jam fokusuar. Por Burna Boy dhe Stormzy do të jenë super, besoj”, ka thënë ajo më tej për dy artistët. I pari është në natën e dytë, i dyti në të tretën, të shtunën.

Pak para orës 01:00, atmosferën e ka elektrizuar DJ Regard, artisti nga Kosova i njohur botërisht (Foto: KOHA)

Shend Llapashtica, student, që për herë të parë e ka ndjekur një natë të festivalit, ka thënë se atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme.

“Jashtëzakonisht atmosferë e mirë, isha shumë i kënaqur me performancën e Bebe Rexhës, më ka pëlqyer. Ishte interesante, më pëlqeu si performancë, shumë atmosfera e mirë”, ka thënë ai.

Festivali ka tërhequr numër të madh të vizitorëve të huaj. Sipas organizatorëve, në 100 mijë pritet të shkojë numri i ndjekësve të festivalit për katër net – 25 mijë për secilën natë. Shifra zyrtare nuk ka, por organizatorët kanë thënë se mbi 40 për qind e biletave janë blerë prej jashtë Kosovës.

Evrim dhe Gülen Ergin, babë e bijë nga Turqia, kanë ardhur enkas për festivalin.

“Erdhëm nga Stambolli posaçërisht për këtë festival. Ka qenë shumë më zbavitëse sesa pritjet tona, hapësirë e bukur dhe festival shumë argëtues. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Në fakt unë erdha sepse vajza ime më detyroi. Por, është një format që Kosova e ka. Sjell ndjenjën e skenës ndërkombëtare duke sjellë artistë ndërkombëtare. Është diçka shumë e mirë dhe e vlerësoj shumë”, ka thënë Evrim Ergin derisa e ka konsideruar festivalin shumë larg pritjeve të tyre në kuptimin pozitiv të fjalës.

“Shumë profesionale janë përgatitjet. Vërtet më ka pëlqyer shumë. Do të qëndrojmë në çdo natë të festivalit”, ka thënë Ergin, punonjës në kompaninë ajrore turke.

Gülen Margen, artiste e re turke, e ka veçuar performancën e Bebe Rexhës të cilën donte kaherë ta shihte në një koncert.

“E kam admiruar punën e saj si e vogël dhe ishte një moment shumë me rëndësi për mua ta shoh të interpretojë live. Sa u përket artistëve të tjerë, nuk është se i njoh shumë, por jam shumë e emocionuar për performancën e DJ Snake të shtunën. Prapëseprapë e kam një ndjenjë që do t’i pëlqej të gjithë artistët, sepse është një program i mirë”, ka thënë ajo.

Nisi me “DJ Set”, “The Milk Snatchers”, bendin “Zwada”, La Fazanin, Mozzikun e Dafina Zeqirin (në foto) kur skena mori “flakë” (Foto: Laurat Gashi/ KOHA) 

Ritmin e “Sunny Hill Festivalit” e ka marrë nën kontroll DJ i njohur botëror, Black Coffee. Dy orë pas mesnate ka ngjitur skenën tjetër dedikuar enkas për muzikë elektronike. Janë krijime origjinale të tij, por edhe ato të miksuara të repertorit të shquar të epokës muzikore. E tillë si “Believe” e Cher. Madhështore ka qenë edhe skena ku ka interpretuar. Projeksionet në skenë shfaqnin vepra më vete. Aty ka qenë edhe imazhi i Black Coffee në bardhezi tek ka luajtur në miksetën e tij.

Nkosinathi Innocent Maphumulo, 48 vjeç, i njohur me emrin e tij skenik Black Coffee, është DJ, producent dhe autor këngësh nga Afrika e Jugut. Në karrierën e tij ka fituar edhe “Grammy” më 2022 për albumin më të mirë të zhanrit dance – elektronik. “Subconsciously” është studio-albumi i gjashtë dhe për të mori edhe çmimin e madh.

Para tij ka interpretuar DJ Regard nga Kosova, repertori që përfshinte këngë nga vendi e skena ndërkombëtare. Ato qytetare midis tjerash.

Publiku e ka bërë edhe më të veçantë përjetimin e natës së parë të festivalit. Rinia ka zënë vend të veçantë dhe ka numrin më të madh të pjesëmarrësve. Vesa Sefaja ka thënë se më e emocionuar ka qenë për DJ Black Coffee.

“Sot jam më e emocionuar për Black Coffee, është shumë DJ i mirë, kështu që atë po e pres më shumë se të tjerët. Por edhe artistët e tjerë janë shumë të mirë, Dafina e Bebe Rexha janë shumë të mirë, sipas meje”, ka thënë Sefaja, e cila ka qenë në grupin e të rinjve që në “Sunny...” kanë ardhur ende pa perënduar dielli. Festivali edhe në shitje biletash ka një politikë për ata që i besojnë ende pa u publikuar emrat e artistëve. Quhen “Believers” dhe bileta e këtij lloji ka kushtuar 100 euro për dallim prej të tjerave që kushtojnë 200 euro. Ajo VIP shkon në 400 qind euro dhe janë shituar disa ditë pa nisur festivali.

Shifra prej 25 mijë vetash, siç pretendojnë organizatorët duken e ekzagjeruar por megjithatë në hapësirën e gjerë publiku shpërndahet.  Parku i “Sunny Hillit” lirisht mund të quhet një mega-park me shumë mundësi (Foto: Arben Llapashtica)

Klea Morina ka thënë se kanë hasur në vështirësi sivjet me gjetjen e lokacionit. Ka thënë se çmimet kanë qenë më të shtrenjta dhe se është zhgënjyer nga programi.

“Na është dashur me ecë shumë. Vendi shumë i mirë, por shumë larg dhe nuk ka pasur ndonjë shenjë sinjalizuese. Pak pa organizim. Unë jam ‘Believer’, 100 euro kam paguar, mendoj se kësaj here ka qenë shtrenjtë për biletat ‘regular’. Jam zhgënjyer, kam pritur më shumë dhe sivjet më është dukur që ka pasur shumë më pak artistë sesa vitet e kaluara. Pastaj është edhe mospërfshirja e Dua Lipës në program”, ka thënë ajo.

Tea Kastrati i ka ndjekur krejt edicionet e festivalit. Ka thënë se këtë vit është shumë më mirë i organizuar sesa vitet e kaluara.

“Po më pëlqen më shumë sivjet se ka shumë hapësirë, shumë gjëra të reja ngado që po e kthej kokën. Shumë më mirë këtu. Unë kam ardhur në ‘Sunny Hill’ veç për Burna Boy më shumë. Kam jetuar jashtë, shoqëria e ka dëgjuar shumë e më pas edhe unë dhe më është bërë pjesë e jetës. Jam shumë i emocionuar ta shoh atë. Ka afro-beats dhe mua shumë më pëlqen ta dëgjoj, është më ndryshe se gjithë hip-hopi dhe rapi këtu”, ka thënë ajo.

Të rinjtë nga diaspora kanë zgjedhur që disa prej ditëve në Kosovë t’i ndajnë për festivalin “Sunny Hill”. Ka edhe planifikues pushimesh në kohën e festivalit i cili, sipas organizatorëve në edicionin e kaluar, ia ka sjellë Prishtinës 22 milionë euro të hyra.

Gjithmonë kam dashur të vij, por asnjëherë nuk ka ndodhur për shkak të jetës në mërgim. Më shumë gëzohem për artistët e së shtunës. Shpresoj ta shohim Duan live, por më shumë gëzohem për ‘Pintat’, Kreshën dhe Lyrical Son. Kam qenë edhe në të tjerë festivale nëpër Zvicër, por këtu shumë bukur. Nuk ka dallim prej atje”, ka thënë Valmir Azizi, që jeton në Zvicër.

“Sunny Hill Festival” sjell kapituj të përjetimit muzikor edhe tri net. Sonte në qendër janë BurnaBoy dhe “The Martinez Brothers”.