Filmi “Rrugës” nuk ia ka dalë që të sjellë në Kosovë “Palmën e Artë” të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që po mbahet në rivierën franceze në kategorinë e filmave të shkurtër ku “Rrugës” nën regji të Samir Karahodës ishte në garë, “Palmën e Artë” e ka fituar filmi “The Man Who Could Not Remain Silent” i kroatit, Nebojsha Slijepçeviq.
Filmi fitues zbardh rrëfimin e 27 shkurtit të vitit 1993 në Strpci të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas sinopsisit, një tren pasagjerësh nga Beogradi në Tivar të Malit të Zi ndalohet nga forcat paraushtarake në një operacion të spastrimi etnik.
“Derisa largojnë civilë të pafajshëm, vetëm njëri nga 500 pasagjerë guxon t'u rezistojë atyre. Kjo është historia e vërtetë e një njeriu që nuk mund të heshtte”, shkruhet në aty.
Regjisori kroat, Nebojsha Slijepçeviq, është i njohur për filmat e tij të shkurtër dhe ata dokumentarë. Slijepçeviq (51) më 2019 ishte garues edhe në Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren. Qe i nominuar për Çmimin për të drejta të njeriut me dokumentarin “Srbenka” e më 2016 kishte marrë Mirënjohje Speciale për dokumentarin “Something about life” në kategorinë kryesore, atë për dokumentar ballkanik.
Juria e kategorisë së filmave të shkurtër në Cannes në përbërje të kryetares Lubna Azabal, aktore belge dhe anëtarëve, regjisores franceze Marie-Castille Mention-Schaar, programerit italian, Paolo Moretti, regjisores franceze, Claudine Nougaret dhe regjisorit serb, Vladimir Perishiq, e ka vlerësuar realizimin e Slijepçeviq si më të mirin midis 11 filmave.
Ndërkohë, “Rrugës” që kishte premierën të enjten ka shpalosur rrëfimin që sipas sinopsisit të publikuar nga Festivali, gjatë një udhëtimi 15-minutësh me makinë një fëmijë e babai i tij bëjnë muhabet kompleks, duke ofruar qartë realitetin me të cilin përballet shoqëria e sotme kosovare. Bëhet fjalë për babë e bir që janë rrugës për në aeroport për të marrë një dhuratë që vjen nga kumbari i djalit.
“Midis pengesash burokratike me pak a hiç shpresë për ndryshime politike e sociale në vend, ata gjejnë rehati dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen”, shkruhet në përshkrimin që ia ka bërë Festivali filmit. Biseda që zhvillohet në makinë, nxjerr në pah telashet e tanishme që pandashmërisht janë të lidhura me të kaluarën. “Aroma” e luftës është edhe brenda mjetit transportues. Sipas asaj që shihet në “trailer”, djali që luhet nga Miron Karahoda pyet të atin, aktorin (Ylber Mehmeti) për mundësinë që të ketë prapë luftë. E përgjigjja shpjegon shumëçka.