Kulturë

“Rrugës” në Cannes – shansi i radhës i Kosovës për “Palmën e Artë”

Skenë nga sheshxhirimi i “Rrugës”

Skenë nga sheshxhirimi i “Rrugës”

Nëse Samir Karahoda nuk duket fort në publik, është e para shenjë se po punon. Kështu ka ngjarë edhe me filmin e radhës. Tek kur kishte nisur ta finalizonte, kishte deklaruar se “kanë bërë një film të mirë”. E film i mirë për standardet e tij është një për alamet festivalesh. I beftë ka qenë lajmi i pasdites së të martës se “Rrugës” është në garë për “Palmën e Artë” të Festivalit të Cannes, aty ku për herë të parë me “Pa Vend” i bëri vend Kosovës në elitën e kinematografisë. “Është ëndërr e shumë autorëve të filmit...”, ka thënë Karahoda për KOHËN dhe pjesa tjetër është histori. Histori suksesesh dhe një shansi për çmimin e madh

Samir Karahoda kur i futet një projekti suksesin e ka të garantuar. Filmbërësi më i suksesshëm i Kosovës, jo pak i heshtur e modest, është duke shkruar kapitullin e radhës të kinematografisë së Kosovës në botë: atë të më lavdishmin. Filmi i tij “Rrugës” është i dyti me radhë që është në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë” të Festivalit të festivaleve, atij të Cannes. 

Karahoda, i cili i vë në objektivin e tij fenomenet shoqërore, me karakter krejt lokal, bën që të mahniten kinematografët e botës. Midis 4 mijë e 420 filmash selektorët kanë përzgjedhur 11 sosh për të qenë në garën për film të shkurtër. “Rrugës” është midis tyre. Ky projekt i kthen Karahodën dhe Kosovën në konkurrencën zyrtare të Cannes, pas “Pa vend”, i cili qe atje më 2021. Pavarësisht urimeve të shpejta të krerëve institucionalë – fill pas lajmit për suksesin e radhës të martën pasdite – përkrahja e shtetit qe ndër më të ulëtat. 

E funksionimi i shtetit është në fokus të filmit të ri të Samir Karahodës. Sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen. Rrëfimi zë fill nga vakia e vetë regjisorit. Më të birin e kanë provuar zallamahinë procedurale të pranimit të një dhurate. 

Në filmin prej 15 minutash ngjarja tregohet nga aktorët Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Në skenar pos Samir Karahodës ka autorësi edhe i biri, Miron Karahoda.

Karahoda: Ëndërr e secilit, krenar me ekipin

Nëpërmjet komunikimit me postë elektronike, Samir Karahoda të martën nga Spanja i ka thënë KOHËS se një përzgjedhja në një festival të tillë nuk kërkon tepër koment. 

“Është ëndërr e shumë autorëve të filmit që të jetë pjesë e një programi të tillë pasi që dihet se përzgjedhja është shumë rigoroze duke kaluar në disa etapa”, ka thënë ai. Ka treguar se ndihet shumë krenar. “Ndihem krenar me ekipin tonë e aktorët dhe të gjithë të tjerët, ku secili e ka dhënë më të mirën nga vetja pavarësisht kushteve të kufizuara që i kemi pasur. Edhe njëherë me këtë e kemi dëshmuar, se zemra e madhe e anëtarëve të ekipit dhe vullneti i punëtorëve të filmit është me i vlefshëm se gjithçka tjetër”, ka thënë ai. 

Sa i përket filmit më herët kishte treguar se ngjarja bazohet në një ditë të zakonshme kur me djalin e tij ishin në rrugë për në aeroport, për të marrë një dhuratë nga kumbari i të birit. 

“Gjatë këtij udhëtimi 15-20-minutash e kuptojmë se çka po ndodh në Kosovë, sfidat e shoqërisë sonë. Njëra ndër temat e tjera është edhe tema e migrimit kur fillojmë me e kuptu dëshirën e fëmijëve të vegjël që dëshirojnë me u largu nga Kosova pasi që shokët e tij të ngushtë dhe trajneri i tij i futbollit veçse kanë migruar, pavarësisht se babai insiston se si vendlindja nuk ka vend tjetër”, do të rrëfente Samir Karahoda në fillim të marsit të sivjetshëm në emisionin “Nëpër film” të Kohavisionit me autore Edona Binakun.

Synimi i tij ishte që të jetësohet si një portret i Kosovës aktuale. I karakterizuar nga kuadro minimale, ky film i metrazhit të shkurtër zhvillohet në një makinë. Debati i babait dhe djalit të tij të vogël është qendra e narratives. Në rrugë nga Prishtina për në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, nëpërmjet diskutimit të dyshes pasqyrohen problematikat e Kosovës së vitit 2024, të cilat pa dyshim se përkojnë edhe me problemet globale përtej kontekstit lokal. 

Karahoda është mjeshtër që rrëfimeve lokale t’u japë dimension universal. E ka dëshmuar këtë në projektet paraprake që kanë pasur sukses të madh si dokumentar artistik. Tash vjen me fiksion. 
Filmi është produksion i “SK Pictures” me producentë Eroll Bilibanin dhe Samir Karahodën. Përderisa drejtor fotografie është vetë Karahoda, montazhi është bërë nga Enis Saraçi. Pas dhënies së lajmit se filmi do të ketë premierë botërore në Festivalin e Cannes që sivjet mbahet nga 14 deri më 25 maj, bashkëproducenti Eroll Bilibani i ka thënë KOHËS se përzgjedhja e filmit është tepër e rëndësishme për shumë arsye, veçanërisht për një vend të vogël si Kosova.

Bilibani: Samiri me këtë e ka shkruar historinë

“Samiri me këtë e ka shkruar historinë, sepse me filmin e dytë të radhës që e punoi prapë u përzgjodh për festivalin më prestigjioz në botë. Për ne si Kosovë dhe si ekip është një njohje ndërkombëtare, sepse paraqitja në Cannes e shfaq talentin kinematografik të Kosovës në skenën globale. Ndihmon në sfidimin e paragjykimeve dhe kjo mund të ndikojë pozitivisht në ndryshimin e perceptimeve për Kosovën. Është po ashtu njëfarë krenarie dhe një frymëzim kulturor, sepse arritjet e tilla sjellin krenari kombëtare dhe mund të frymëzojnë të tjerët në Kosovë”, ka thënë Bilibani. Ka përmendur se ky lajm është duke ardhur vetëm disa ditë pas “Mirënjohjes speciale” që Pavijoni i Kosovës e mori në Bienalen e Venecias dhe tregon për potencialin artistik të Kosovës. 

“Në anën tjetër është edhe zhvillimi i mëtejmë i industrisë së filmit, sepse ekspozimi ndërkombëtar mund të tërheqë edhe më shumë investime në industrinë e filmit në Kosovë dhe në e dimë që QKK-ja bashkë me MKRS-në janë duke punuar për kthimin e investimeve dhe kjo mund të çojë në përmirësim të infrastrukturës dhe mund të ketë ndikim në rritjen e produksionit të filmave në Kosovë me një cilësi më të lartë”, ka thënë Bilibani. Në perspektiven e tij, një nga elementet e rëndësishme është edhe vazhdimi i këtij rrjetëzimi që e kanë gjithandej, sepse pjesëmarrja në festivale të tilla mund të krijojë marrëdhënie edhe me producentë e regjisorë të tjerë ndërkombëtarë për projekte të përbashkëta. 

“Sukseset e tilla në festivalin më të rëndësishëm në botë, atë të Cannes, mund të inkurajojnë qeveritë për mbështetjeje më të madhe të talenteve. Kjo përzgjedhje nuk është vetëm një fitore për neve si ekip, por edhe nxitje shumë e madhe për industrinë e filmit në rritje në Kosovë dhe për gjurmët që po i lë kinematografia e Kosovës në skenën botërore”, ka thënë Bilibani më pak se një muaj para se të niste edicioni i 77-të i Festivalit që sivjet do të hapet me filmin “Le Deuxième Acte” (Akti i dytë) të regjisorit francez Quentin Dupieux. Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë në konkurrencë janë 19 projekte. 

Filmi i Karahodës është në konkurrencë me “Volcelest” të francezit Éric Briche, “Ootid” të lituanit Razumaitė Eglė, “Sanki Yoxsan” të regjisorit azerbajxhanas, Azer Guliev, “Les Belles Cicatrites” të francezit Raphawl Jouzeau, “Across the Waters” të kinezit Viv Li, “Perfectly a Strangeness” të kanadezit Alison McAlpine, “Tea” të amerikanit Blake Rice, “Yellow” të brazilianit André Hayato Saito, “The Man Who Could Not Remain Silent” të kroatit, Nebojša Slijepčević dhe “Bad For a Moment” të portugezit Daniel Soares. 

Juria e kategorisë së filmave të shkurtër sivjet është në përbërje të kryetares Lubna Azabal, aktore belge dhe anëtarëve, regjisores franceze Marie-Castille Mention-Schaar, programeri italian Paolo Moretti, regjisores franceze Claudine Nougaret dhe regjisorit serb Vladimir Perishiq.

Posteri i filmit pas konfirmimit në konkurrencën zyrtare të edicionit të 77-të të Festivalit të Filmit në Cannes, që mbahet prej 14 deri më 25 maj 

Urimet e politikës dhe përkrahja dëshpëruese nga shteti

Suksesi i Samir Karahodës është duartrokitur edhe nga politika. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook se Karahoda bëhet regjisori i parë nga Kosova që ka shfaqur dy filma të ndryshëm në konkurrencën e Festivalit të Cannes. Ka dhënë informacione në stilin e tij, duke lënë të kuptohet se ka qenë i afërt me procesin. 

“Filmi është shkruar nga Samiri dhe djali i tij, Mironi, bazuar në një bisedë që të dytë kanë zhvilluar në veturë gjatë rrugës për në aeroport. Mironi bashkë me Ylber Mehmetin luajnë dy rolet e vetme në film. Montazhin e filmit e ka kryer Enis Saraçi, të cilin e kam vizituar në studio në muajin shkurt, përderisa e montonte filmin bashkë me Samirin”, ka shkruar ai. 

“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Evropian “ARTE” dhe Televizioni Finlandez “Yle”. Postimi i kryeministrit Kurti është shpërndarë nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke ia shtuar fjalinë: “Edhe një lajm fantastik, filmi ‘Rrugës’ i regjisorit Samir Karahoda shkon në Cannes”. Kurse Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpërndarë njoftimin e vetë ekipit të filmit. Sa i përket përkrahjes nga QKK-ja, regjisori Karahoda kishte folur qartë. 

“Përkrahja nga Qendra Kinematografike e Kosovës ka qenë dëshpëruese, por falë zemrës së madhe të ekipit kemi arritur me e realizu një vepër të mirë”, kishte thënë ai. Karahoda asnjëherë nuk ka pasur përkrahje të duhur nga QKK-ja. Me 20 mijë e 800 euro ishte përkrahur ky projekt. 

Me dokumentarin “Në mes” për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s. Me të dytin projekt filmik, “Pa vend” bëri histori si i pari produksion vendor që garoi për “Palmën e Artë”, në Festivalin e Filmit në Cannes, në korrikun e vitit 2021, ku u dha premierë botërore. U bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Ishte në garë edhe për çmimet e Akademisë Amerikane. S’u ndal as më 2022, kur në “Sundance Film Festival” mori çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër. 

Për të dytën herë, këtë edicion festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” i është bërë partner një prej festivaleve më prestigjioze dhe me traditë në botë. Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFest” u bë pjesë e “Marche du Film” (Tregut të Filmit), që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë. Cannes e kishte ftuar festivalin kosovar gjithashtu edhe në forumin “Rendez-vous Industry”, dedikuar takimeve me profesionistë të filmave të shkurtër ku atje ka qenë regjisori Samir Karahoda. Më 2021 pos me filmin e Karahodës, Kosova ishte e pranishme edhe me premierën botërore të filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regji të Luana Bajramit në kuadër të “Director's Fortnight”.

Në anën tjetër, edhe një aktor nga Kosova më 2022 ishte rikthyer në edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes. Alban Ukaj kishte qenë në Festival si rrjedhojë e rolit të tij në filmin “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Ukaj ishte në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”, që kishte marrë Çmimin për skenarin më të mirë. 

Karahoda kthehet prapë. 

“Arsyeja numër një që kam filluar të bëj filma është t’i trajtoj padrejtësitë që na bëhen në këtë shoqëri, pasi që mendoj se ne nuk jemi të vetëdijshëm për to. Përmes këtij filmi do të ngacmohen disa tema, të cilat do të nxisin njerëzit të mendojnë më shumë”, do të thoshte Karahoda për “Rrugës” në fillim të marsit. Tashmë i ka bërë selektorët e Cannes që të mendojnë më shumë. Pa dyshim do ta bëjë edhe publikun në rivierën juglindore të Francës. E sigurisht edhe pushtetarët që indirekt prekën mjeshtërinë e Karahodës.