Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, dhe kryetarin e Shoqatës së Intelektualëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, Xhemaledin Salihu. AShSh-ja i ka ofruar mbështetje dhe vlerësim trashëgimisë shqiptare në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Nga Nika i është kërkuar bashkëpunim për organizimin e konferencave të përbashkëta dhe të promovimeve, për praninë e botimeve akademike në të vetmen librari të librit shqip në Ulqin dhe në bibliotekën e qytetit, për pjesëmarrjen e autorëve shqiptarë si hartues tekstesh për mësimdhënie për historinë kombëtare duke filluar prej manualeve me karakter plotësues të programeve zyrtare, si dhe mbështetje për plotësimin e kërkesave për identitet e zhvillim shpirtëror.
Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë, Xhemaledin Salihu, ka folur për përvojat e shoqatës që ai drejton, duke theksuar se problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, megjithëse vazhdim i të njëjtave tradita organizimi si në bashkësinë e shqiptarëve në Mal të Zi, janë më të ndërlikuara.
Ka thënë se pritet më shumë mbështetje e gjithanshme nga Shqipëria e Kosova për zhvillimin e shqipes në shkolla, mësimin e historisë kombëtare, zbulimin e promovimin e vlerave të identitetit etj.
Kryetari Gjinushi ka siguruar se mbështetja e Akademisë për fuqizimin e këshillave e shoqatave që drejtojnë do të jetë gjithnjë e pakursyer.
Ka theksuar se shqiptarët në Luginën e Preshevës, sa u përket trashëgimisë dhe identitetit, kanë të drejtë të kërkojnë po aq sa kërkon Beogradi për serbët në Kosovë. Duke iu përgjigjur kërkesave për një rol nxitës lidhur me identitetin dhe trashëgiminë nga ana e Akademisë së Shkencave, kryetari Gjinushi ka thënë se “hartimi i ‘Enciklopedisë shqiptare’, vepër madhore në albanologji, është një mundësi me rëndësi parësore për t’u dhënë shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi të gjithë vendin dhe hapësirën që meritojnë: në histori, tradita, kulturë e arte, qofshin si personalitete, qofshin si ngjarje a zhvillime”.
“Trashëgimia shqiptare në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës, sipas ndarjes territoriale të punës midis dy redaksive vendore, ndiqet nga redaksia e Prishtinës, por në çdo rast jemi të gatshëm t’u ndihmojmë e të na ndihmoni për një paraqitje dinjitoze. E njëjta gjë vlen edhe për projektin ‘Histori e shqiptarëve’, një vepër integrale që po përmbyllet. Por hapi tjetër mund të jetë hartimi i historive më të lokalizuara, si ‘Historia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës’ apo në Mal të Zi, që është një mundësi tjetër për të thënë të vërtetat tona”, citohet të ketë thënë ai. “’Fjalori i madh i shqipes’ po përfundon, por dialektet e të folmet janë trashëgimi plotësuese dhe do të shërbejnë gjithnjë për pasurim”, ka thënë ai. Është zotuar se botimet e Akademisë do të jenë në bibliotekën publike të qytetit, në shërbim të intelektualëve e studiuesve.
“Nënshkrimi i një memorandumi është i realizueshëm, por më e dobishme është që çdo fillimviti të bëjmë të njohur reciprokisht programin e veprimtarisë dhe mbi bazën e tyre të identifikojmë aktivitetet ku duhet të jemi të pranishëm”, ka thënë Gjinushi.