Filmi me historinë autentike nuk kthehet duarthatë në festivalet që merr pjesë. Ua ka mësyrë edhe çmimeve kombëtare të Zvicrës. Është njëri prej filmave të kualifikuar për mundësi nominimi në pesë kategori. Filmi më i Mirë është veç një prej tyre. Filmi me rrëfimet nga Kosova, në gjuhën shqipe dhe me kastën e aktorëve vendorë do të mund të zgjidhet si më i miri i Zvicrës për këtë vit si rrjedhojë e bashkëprodhimit ndërmjet dy vendeve
Rrëfimi i filmit “The Land Within” me regji e skenar të Fisnik Maxville lë përshtypje gjithandej. Filmi me historinë autentike nuk kthehet duarthatë në festivalet që merr pjesë. Ua ka mësyrë edhe çmimeve kombëtare të Zvicrës. Është njëri prej filmave të kualifikuar për mundësi nominimi në pesë kategori. Filmi më i Mirë është veç një prej tyre. Filmi me rrëfimet nga Kosova, në gjuhën shqipe dhe me kastën e aktorëve vendorë do të mund të zgjidhet si më i miri i Zvicrës për këtë vit si rrjedhojë e bashkëprodhimit ndërmjet dy vendeve.
“The Land Within” (Toka brenda meje) synon të jetë pjesë e listës prej pesë filmave që do të nominohen për kategorinë kryesore të çmimeve të kinematografisë zvicerane. Por janë edhe katër kategori të tjera për të cilat është kualifikuar për mundësi nominimi. Filmi me regji të Maxville synon nominim edhe në kategoritë: Skenari më i Mirë, Kolona Zanore më e Mirë, Zërimi më i Mirë dhe Montazhi më i Mirë.
Nga Qendra Kinematografike e Kosovës është bërë e ditur se për secilën kategori garojnë 25 filma për nominim. Prej tyre, vetëm pesë futen në garë për çmimet përkatëse.
“Filmi është në garë me 25 filma të tjerë artistikë për një nominim të vetëm, ku vetëm 5 prej tyre do të konkurrojnë për çmimin ‘Quartz’. Nominimet do të zbulohen gjatë Solothurner Filmtage Festival në janar të vitit 2024, një ndër ngjarjet kryesore të filmit në Zvicër, ku filmi ‘The Land Within’ pati premierën zvicerane në vitin 2023 si pjesë e kategorisë kryesore”, shkruhet në komunikatën e QKK-së.
Aty shkruhet gjithashtu se “kjo është hera e parë që një bashkëprodhim filmik zviceran-kosovar kualifikohet në kaq shumë kategori, sidomos në atë të filmit më të mirë”.
Sipas regjisorit Maxville, nominimi i “The Land Within” për Filmin më të Mirë do të bëhej sebep që filmi do të ishte i pari në gjuhën shqipe që do të garonte si filmi më i mirë zviceran.
“Mendoj se është e rëndësishme, pasi një film që është komplet shqip mund të fitojë çmimin kryesor si Filmi më i Mirë zviceran i vitit. Për atë arsye po më duket shumë e rëndësishme pasi nuk kemi pasur deri tash asnjë film përfaqësues të gjuhës, kulturës dhe me aktorët tanë në Zvicër. Nuk ka filma që më parë kanë pasur mundësi të konkurrojnë për këtë çmim”, ka thënë regjisori Maxville.
Sipas tij, vetë nominimi në këtë kategori është i rëndësishëm pasi i mundëson filmit shfaqjen gjithandej në shtetin e Zvicrës.
“Filmi e ka pasur premierën qe një vit, prej atëherë është duke udhëtuar nëpër festivale. Nëse ka disa nominime në këto kategori, kur shpallet filmi në kinematë e Zvicrës, mund të jetë një lloj marketingu shumë i mirë për film, e sidomos që komuniteti ynë atje gjithashtu mund të interesohet për këtë film. Mund të shihen këto storie shumë të veçanta të Kosovës”, ka thënë ai.
Në secilën kategori do të jenë nga pesë filma të nominuar. Nominimi në kategorinë kryesore do të ishte vetë suksesi i filmit sipas Maxville.
“Për mua nominimi për Filmin më të Mirë është qëllimi i parë pasi pesë filmat që nominohen në këtë kategori do të shfaqen rreth Zvicrës. Në atë moment pasi kemi mundësinë të udhëtojmë rreth Zvicrës me filmin, kam mundësinë edhe të takoj audiencën që interesohet për këtë lloj storie. Nuk e kemi qëllim kryesor ta fitojmë, por vetëm të jemi të nominuar”, ka thënë më tej regjisori i filmit “The Land Within”, Fisnik Maxville.
Filmi ishte shfaqur premierë zvicerane në janar të vitit të kaluar në “Solothurner Filmtage Festival”, ku kishte qenë në garë për çmimin kryesor. Në Zvicër më pas ishte shfaqur edhe në “Locarno Film Festival” në gusht.
Në bazë të të dhënave të “Swiss Film Award”, nominimet shpallen në mars të vitit të ardhshëm në Zurich, ngjarje që organizohet nga Akademia e Filmit në Zvicër.
Ngjarja e filmit zhvillohet në vitin 2008, ku nxjerrja e mbetjeve mortore në varrin masiv të një fshati sjell sekrete nga e kaluara. Filmi pati premierën botërore në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni në nëntor të vitit të kaluar. Aty mori Çmimin e parë për Filmin më të Mirë Artistik.
Rrëfimi në film flet për Remon, rol që e luan Florist Bajgora, një emigrant i shtetit zviceran. Krahas tij, në rol kryesor është Una, që e luan Luana Bajrami. Ajo kujdeset për të atin që është i palëvizshëm dhe nuk mund të flasë. Përderisa varrezat masive janë emëruesi i gjithçkaje, bëhet e ditur se ato janë produkt i një urrejtjeje ndëretnike. Vetë Remo është i biri i një shqiptareje dhe një serbi, të cilët u vranë shkaku i urrejtjes ndëretnike.
Në film luajnë edhe aktorët: Arta Muçaj, Armend Smajli, Luan Jaha, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena, Çun Lajçi dhe të tjerë.
Veç një muaj më parë, “The land within” u dha premierë edhe në Angli, në festivalin “RainDance”, ku u shpërblye me çmimin “Best Director”. Rrëfimi në film për kthimin në vendlindje, dashurinë e parë e përballjen me të kaluarën e të tashmen i ishte shpalosur publikut edhe në festivalin e pavarur të filmit “RainDance”, që konsiderohet prej më të mëdhenjve të llojit të tij. Regjisori Maxville kishte thënë se të gjitha biletat për filmin veçse ishin shitur.
Premierë kosovare ishte shfaqur në shtator të këtij viti në festivalin ndërkombëtar të filmit “PriFest”. Filmi edhe e kishte hapur programin e sivjetmë të festivalit, ku edhe mori çmimin kryesor, atë për Filmin më të Mirë.
“Swiss Film Award” organizohet në bashkëpunim me “Swiss Films, “Swiss Film Academy” dhe “Solothurn Film Festival”.
“Çdo vit Çmimi Zviceran i Filmit nderon filmat më të shquar zviceranë dhe profesionistët më të shquar të filmit të Zvicrës. Është një angazhim nga Zyra Federale e Kulturës dhe lehtësohet në partneritet me SRG SSR dhe shoqatën ‘Quartz’, Genève Zürich”, shkruhet në ueb-faqen e ngjarjes.