Artistja Renea Begolli ka marrë çmimin “Artistët e së nesërmes” të organizuar nga qendra për art bashkëkohor “Stacion” në Prishtinë. Veprën e saj e ndërton piktura shumëngjyrëshe “Pink little clouds” dhe instalacioni me tekstil “Skies extended” si formë e zgjatur e pikturës. Është simbol për teknologjinë e re të “mbjelljeve të reve”, që ka për qëllim të sjellë shiun me re artificiale.
Vepra, pos estetikës, sjell mesazhet për ndotjen kimike. Informimi i publikut ka qenë esenca e saj, pjesa tjetër i takon perceptimit të shikuesit. Peizazhet janë edhe praktika të artistes Begolli.
“Është ndërtuar prej dy elementeve: prej pikturës dhe prej instalimit me tekstil. Ideja e punës fillimisht është ndërtuar përmes pikturës që është punuar në fillim të këtij viti dhe ka të bëjë më shumë me peizazhet e së ardhmes”, ka thënë artistja Renea Begolli, fituese e “Artistët e së Nesërmes 2023”, që u shpall të shtunën mbrëma në objektin e ish-klubit të boksit “Prishtina”.
Çdo vit, fituesit i mundësohet pjesëmarrja në një rezidencë artistike në New York për dy muaj me qëllim që të përjetojë dinamikën e skenës artistike atje.
Artistja Begolli është shprehur e entuziazmuar për t’iu bashkuar kësaj rezidence dhe të njoftohet me artin ndërkombëtar.
“Jam shumë entuziaste të shoh çfarë ka atje, çfarë lloj muzesh, çfarë lloj galerish, të njoftohem më shumë me njerëzit dhe të shoh, për shkak se shumica e përvojës sime si artiste ka qenë brenda Kosovës dhe kam mundur të shoh pak brenda Evropës. Do të jetë diçka shumë e re për mua, por jam shumë entuziaste të shoh. Mendoj se do të jetë inspirim për të marrë shumë elemente të ndryshme të jetës, kulturës, artit atje”, ka thënë ajo.
Pos Begollit, finalistë ishin edhe Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa. Jaka ka garuar me instalacionin e tij pamor e zanor që e lidh ishullin e tij artificial me planetin Tokë. Artistja Musa e ka trajtuar çështjen e identitetit kombëtar nëpërmjet instalacionit me tulla. Ka gërshetuar edhe vitet ’90 duke sjellë filmime nga viti 1996.
Juria e këtij edicioni ka qenë e përbërë nga artistja gjermane, Julieta Aranda, artistja serbe Miljana Dungjerin, artistja Agrina Vllasaliu, që është edhe fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes 2022”, kuratori dhe shkrimtari turk Alper Turan, si dhe artisti Driton Selmani.
Në arsyetimin e jurisë për përzgjedhjen, veprën e Begollit e kishin vlerësuar se “e shtyn pikturën përtej komoditetit të pëlhurës dhe e përdor atë për të hetuar tensionet midis botës njerëzore dhe asaj më shumë se njerëzore, që duket se janë qendrore në praktikën e saj”.
Ekspozita ishte hapur më 10 nëntor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 9 dhjetor në qendrën e artit bashkëkohor “Stacion” në kryeqytet.