Kulturë

“Molla s’ka qenë aksident” sfidon dhimbjen për triumfin e dashurisë

“Molla s’ka qenë aksident” ecën nëpër realitetin e hirtë teksa thyen tabu. Është një thirrje për gratë queer dhe fatin e tyre
 

Një performancë skenike, e cila ndërthur forma të ndryshme të ekspresionit artistik, thyen mure në hapësirën e “Grand Hotelit” teksa konkretizon çdo stacion të rrugëtimit me vuajtje e trauma të një çifti lezbikesh. Destinacioni final është dashuria e vërtetë

Me perfomancë dhe koncept nga Arlinda Morina – Liki dhe Uresa Ahmeti, zbërthehet rrëfimi i një çifti lezbikesh që vuajnë nga traumat e krijuara nga shoqëria shtypëse, që me trupat e tyre krijojnë një performancë që përbirohet prej dhimbjes deri në dashuri. Aty e gjejnë fuqinë. Ato i tremben dashurisë, sepse jetojnë në një botë që nuk mund ta kontrollojnë. Trupat e tyre krijojnë lëvizje dhe tek audienca vjen fuqia e mosdorëzimit. Kështu përshkruhet kjo performancë në njoftimin e “CSGD Kosovo”, organizatë joqeveritare e cila merret me mbështetjen, mbrojtjen dhe avokimin rreth çështjeve të komunitetit LGBTIQ. Titulli është simbolik: “Molla s’ka qenë aksident”. Performanca e dhënë të shtunën mbrëma, nën patronazhin e qendrës kulturore “Barabar” në Prishtinë, e shndërroi skenën e improvizuar në hapësirën e qendrës në “Grand Hotel”, në një vend të lirë. Është hapësirë boshe në të cilën u eksploruan emocione të shumta njerëzore nën hijen e sfidave shoqërore. Performanca fillon me përcjellje të tingujve të vokalit femëror me ngjyrime himnizuese e tendosëse si për të paralajmëruar dramën që do të vijë në minutat në vazhdim.

Uresa Ahmeti paraqitet krejt në fillim duke kafshuar një mollë, e cila transmeton hakmarrje në çdo kafshatë teksa Arlinda Morina – Liki zgjohet në një gjendje gjysmë të vdekur, duke u përpëlitur për të mbijetuar nga grushtat e shqelmat e jetës. Nëpërmjet lëvizjeve skenike mundohet t’i tregojë audiencës jetën e saj, vështirësitë. Nën një ndriçim minimal zgjohet dhe Uresa, e cila pasi fiton vetëdijen me sytë të cilët kërkojnë përgjigje, pyet se ku është.