Ylli i serisë “Breaking Bad”, RJ Mitte, do të jetë në Shqipëri në kuadër të Javës Amerikane në Kulturës. Organizimi “Javët Ndërkombëtare të Kulturës” në javën e ardhshme do t’i takojë artit amerikan.
Për këtë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka njoftuar se nga data 10 deri më 14 tetori në Tiranë do të ketë muzikë amerikane, filma e aktivitete të tjera.
“I ftuari ynë i nderit gjatë Javës Amerikane është ylli i Hollywoodit, aktori i Breaking Bad, RJ Mitte. I njohur për rolin e tij si Walt Jr. në serialin fitues të çmimit ‘Emmy’ ‘Breaking Bad’, RJ theu stereotipat dhe ndryshoi mendësi me pozitivitetin e tij. RJ e ka kthyer aftësinë e tij ndryshe në pasuri duke punuar në çështje të lidhura me të drejtat e personave me aftësi ndryshe, gjithëpërfshirjen dhe kundër bullizmit. Mos e humbni mundësinë për ta takuar gjatë Javës Amerikane dhe në Panairin e Ditës Kombëtare të Aktivizmit më 11 tetor”, shkruhet në njoftim.
Nëpërmjet këtij organizimi, shteti synon të rrisë bashkëpunimin, shkëmbimin mes artistëve e edhe pasurimin e jetës kulturore. Veç vitin e kaluar ishin 18 shtete pjesëmarrëse midis të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedia, Egjipti, Kina, Gjermania, Japonia, Austria, Turqia, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe e Kosova.
Hapja e aktiviteteve vjet kishte nisur me Francën. Organizimi ishte promovuar edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Nis nesër me Francën cikli i parë vjetor i javëve ndërkombëtare të kulturës, një nismë e re e Qeverisë shqiptare që do të krijojë çdo vit hapësira të reja njohjeje e komunikimi me vendet e me kulturat e tjera, e natyrisht do të rrisë konsiderueshëm kalendarin e aktiviteteve kulturore dhe argëtuese”, kishte bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në maj.
Edicioni i dytë i Javëve Ndërkombëtare të kulturës që nisi në maj, përfundon më 30 nëntor. E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, aktivitet në kuadër të këtij organizimi mbahen nga artistë të vendeve të ndryshme, prej Kinës deri te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në anën tjetër, Kosova dhe Shqipëria qysh prej vitit 2014 nënshkruajnë kalendarin e përbashkët kulturor dhe protokolle vjetorë të bashkëpunimit. Por pavarësisht zotimeve zyrtare, implementimi mbetet një sfidë e madhe, zakonisht shkaku i financimit të aktiviteteve nga ana e Shqipërisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.