Shteti është alarmuar sa i përket shkatërrimit të trashëgimisë kulturore kohëve të fundit. Rastet kur nëpërmjet ekskavatorëve e djegies është ndërhyrë në kundërshtim me ligjin ndaj aseteve të trashëgimisë kulturore kanë bërë që të paktën të mblidhen drejtues e zyrtarë institucionet për të diskutuar për hapat që duhet të ndërmerren.
Kulla dyshekullore e Fetah Kurexhajt në Kurexh të Gjilanit në shtator qe rasti i fundit në serinë e djegieve të monumenteve të mbrojtura me ligj. Dy javë para saj, u shkrumbua Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës midis të tjerash, kishin thënë se “shpresojnë që raste të tilla të mos përsëriten”. Por është bërë edhe një hap. Po tentohet për një koordinim institucional për këtë çështje.
Në pjesën e dytë të muajit të kaluar ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka pasur në “takim koordinues”, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministrin e Ministrisë së Drejtësisë, Vigan Qorolli, përfaqësuesin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Agron Qalaj, zëvendëskryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Qerim Ademaj dhe Arbnesh Ajvazin, përfaqësues nga Policia e Kosovës. Sipas asaj që është thënë pas takimit, kanë diskutuar “për angazhimin e përbashkët e maksimal në parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturore dhe forcimin e bazës ndëshkuese për dëmtuesit”.
“U dakorduan të vazhdojnë këtë koordinim përmes takimeve të rregullta dhe veprimeve të përbashkëta, duke u siguruar që çdo aset të kthehet në gjendjen e mëhershme dhe ata që i dëmtojnë të marrin dënimet meritore”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së.
KOHA ka kërkuar hollësi nga MKRS-ja sa u përket hapave konkretë të veprimeve të përbashkëta. Nëpërmjet përgjigjeve me shkrim, zyrtarët e MKRS-së kanë thënë se takimi ka qenë i natyrës koordinuese, ku akterët relevantë në zbatimin e ligjit, në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në Kosovë, kanë diskutuar për bashkërendimin e veprimeve për t’u siguruar që pasuritë e Kosovës të mbrohen dhe dëmtuesit e saj të marrin dënimin e merituar.
“Dy aspektet kryesore, që janë diskutuar në takim ishin: veprimet dhe angazhimi i institucioneve dhe mekanizmave përkatës në parandalimin e dëmtimit të aseteve të trashëgimisë kulturore; si dhe forcimi i bazës ndëshkuese ndaj atyre që tentojnë ose i dëmtojnë këto asete.
Palët janë dakorduar të vazhdojnë me takime të rregullta dhe veprime të përbashkëta”, shkruhet në përgjigje. Por nuk është treguar se cilat do të jenë veprimet parandaluese.
Sali Shoshi, i cili udhëheq me Fondacionin Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij, “CHwB Kosova”, ka thënë se sa herë që ekziston një sfidë e sigurisë, institucionet që janë të thirrura, e bëjnë një analizë dhe marrin veprime parandaluese, përfshirë edhe punën në komunitet për ngritjen e vetëdijes. Sipas tij, varësisht nga shkaqet, duhet marrë edhe veprimet. Në këtë rast, ka përmendur vëzhgimin, survejimin me kamera ose forma të tjera si angazhim të vëzhguesve të lagjes.
“Çka unë mendoj është se para se të dilet tek analizat e sigurisë, janë disa veprime që duhet bërë MKRS-ja”.
“Në momentin që një ndërtesë të futet në Listën e trashëgimisë, ajo e ka të përcaktuar territorin dhe regjimin mbrojtës. Regjimi mbrojtës ishte dashur të jetë i qartë. Edhe nëse ka rrënim, në atë parcelë të mos lejohej të ndërtohet diçka tjetër. Në këtë rast, atyre që kanë motive të ndërtimit u pamundësohet kjo”, ka thënë ai.
Sipas Shohit, aktualisht shihet se në shumicën e aseteve nuk ka regjim mbrojtës, nuk ka perimetër të caktuar dhe këto paqartësi i fusin në veprim grupet e interesit.
“Mandej duhet krijuar një marrëdhënie kontraktuale me pronarët. Në mungesë të dorës së shtetit shpesh pronarët ndihen të ndëshkuar se nuk kanë të drejtë të zhvillojnë diçka në pronën e vet, kurse të tjerët përreth zhvillojnë pronat e tyre e përfitojnë ekonomikisht”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, do të duhej që pronarët e monumenteve të kenë një status në mënyrë që ta kenë të qartë që shteti e ka vlerësuar pronën e tyre si një vlerë për vendin, si monument.
Me vlera të veçanta vlerësohej edhe Kulla në fshatin Kurexh të Gjilanit. Strukturat ishin ngritur nga guri dhe tullat e llaçit tradicional. Kulla gati dyshekullore ishte përfshirë nga flaka përderisa prej vitit 2011 ishte pa kulm.
Në pasditen e 30 gushtit ndërtesa e Muzeut të Muzikës në Gjakovë kishte hyrë në kapitullin e fundit të shkatërrimit: qe kapluar nga zjarri. Historia e shkatërrimit të kësaj ndërtese nuk është e re. Por demolimi i saj pothuajse i tërësishëm është arritur nga zjarri masiv. Përderisa, sipas institucioneve komunale, eksponatet ishin larguar më herët dhe ndërtesa do të rindërtohej në vitin që vjen, anëtarë të Qeverisë kishin akuzuar Komunën për këtë rast. Sipas Policisë, edhe për këtë rast hetimet vazhdojnë. Ndërtesa e njohur si “Tabhane” ishte rindërtuar plotësisht më 2012 nga Ministria e Kulturës. E prej vitit 2016 qe shndërruar në Muze të Muzikës. Shumica e instrumenteve ishin larguar para se të kaplohej nga flaka, pasi monumenti në qendër të Gjakovës ishte vandalizuar vazhdimisht.
Po në gusht dy herë ishte tentuar të rrënohej një prej monumenteve më të rëndësishme të Mitrovicës. Rasti i “Shtëpisë së Familjes Koroglu” në Mitrovicë ka alarmuar institucionet e trashëgimisë kulturore dhe ato të sigurisë. Për tentim të rrënimit një person do të japë llogari ligjore, përderisa shteti ka nisur që të hartojë një projekt për ndërhyrje emergjente. Shtëpia qytetare e shekullit XIX gjendet në zonën e parë të qytetit të Mitrovicës. Autoritetet komunale dhe ato të trashëgimisë kulturore në muajin korrik kishin dyshuar për një tentim të rrënimit. Por në gusht e kanë vërtetuar atë. Madje një i dyshuar është liruar me procedurë të rregullt për këtë rast.
Demolimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë sanksionohet me Kod Penal. Edhe me Ligjin për Trashëgimi Kulturore gjobitjet shkojnë deri në 500 mijë euro.
Në mars të këtij viti, një ditë pasi kishte nisur restaurimi, Shkolla e Parë Shqipe në Ferizaj ishte kapluar nga zjarri. Kjo është bërë dhjetë ditë pasi zjarri që dyshohej se i ishte vënë qëllimshëm, e bëri shkrumb krejt kulmin e ndërtesës së viteve 1928-1930. Një grup punonjësish të kompanisë punëkryese kanë nisur restaurimin disa ditë më pas, dhe monumenti që njihet edhe si Shkolla e Parë Shqipe “Ismail Qemali” e Gjimnazi i Ulët Shqiptar është në prag të kthimit në identitet. Por pos zotimeve për restaurime të ndërtesave që shkatërrohen qëllimshëm, shteti nuk paraqet opsion që do të parandalonte aktet e shkatërrimit të monumenteve – të cilat prej vitit 2004, kur Kosova u bë pas luftës së fundit me Kod Penal – janë vepra penale.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.