Kulturë

Robert Elsie – studiuesi e promovuesi i kulturës shqiptare në botë

Robert Elsie në vitin 2005
 

Robert Elsie qe një prej atyre që pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi nxjerrjes në pah të kulturës shqiptare. Nuk do të ndalej së punuari deri në fund të jetës. Pak ditë para vdekjes do të komunikonte me akademik Rexhep Ismajlin për programin e Konferencës për studimet albanistike në botën ku flitet gjermanishtja. E me albanistikën lidhjen e kishte të hershme

Në ditën e dytë të tetorit të 2017-s, kultura shqiptare do të përballej me kumtin e humbjes së një prej studiuesve të zellshëm. Përtej kësaj, do të shembej një urë e fortë e ndërlidhjes së kësaj kulture me botën. Studiuesi kanadez Robert Elsie do të vdiste në moshën 67-vjeçare në Bon të Gjermanisë. Qe një prej atyre që pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi nxjerrjes në pah të kulturës së kësaj ane. Nuk do të ndalej së punuari deri në fund të jetës. Pak ditë para vdekjes do të komunikonte me akademik Rexhep Ismajlin për programin e Konferencës për studimet albanistike në botën ku flitet gjermanishtja. E me albanistikën lidhjen e kishte të hershme.

I lindur më 29 qershor 1950 në Vancouver të Kanadasë, ndoqi studimet në “University of British Columbia" (Universitetin e Kolumbisë Britanike), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë. Pas diplomimit më 1972, udhëtoi drejt Evropës, ku vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor, pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta në Paris, për të vazhduar në Institutin e Dublinit për Studime të Larta në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit, ku mbrojti doktoratën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Sipas biografisë së tij, në fund të viteve ’70 e vizitoi Shqipërinë. Kjo vizitë do të bëhej shkas për një kthesë jetësore të Elsiet. Deri në fund të jetës së tij, krahas punëve të tjera, u mor me studime albanologjike. Është autor i më shumë se 60 veprave dhe shumë artikujve. Do të krijonte një ueb-sajt – funksional edhe sot – në tri gjuhë që shërben vazhdimisht si institucion i kulturës shqiptare. Në Kosovë vdekja e tij qe shënuar me ceremoni të veçanta në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.