Dy OJQ për funksionalizimin e dy monumenteve, te njëri dështon pa nisur
Në Shtëpinë e Katarina Josipit në Zym të Hasit, Ministria e Kulturës ka investuar 50 mijë euro. Implementimi i projektit kishte marrë më shumë se një dekadë. E ndërtesa e gurtë e promovuar në maj të vitit 2019 vazhdon të jetë e mbyllur për vizitorë
Prej pesë monumenteve sa kishte synuar t’i funksionalizonte me organizata joqeveritare, Ministria e Kulturës ka bërë zgjidhje vetëm për dy. Me 135 mijë euro për tre vjet do të financohet organizata “Mundësia” për funksionalizimin e kompleksit memorial “Isa Boletini” në Boletin, përderisa me 60 mijë euro do të mbështetet klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” për funksionalizimin e Shtëpisë së Katarina Josipit në Zym të Prizrenit. Por, te shtëpia e aktores së shquar del të ketë dështuar ende pa nisur implementimi i projektit. Bartësi ka thënë se me buxhetin që ka në dispozicion zor se mund të “funksionalizojë tamam”
Ministria e Kulturës i ka gjetur dy organizata joqeveritare, të cilat mbështeten me 185 mijë euro në emër të funksionalizimit të dy monumenteve. Me 135 mijë euro për tre vjet do të financohet organizata “Mundësia” për funksionalizimin e kompleksit memorial “Isa Boletini” në Boletin, përderisa me 60 mijë euro do të mbështetet klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” për funksionalizmin e Shtëpisë së Katarina Josipit në Zym të Prizrenit.
Por, qëllimi i MKRS-së të paktën te Shtëpia e aktores në Zym të Hasit del se nuk i ka bërë hesapet mirë. Sipas udhëheqësit të OJQ-së, me këtë mbështetje nuk mund të ketë ciceron permanent në këtë monument të rindërtuar nga shteti.
Ministria e Kulturës ka synuar që pesë monumente t’ua japë nën menaxhim organizatave joqeveritare. Por, në vlerësim preliminar ia ka dalë që të bëjë zgjidhje vetëm për një. “Mundësia” do të funksionalizojë kompleksin memorial “Isa Boletini”. Kjo organizatë sivjet do të marrë 35 mijë, vitin që vjen 50 dhe po kaq edhe për 2025-tën. Pas afatit të ankesave klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” ia ka dalë të sigurojë nga 20 mijë euro çdo vit duke filluar prej sivjet.
Gjashtë organizata të tjera janë diskualifikuar kryesisht për mospërmbushjen e kritereve përmbajtjesore dhe administrative.
Kompleksi memorial “Isa Boletini”, “Burgu i idealit” në Prishtinë, Muzeu i Hidroelektranës në Prizren, Shtëpia e Katarina Josipit në Zym dhe Kalaja e Prizrenit në Prizren ishin monumentet që institucioni më i lartë kulturor në vend llogariste që do të jenë më funksionale nëse u jepen nën menaxhim organizatave joqeveritare. MKRS-ja planifikonte t’i financonte organizatat deri në 50 mijë euro në vit nëse ato i plotësojnë kushtet për t’i arritur objektivat e kërkuara.
Për t’i sjellë në gjendjen në të cilën janë monumentet qenë investuar mjetet e shtetit. Veç në Kalanë e Prizrenit janë investuar mbi një milion euro. Midis tyre edhe 700 mijë dollarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në Shtëpinë e aktores së parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës – asokohe Teatri Popullor Krahinor – Ministria e Kulturës ka investuar 50 mijë euro. Implementimi i projektit kishte marrë më shumë se një dekadë. E ndërtesa e gurtë e promovuar në maj të vitit 2019 vazhdon të jetë e mbyllur për vizitorë. Zor se do të hapet edhe me financimin e klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi”.
Frrok Kristaj, i cili udhëheq këtë organizatë, ka thënë se do të mbajë disa aktivitete në këtë Shtëpi.
“Aktivitetet fillojnë më 27 tetor, më 9 nëntor shënohet 100-vjetori i lindjes së Katarina Josipit. Duhet të përgatitet një katalog i fotografive të saj në mosha të ndryshme. Do të ketë një tribunë ku do të diskutohet ecja e Katarina Josipit”, ka thënë ai. Sipas tij, me projekt ka kërkuar nga 50 mijë euro në vit për funksionalizimin e Shtëpisë.
“Me i pasë mjetet që kam kërkuar e kisha funksionalizuar tamam. Por, ndoshta në vitin e tretë edhe mund të bëhet. Mund të funksionalizohet edhe menjëherë nëse MKRS-ja punëson ndonjë ciceron”, ka thënë ai për shtëpinë e cila aktualisht nuk posedon ndonjë eksponat të Katarina Josipit.
Sipas përshkrimit që kishte Databaza Elektronike për Trashëgimi Kulturore, kur ishte funksionale, Shtëpia ishte ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës.
“Ajo është ndërtuar në terren të pjerrët. I takon tipit të shtëpive me çardak druri, i cili shtrihet në një pjesë të fasadës së katit”, thuhej në përshkrim. Aty tregohej se themelet, muret e suterrenit dhe muret mbajtëse të katit përdhes janë të ndërtuara prej materiali nga gur vendor, në formë drejtkëndëshi, me madhësi të ndryshme të lidhura me llaç balte, derisa stabilizimi dhe përforcimi horizontal i mureve është bërë nëpërmjet trarëve nga druri, hatullave.
“Muret ndarëse të përdheses janë punuar nga konstruksioni i drurit të mbushura me qerpiçë dhe konstruksion tradicional me thupra në formë gërshete, të mbushura dhe suvatuara me llaç balte. Sipërfaqja e mureve të brendshme është suvatuar dhe lyer me gëlqere. Konstruksionet e meskatit dhe të kulmit janë të punuara me trarë prej druri”, thuhej midis të tjerash në përshkrim.
Ndërsa kompleksi memorial “Isa Boletini” përbëhet nga Kulla e strukturat e ndërtesa përreth. Kompleksi gjendet në fshatin Boletin të Zveçanit dhe prej vitit 2015 aty zë vend edhe varri i Isa Boletinit. Shteti ka vite që synon që aty të ketë ekspozitë të përhershme. Të hënën vonë, kur edhe është publikuar lista e OJQ-ve përfituese, KOHA ka komunikuar me drejtoreshën e OJQ-së “Mundësia”, Hasime Tahiri-Hasani.
Kompleksi memorial “Isa Boletini” përbëhet nga Kulla e strukturat e ndërtesave përreth. Kompleksi gjendet në fshatin Boletin të Zveçanit dhe prej vitit 2015 aty zë vend edhe varri i Isa Boletinit. Shteti ka vite që synon që aty të ketë ekspozitë të përhershme
Ajo ka thënë se tash e 23 vjet organizata midis të tjerash ka për qëllim edhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Ka thënë se në kuadër të punës që planifikohet të bëhet në këtë kompleks është përgatitja e ueb-faqes, audio-guidave, programe artistike dhe shënimi i shumë përvjetorëve në këtë kompleks.
“Organizimi i vizitave studimore brenda dhe jashtë Kosovës, shkëmbimi i përvojave, organizimi i festivalit, mirëmbajtja e kompleksit, duke përfshirë Kullën, oborrin, varrezat, flamujt e të tjera. Organizim i netëve poetike, turi virtual, konferencat shkencore e konferencat shkencore janë disa nga aktivitetet që parashihet të bëhen”, ka treguar Tahiri-Hasani.
Në thirrjen publike, që ishte e hapur deri në fund të qershorit e më pas qe shtyrë afati, sqarohej se në bazë të vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është themeluar Njësia menaxhuese për asetin e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, Kalaja e Prizrenit. Sipas thirrjes, bëhet ftesë publike për organizatat joqeveritare për implementimin e programit ose projektit me titullin “Zbatimi i planit të menaxhimit të Kalasë së Prizrenit – Menaxhimi i Kalasë së Prizrenit”.
“Koordinimi i veprimeve për administrimin, zhvillimin, mirëmbajtjen, menaxhimin dhe promovimin e Kalasë së Prizrenit, duke e shndërruar në një hapësirë multifunksionale; angazhimi i stafit profesional dhe teknik në kuadër të OJQ-së në cilësinë e menaxherit të Kalasë, për zbatim të prioriteteve dhe objektivave të paraqitura në Planin e Veprimit të Planit të Menaxhimit të Kalasë së Prizrenit, në bazë të fushëveprimeve”, janë disa prej objektivave që synohen. Edukimi dhe hulumtimi, zhvillimi ekonomik dhe turizmi, interpretimi, prezantimi dhe promovimi po ashtu janë pjesë e objektivave.
Plani i menaxhimit të Kalasë së Prizrenit, i miratuar në dhjetor të vitit 2020, përcakton 16 punonjës në Kalanë e Prizrenit. Në korrik të vitit të kaluar qe emëruar edhe Njësia menaxhuese për këtë aset të trashëgimisë kulturore, ndër më të rëndësishmit në vend. Por, këto dy dokumente nuk kanë dhënë kurrfarë efekti. Degradimi në Kalanë sipër qytetit jugor veç ka marrë hov. Kalaja për pesë muaj kishte mbetur pa asnjë punonjës. Madje edhe pa rojtar. Në mars ishin angazhuar punonjësit.
Më pas në thirrje publike sqarohej se Ministria së Kulturës, Rinisë dhe Sportit synon të nxisë ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet ruajtjes, dokumentimit dhe zhvillimit të artit e trashëgimisë kulturore në njërën anë dhe integrimin e artit dhe trashëgimisë kulturore në politikat zhvillimore për një mirëqenie të avancuar sociale dhe ekonomike. Bëhej e ditur se programi do të zbatohet gjatë periudhës 36-mujore për përmbushjen e objektivave. Për katër monumente të tjera tregohet se synohet koordinimi i veprimeve për administrimin, zhvillimin, mirëmbajtjen, menaxhimin dhe promovimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, duke i shndërruar në hapësira multifunksionale në shërbim të qytetarëve.
“Hartimi i programit / projekt-propozimit për zhvillim të aktiviteteve vjetore në bazë të fushëveprimeve; Edukim dhe hulumtim; Zhvillim ekonomik dhe turizëm; Komunikim: interpretim, ekspozim, prezantim dhe promovim përmes kreativitetit artistik”, janë disa nga objektivat. Po ashtu organizatave joqeveritare u kërkohej hartimi i metodologjisë dhe planit dinamik të punës për zbatimin e aktiviteteve në bazë të fushëveprimeve.
“Hartimi i planit vjetor financiar, në koordinim dhe bashkëpunim me institucionet vartëse të MKRS-së, për zbatim të aktiviteteve të Planit të Punës; Menaxhimi i infrastrukturës dhe ambientit në dhe përreth monumentit (mbeturinat, ndriçimi brenda dhe jashtë, ulëset, shportat e mbeturinave, tabelat informuese); Interpretimi digjital (aplikacioni, uebi); Menaxhimi i audioguidave”, ishin midis objektivave.
KOHA e kishte pyetur MKRS-në se përse nuk angazhohet staf profesional që këto monumente të jenë institucione më vete, që menaxhohen sikurse institucionet e tjera shtetërore. MKRS-ja e konsideron ndryshe.
“Këto pesë monumente janë institucione më vete, në kuadër të MKRS-së, të cilat po i fuqizojmë përmes programeve të ndryshme, duke filluar nga ndërhyrjet fizike restauruese, planet e menaxhimit, angazhimi i stafit, dhe tani edhe përmes ftesës për angazhim të organizatave joqeveritare, të cilët kanë ekspertizë dhe njohuri në fushën e promovimit dhe zhvillimit të kulturës”, shkruhej në përgjigje. Por, për këto monumente nuk ka akte të themelimit si institucione.
Sipas përgjigjeve të MKRS-së, shoqëria civile është partner strategjik në zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe programeve të MKRS-së. Në përgjigje shkruhej se kjo iniciativë, përmes kësaj thirrjeje është një nga format konkrete të fuqizimit të këtij partneriteti.