Kulturë

Driton Selmani pyet për të ardhmen në jubileun e Muzeut të Artit në Graz

Driton Selmani, “Only Time Will Tell”, 2019, plexiglas LED, shkronja të prera CNC, mbajtëse metalike. Përmasat: 300 x 70 x 160 centimetra. Pamja e instalimit: “Hestia”, Beograd. Foto: Teodora Jeremiq
 

Institucioni i artit në Graz të Austrisë ka bashkuar artistë ndërkombëtarë për ekspozitën “The Other”, me të cilën shënon 20-vjetorin e themelimit. E Kosova aty përfaqësohet nga Driton Selmani. “Only Time Will Tell” mban titullin vepra e tij, e cila ndër të tjera, vjen si thirrje që të ndalen paragjykimet dhe t’i lihet kohës të nxjerrë në pah realitetin. Sfidon fushën e tensionit midis të folurës edhe të pathënave. “Mes së heshturës dhe të harruarës, mes individit dhe kolektivit”, ka thënë Selmani

Driton Selmani do t’i kthehet Austrisë. Në qershor në Vjenë, kishte arritur duke zbërthyer emergjenca të së tashmes. Ndërsa në fund të këtij muaji në Graz do të shtrojë pyetje për të ardhmen. Thënë shkurt: do të ftojë vizitorët e Muzeut të Artit për të njohur konceptin e tjetrit. Në këtë rast edhe do të japë një përgjigje.

“Only Time Will Tell” mban titullin vepra e tij. Është mbishkrim që thotë se “vetëm koha do të tregojë”. Ndërtesa e Muzeut buzë lumit Mur në qytetin mesjetar austriak do të jetë strehë e ekspozitës kolektive “The Other” me nëntitull “Re-Imagine the Future”. Do të jetë nikoqire e artistëve dhe grupeve si Selmani, Nika Autor, Kader Attia, Rossella Biscotti, “Black Quantum Futurism” Anetta Mona Chişa e Lucia Tkáčová, Jasmina Cibic, Lana Çmajçanin, Olafur Eliasson, “IRWIN” e të tjerë. Nën kurimin e sllovenes, Andreja Hribernik, ekspozita që do të qëndrojë e hapur prej 28 shtatorit deri më 18 shkurt do të shënojë 20-vjetorin e themelimit të institucionit.