Shkrirja e Akademisë së Studimeve Albanologjike në kuadër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të bëhet nëpërmjet gjashtë njësive studimore. Sipas vendimit të kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, në kuadër të institucionit që ai udhëheq, do të funksionojnë Instituti i Arkeologjisë, ai i Historisë, Qendra e Studimit te Arteve, Instituti i Antropologjisë dhe Qendra për Botimet Enciklopedike e Albanologjike.
Në bazë të vendimit, deri më 15 dhjetor institutet do të kenë edhe punonjësit shkencorë. Përderisa ende nuk dihet se cila do të jetë rruga se si punonjësit shkencorë do të marrin pozitat e reja brenda Akademisë, nëse do të barten direkt si ish-punonjës të ASA-së apo nëpërmjet ndonjë konkursi, mbetet që marrëdhënia e tyre me shtetin sa u përket pagave do të caktohet nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave.
E ishte pikërisht një vendim i Këshillit të Ministrave në majin e sivjetmë, dokumenti që edhe mbylli ASA-në. Asokohe edhe reagimet ishin të shumta.
Senati i këtij institucioni kishte lëshuar deklaratë, duke thënë se shkelet Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër, të së vetmes Akademi Albanologjike.
Në një tjetër reagim, Senati kishte dalë plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave.
“Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri; Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë. Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike, duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik”, shkruhej në reagimin e dytë.
Por reagimet nuk kishin mbetur vetëm brenda Shqipërisë. I pyetur nga mediat shqiptare, kundër një vendimi të tillë kishte dalë edhe akademiku nga Kosova, Rexhep Ismajli.
“Nuk është e pranueshme e as e lejueshme të rrezikohen institucionet shkencore. Përkundrazi, duhet të zhvillohen e të shtohen. Rrethanat konkrete se si do të organizohen ato duhet të gjykohen nga studiuesit që janë drejtpërdrejt në punën albanologjike në Shqipëri. Nuk është mirë të bëhet asgjë pa mirëkuptimin e tyre”, kishte thënë akademik Ismajli, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, midis të tjerash edhe anëtar nderi i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Amerikës.
Reagimet e studiuesve nga Kosova qenë të shumta. Anëtari korrespondent i ASHAK-ut, gjuhëtari Bardh Rugova, bashkë me kolegët profesorë universitarë të gjuhës, Shkumbin Munishi e Rrahman Paçarizi, kanë reaguar, duke thënë se bëhet fjalë për ndërhyrje të politikës në shkencë.
“Ndërhyrja e politikës mbi aktivitetin studimor është tentim për të kontrolluar, ‘disiplinuar’ dhe sunduar mendjet krijuese. E kuptojmë se pushtetet – kudo – nuk e duan mendimtarin e lirë dhe, më me dëshirë, do të kishin dorë mbi ta. Prej këtu kemi edhe termat poshtërues në botën akademike për ‘mendimtarët’ e pushteteve: studiues i oborrit. Studiuesit e oborrit janë tipikë për vendet e diktaturave”, shkruhej në reagimin e tyre.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.