Kulturë

Maestro Dylla me elegancë i rrëfen Mitrovicës nëpërmjet kitarës

Marcin Dylla (47) e ka hapur koncertin me “Capricco Diabolico op. 85” të Mario Castelnuovo-Tedescos dhe ka qenë një hyrje e fuqishme në zbërthimin e stilit dhe teknikave të tij. Koncerti në Muzeun e Qytetit në Mitrovicë ka qenë i pari për të në Kosovë
 

Marcin Dylla nuk është thjesht interpretues. Ai shpalos rrëfime nëpërmjet instrumentit, dhe kitara në duart e tij duket e pamjaftueshme. Hapja e të pestit edicion të “Mitrovica Guitar Days” me maestron polak të kitarës klasike ka qenë një goditje në shenjë. Prestigjiozja amerikane “The Washington Post” e ka cilësuar si “ndër kitaristët më të talentuar në planet” dhe sapo nis interpretimin, një përshkrim i tillë nuk lë shumë vend për koment. Koncerti i së martës mbrëma në Muzeun e Qytetit ka qenë një udhëtim i ndjeshëm nëpërmjet tingujve

Me prekjen e parë të telave – pas një frymëmarrjeje të thellë si teknikë përqendrimi – magjia e tingujve të kitarës nis e shpërndahet valë-valë gjithandej në hapësirën e Muzeut të Qytetit të Mitrovicës. Emri i tij flet shumë: Marcin Dylla. Hapja e të pestit edicion të “Mitrovica Guitar Days” me maestron polak të kitarës klasike, ka qenë një goditje në shenjë. Prestigjiozja amerikane “The Washington Post” e ka cilësuar si “ndër kitaristët më të talentuar në planet” dhe sapo nis interpretimin, një përshkrim i tillë nuk lë shumë vend për koment. Para se të nisë interpretimin ka pasur një lutje për audiencën: askush të mos xhirojë dhe secili ta shijojë koncertin siç donte ta shijonte edhe vetë ai. Publiku i është bindur teksa ia ka mundësuar këtij fenomeni të rrallë, siç e quajnë kritikët, ta marrë me vete në një udhëtim të pakufishëm muzikor. Dritat ngjyrë rozë kanë ndriçuar hapësirën e shumëngjyrësh ka qenë udhëtimi muzikor me këtë muzikant skenash të njohura.

Dylla (47) e ka hapur koncertin me “Capricco Diabolico op. 85” të Mario Castelnuovo-Tedescos dhe ka qenë një hyrje e fuqishme në zbërthimin e stilit dhe teknikave të tij. Ai nuk është thjesht interpretues. Shpalos rrëfime nëpërmjet instrumentit, dhe kitara në duart e tij duket e pamjaftueshme. Para secilës vepër në repertor, e ka paralajmëruar publikun se çfarë e pret. Ka vazhduar me “Sonatën nr. 34” të Silvius Leopold Weiss e po ashtu “Sonatë op 23” ka zgjedhur edhe nga Wenzel Thomas Matiangas, që nis qetë por intensifikohet me një lloj harmonie melodish paralele ku secila notë kërkon precizitetin e vet. Loja me bas është si vepër e shkëputur por që thuret mjeshtërisht me pjesën solo. Me veprën e radhës ka kapërcyer një shekull në literaturën e muzikës.