Kulturë

Portretet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit bashkohen si jehonë e idealit

Ekspozita e hapur të hënën pasdite në “Qendrën Evropa” është konsideruar si jehonë e porosisë së veprimtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit
 

Janë 80 portretet e po aq veprimtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit që janë bashkuar në 80-vjetorin e kësaj ngjarjeje historike si një shenjë përkujtimi të idealit të tyre për Shqipërinë. U bënë tok në qytetin i cili këtu e tetë dekada më parë u ngrit në këmbë për t’i pritur delegatët nga të gjitha viset, që u angazhuan për vazhdimin e aspiratave të Lidhjes së Prizrenit. Ekspozita – kushtuar një ngjarjeje e konsideruar edhe si temë tabu për gati gjysmëshekulli – vjen edhe me dokumente të tjera arkivore si shkrimet e gazetave të kohës

Me rastin e shënimit të 80-vjetorit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në qytetin e vjetër, është hapur ekspozita me fotografi e 80 veprimtarëve të kësaj ngjarjeje historike. Autorët e ekspozitës kanë vënë në pah rëndësinë e angazhimit të këtyre atdhedashësve për çlirimin e viseve shqiptare, sendërtimin e bashkimit kombëtar. Sipas tyre, 80 vjet më parë i gjithë qyteti ishte ngritur në këmbë për t’i pritur delegatët nga të gjitha viset që u angazhuan për vazhdimin e aspiratave të Lidhjes së Prizrenit. Krahas fotografive në ekspozitë, vend i rëndësishëm u është dhënë edhe artikujve të asaj kohe, nëpërmjet të të cilëve shpalosen veprimtaria dhe programi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Hulumtuesi Nexhat Çoçaj ka përkujtuar se veprimtaria e këtij brezi të atdhetarëve ka frymëzuar gjenerata të tëra për t’u angazhuar për lirinë e Kosovës, e që sipas tij ka kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.