Kulturë

Mundësia e zhvendosjes së mozaikut me motive të krishtera nga Izraeli ngjall polemika

Një mozaik i lashtë i krishterimit me rëndësi arkeologjike mund t'i jepet hua një muzeu të diskutueshëm amerikan.

Mozaiku i Megiddos, që përshkruan një referencë të hershme për Jezusin si Zot, daton prej shekullit të 3-të dhe besohet të jetë afër vendit të Armageddonit, qyteti që, sipas Biblës, do të jetë mikpritës i “Ardhjes së Dytë të Krishtit”.

I ndërtuar përpara konvertimit të Perandorisë Romake në krishterim, mozaiku ndodhet brenda asaj që mendohet të jetë salla e lutjeve më e hershme e krishterë në botë, në një fshat të lashtë romak në Izraelin verior. Arkeologët izraelitë e zbuluan atë gjatë një gërmim-shpëtimi si pjesë e një zgjerimi të planifikuar të një burgu në vitin 2005.

I përdorur për të ndaluar të burgosurit palestinezë, burgu ndodhet pranë Tel Megiddo, në majë të Luginës së Jezreelit. Duke u mbështetur në atë që është shkruar në Librin e Zbulesës, disa të krishterë besojnë se do të ketë një betejë midis së mirës dhe së keqes në fund të botës.

Muzeu i Biblës në Uashington, DC u themelua nga Steve Green, presidenti i “Hobby Lobby” dhe një i krishterë ungjillor. Është përballur me shqyrtimin e praktikave të grumbullimit dhe për promovimin e një agjende politike ungjillore të krishterë qëkur u hap në 2017.

Në gjashtë vjetët e fundit ajo ka riatdhesuar 5 mijë objekte biblike të diskutueshme në Egjipt dhe një Ungjill njëmijëvjeçar të grabitur në Greqi mes polemikave. Për më tepër, autoritetet amerikane kthyen mijëra artefakte të grabitura nga koleksioni i Green në Irak.

Huazimi i mozaikut në Muze mund të forcojë lidhjet midis të krishterëve ungjillorë dhe Izraelit.

Arkeologët kanë ngritur shqetësime për heqjen e mozaikut nga konteksti i tij origjinal përpara përfundimit të studimeve akademike.

“Është seriozisht e parakohshme të zhvendoset ai mozaik”, ka thënë për “Associated Press” Matthew Adams, drejtor i Qendrës për Botën Mesdhetare, një institut jofitimprurës i kërkimit arkeologjik.

Candida Moss, një profesoreshë teologjie në Universitetin e Birminghamit, e cila bashkëshkroi një libër për Muzeun e Biblës, gjithashtu i bëri jehonë kësaj ndjenje në një intervistë me AP, duke thënë: “Sapo të merrni ndonjë objekt jashtë kontekstit të tij arkeologjik, ai humbet. Diçka, humbet ndjenjën e hapësirës dhe mjedisit në të cilin është gërmuar për herë të parë”.

Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit pritet të marrë një vendim, pas konsultimit me një bord këshillues, në javët e ardhshme.