Ministria e Kulturës ka synuar që pesë monumente t’ua japë nën menaxhim organizatave joqeveritare. Por, të paktën në vlerësim preliminar ia ka dalë që të bëjë zgjidhje vetëm për një. Organizata joqeveritare “Mundësia” do të funksionalizojë kompleksin memorial “Isa Boletini”. Për tre vjet do të marrë nga shteti 135 mijë euro. Sivjet 35 mijë, vitin që vjen 50 dhe po kaq edhe për 2025-n.
Shtatë organizata të tjera janë diskualifikuar kryesisht për mospërmbushjen e kritereve përmbajtjesore dhe administrative. Por brenda 5 ditëve mund të ankohen.
Kompleksi memorial “Isa Boletini”, “Burgu i idealit” në Prishtinë, Muzeu i Hidroelektranës në Prizren, Shtëpia e Katarina Josipit në Zym dhe Kalaja e Prizrenit në Prizren janë monumentet që institucioni më i lartë kulturor në vend llogarit që do të jenë më funksionale nëse u jepen nën menaxhim organizatave joqeveritare. MKRS-ja planifikon t’i financojë organizatat deri në 50 mijë euro në vit nëse ato i plotësojnë kushtet për t’i arritur objektivat e kërkuara. Për t’i sjellë në gjendjen në të cilën janë monumentet qenë investuar mjetet e shtetit. Veç në Kalanë e Prizrenit janë investuar mbi një milion euro. Midis tyre edhe 700 mijë dollarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në thirrjen publike, që ishte e hapur deri në fund të qershorit e më pas qe shtyrë afati, sqarohej se në bazë të vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është themeluar Njësia menaxhuese për asetin e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, Kalaja e Prizrenit. Sipas thirrjes, bëhet ftesë publike për organizatat joqeveritare për implementimin e programit ose projektit me titullin “Zbatimi i planit të menaxhimit të Kalasë së Prizrenit – Menaxhimi i Kalasë së Prizrenit”.
“Koordinimi i veprimeve për administrimin, zhvillimin, mirëmbajtjen, menaxhimin dhe promovimin e Kalasë së Prizrenit, duke e shndërruar në një hapësirë multifunksionale; Angazhimi i stafit profesional dhe teknik në kuadër të OJQ-së në cilësinë e menaxherit të Kalasë, për zbatim të prioriteteve dhe objektivave të paraqitura në Planin e Veprimit të Planit të Menaxhimit të Kalasë së Prizrenit, në bazë të fushëveprimeve”, janë disa prej objektivave që synohen. Edukimi dhe hulumtimi, zhvillimi ekonomik dhe turizmi, interpretimi, prezantimi dhe promovimi po ashtu janë pjesë e objektivave.
Plani i menaxhimit të Kalasë së Prizrenit, i miratuar në dhjetor të vitit 2020, përcakton 16 punonjës në Kalanë e Prizrenit. Në korrik të vitit të kaluar qe emëruar edhe Njësia menaxhuese për këtë aset të trashëgimisë kulturore, ndër më të rëndësishmit në vend. Por, këto dy dokumente nuk kanë dhënë kurrfarë efekti. Degradimi në Kalanë sipër qytetit jugor veç ka marrë hov. Kalaja për pesë muaj kishte mbetur pa asnjë punonjës. Madje edhe pa rojtar. Në mars ishin angazhuar punonjësit.
Arkeologu Shafi Gashi, i cili ka udhëhequr punimet në Kalanë e Prizrenit, kishte thënë se nuk mund të veprohet më kësisoj.
Më pas në thirrje publike sqarohet se Ministria së Kulturës, Rinisë dhe Sportit synon të nxisë ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet ruajtjes, dokumentimit dhe zhvillimit të artit e trashëgimisë kulturore në njërën anë, dhe integrimin e artit dhe trashëgimisë kulturore në politikat zhvillimore për një mirëqenie të avancuar sociale dhe ekonomike. Bëhet e ditur se programi do të zbatohet gjatë periudhës 36-mujore për përmbushjen e objektivave. Për katër monumente të tjera tregohet se synohet koordinimi i veprimeve për administrimin, zhvillimin, mirëmbajtjen, menaxhimin dhe promovimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, duke i shndërruar në hapësira multifunksionale në shërbim të qytetarëve.
“Hartimi i programit / projektpropozimit për zhvillim të aktiviteteve vjetore në bazë të fushëveprimeve; Edukim dhe hulumtim; Zhvillim ekonomik dhe turizëm; Komunikim: interpretim, ekspozim, prezantim dhe promovim përmes kreativitetit artistik”, janë disa nga objektivat. Po ashtu organizatat joqeveritare do të bëjnë hartimin e metodologjisë dhe planit dinamik të punës për zbatimin e aktiviteteve në bazë të fushëveprimeve.
“Hartimi i planit vjetor financiar, në koordinim dhe bashkëpunim me institucionet vartëse të MKRS-së, për zbatim të aktiviteteve të Planit të Punës; Menaxhimi i infrastrukturës dhe ambientit në dhe përreth monumentit (mbeturinat, ndriçimi brenda dhe jashtë, ulëset, shportat e mbeturinave, tabelat informuese); Interpretimi digjital (aplikacioni, uebi); Menaxhimi i audioguidave”, janë po ashtu midis objektivave.
KOHA e kishte pyetur MKRS-në se përse nuk angazhohet staf profesional që këto monumente të jenë institucione më vete, që menaxhohen sikurse institucionet e tjera shtetërore. MKRS-ja e konsideron ndryshe.
“Këto pesë monumente janë institucione më vete, në kuadër të MKRS-së, të cilat po i fuqizojmë përmes programeve të ndryshme, duke filluar nga ndërhyrjet fizike restauruese, planet e menaxhimit, angazhimi i stafit, dhe tani edhe përmes ftesës për angazhim të organizatave joqeveritare, të cilët kanë ekspertizë dhe njohuri në fushën e promovimit dhe zhvillimit të kulturës”, shkruhej në përgjigje. Por, për këto monumente nuk ka akte të themelimit si institucione.
Sipas përgjigjeve të MKRS-së, shoqëria civile është partner strategjik në zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe programeve të MKRS-së. Në përgjigje shkruhet se kjo iniciativë, përmes kësaj thirrjeje është një nga format konkrete të fuqizimit të këtij partneriteti.
“Përmes kësaj thirrjeje synojmë të zhvillojmë modelin e partneritetit publiko-civil si metodologji e avancuar dhe model evropian, duke rritur kapacitetet promovuese të monumenteve të lartcekura dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm”, shkruhej në përgjigje. Sipas institucionit më të lartë kulturor në vend, organizatat fituese të kësaj thirrjeje do të bashkëpunojnë ngushtë me profesionistët e institucioneve vartëse të MKRS-së, dhe njësitë menaxhuese në kuadër të MKRS-së, për të zhvilluar aktivitetet e parapara në kuadër të projekteve të funksionalizimit.
Përtej organizatave joqeveritare, MKRS-ja synon edhe kurimin e ekspozitave me kompani private. Ministria e Kulturës planifikon që me mbi 400 mijë euro të hapë një muze me ekspozitë të përhershme dhe të rikonceptojë ekspozitat në tri monumente të tjera. Nëpërmjet kompanive private qëllimi është që Muzeu i Burgut të Prishtinës, “Burgu i idealit”, të bëhet me ekspozitë të përhershme. E në Muzeun Etnologjik apo kompleksin “Emin Gjiku” bashkë me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Kullën e Isa Boletinit të rikonceptohen ekspozitat. Për këtë institucioni më i lartë i kulturës në vend ka hapur dy thirrje publike dhe nëpërmjet këtyre tenderëve ka planifikuar që për Muzeun e Burgut të Prishtinës të shpenzojë deri në 250 mijë euro, kurse për tri monumentet e tjera 155 mijë euro. Ata që janë marrë me menaxhim të muzeve e me ekspozita, bashkë me ata që merren me trashëgiminë kulturore, kanë rekomanduar një qasje më ndryshe. Mbi të gjitha, sipas tyre, duhet investuar në stafin permanent.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.