Numër befasues i gotave të verës në qytetin antik misterioz të Shqipërisë
Rrënojat e një ndërtese qendrore për veprimtari publike dhe fetare.
Teksa shikon një kreshtë në Shqipëri, shikuesit shohin një peizazh shkëmbor me shkurre të harlisura. Nga poshtë, maja e kodrës nuk duket fortë e pazakontë. Por diçka “unike” është fshehur në kodër – për mijëra vjet.
Bazuar në një njoftim të Universitetit të Varshavës të publikuar më 25 korrik, në vitin 2018 një “qytet i panjohur” u rizbulua nga arkeologët në Bushat.
Sipas një studimi të vitit 2021 të botuar në revistën “Antiquity”, rrënojat e harruara prej kohësh, për të cilat arkeologët konsiderojnë se i takojnë një “qendre të rëndësishme urbane”, janë të vendosura në dy kreshta me një luginë të vogël në mes, duke i dhënë qytetit pak a shumë formë trekëndëshi.
“Rrënojat e qyteteve të gjera antike me emër të panjohur, në përgjithësi nuk është që arrijnë të zbulohen në ditët e sotme”, kanë thënë arkeologët.
Rrënojat e “qytetit të panjohur” parë nga lart më 2022.
Në një deklaratë për shtyp organizata ka thënë se, me shpresë për të gjetur përgjigje për vendin misterioz, arkeologët së bashku me Qendrën Kërkimore të Antikitetit të Evropës Juglindore, gërmuan në pikën më të lartë të qytetit një “ndërtesë shumë të madhe”.
Ndërtesa ishte rreth 2 mijë e 400 vjet e vjetër dhe siç kanë thënë arkeologët, me “tri dhoma të gjera dhe një korridor të gjatë”. Fotot tregojnë konturat e strukturës së shkatërruar.
Arkeologu i Qendrës Kërkimore të Antikitetit të Evropës Juglindore, Piotr Dyczek, i ka thënë universitetit se arkeologët gjetën brenda “një numër befasues enësh madhësish të ndryshme për pirjen e verës”.
“Kemi zbuluar një ndërtesë unike”, ka thënë Dyczek. Ai e identifikoi ndërtesën si një prytaneion, një strukturë e lashtë greke ku mblidheshin zyrtarët e qeverisë, ose një “hestiateron, (e cila) është një strukturë publike në të cilën duhet të digjet një zjarr i përjetshëm”.
Arkeologët thanë se këto gjetje “befasuese” sugjerojnë që qyteti misterioz ishte planifikuar dhe drejtuar si qytetet e lashta greke. Vendbanimi, megjithatë, nuk ishte grek.
Arkeologët thanë se qyteti ishte pjesë e Ilirisë së lashtë. Sipas “Britannicas”, ilirët kontrolluan pjesën më të madhe të Ballkanit të sotëm derisa u pushtuan nga romakët e lashtë në vitin 168 p.e.s.
Universiteti ka njoftuar se gjurmimet e mëhershme zbuluan rrënojat e mureve mbrojtëse dhe ato të të dy portave të qytetit, dëshmi e madhësisë dhe rëndësisë së vendit.
Sipas qendrës kërkimore, arkeologët do të vazhdojnë gërmimet vitin e ardhshëm.
Bushati gjendet afër kufirit me Malin e Zi, rreth 80 kilometra në veriperëndim të Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë.
Marrë nga “Miami Herald”. Përktheu: Mirjetë Sadiku